1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Luftë e drejtë, por jo shembull për herë të tjera

Me rastin e 24 marsit të vitit 1999 analistët dhe politikanët gjermanë shprehen skeptikë ndaj luftës kundër ish-Jugosllavisë dhe së ushtrisë gjermane në të.

Shqiptarë të Kosovës në Gjermani me flamurin e ri të Kosovës dhe atë të Gjermanisë

Shqiptarë të Kosovës në Gjermani me flamurin e ri të Kosovës dhe atë të Gjermanisë

„Sulmet ajrore kundër ish-Republikës Federale të Jugosllavisë ishin një mjet shumë i keq dhe shumë i dyshimtë. Por për kushtet e atëhershme, nuk kishte alternativë tjetër. Vendimi ishte i drejtë, por ai nuk duhet të shërbejë si shembull për herë të tjera” – thotë Winfried Nachtwei, deputet i “Të gjelbërve” në parlamentin gjerman.

Nachtwei jep kështu një argument për heshtjen e sotme të protagonistëve kryesorë të politikës gjermane në vitin 1999, koalicionit të socialdemokratëve dhe Të gjelbërve, i cili me sa duket ende nuk e ka përtypur faktin, që ndërhyrja ushtarake kundër regjimit të Milosheviçit u bë pa mandat të OKB-së. Kjo vihet re në komentet e gazetave dhjetë vjetë më vonë.

Ndërsa Erich Rathfelder në të përditshmen e afërt me "Të gjelbrit", TAZ, mundohet ta justifikojë ndërhyrjen ushtarake si hapin e vetëm "për t'i dhënë fund regjimit të aparteidit që sundonte në Kosovë". Në të njëjtën gazetë, Andreas Zumach e akuzon koalicionin e atëhershëm se për t'ia mbushur mendjen opinionit, “sidomos atij gjerman - historikisht tepër skeptik ndaj luftërave - pat bërë një sërë manipulimesh dhe premtimesh të gabuara”. Njëri prej këtyre premtimeve, sipas Zumach, ishte garantimi i ministrit të shtetit Ludger Volmer, më 16 tetor 1998 në Bundestag, për pjesëmarrjen e ushtrisë gjermane vetëm me mandat të OKB-së.

Zumach, nuk është i vetmi me këtë opinion. Ngjashëm e sheh intervenimin edhe Wolfgang Neshkoviç, asokohe anëtar i “Të gjelbërve”, sot i “Të majtës”: „Ishte një thyerje e qartë e të drejtës ndërkombëtare, sepse mungonte autorizimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pjesëmarrja gjermane në të ishte në kundërthënie me kushtetutën, sepse nuk kishte pasur sulm ndaj territorit gjerman. Edhe statuti i NATO-s u thye, sepse nuk ishte sulmuar territori i Aleancës. Kjo luftë ishte një thyerje e rëndë e të drejtës ndërkombëtare dhe vetëm për këtë shkak një gabim i madh. “

Ndërsa qeveritarët e asaj kohe heshtin, madje, dyshojnë politikanë nga kampi konservator, që atëherë ishte në opozitë, e marrin në mbrojtje intervenimin, duke nxjerrë në pah edhe një efekt pozitiv për të drejtën ndërkombëtare: “Ne sot flasim për në koncept të ri në të drejtën ndërkombëtare. Është përgjegjësia ndaj popullsisë civile, aty ku nuk ka mbrojtje nga ana e qeverisë, ose kur ajo shtypet prej saj,” – thotë Ruprecht Polenz, kristdemokrat dhe Kryetar i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Gjerman.

Por, e përditshmja nga Mynihu "Süddeutsche Zeitung" konstaton, se e drejta ndërkombëtare nuk ka arritur të gjejë mjete për të luftuar çdo të keqe në këtë botë. Pa përgjigje kanë mbetur pyetjet: "Përse të ndërhyhet në Kosovë dhe jo në Sudan?" ose "Kur shqiptarët e Kosovës kanë të drejtën e vetëvendosjes, përse të mos u njihet kjo edhe tibetianëve?"

Këtë skepticizëm të mediave gjermane e kritikon Richard Herzinger në një shkrim editorial të botuar në të përditshmen "Die Welt". "Shtrembërime të historisë" i quan ai shkrimet e kohëve të fundit dhe kritkon sidomos heshtjen e "protagonistëve të atëhershëm", të cilët me rezistencën e mëvonshme ndaj luftës së Irakut, "u përpoqën të krijojnë imazhin e një ‘Gjermanie si forcë paqësore' që vepron vetëm me mandat të OKB-së." Ai apelon tek "Të gjelbrit" e ish-ministrit Joschka Fischer, që të jenë krenarë për këtë ndërhyrje kundër ish-Jugosllavisë, sepse ajo ka treguar një gjë: "E drejta e sovranitetit territorial nuk mund të justifikojë kurrë shtypjen ndaj popullsisë civile."

Autor: Anila Shuka / Goran Goic

Redaktoi: Aida Cama




  • Data 24.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HIZN
  • Data 24.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HIZN