1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Luftë e ashpër elektorale për Prishtinën

Në Kosovë, analistët politikë thonë se gara për zgjedhjet lokale ndërmjet LDK-së dhe PDK-së për të fituar në kryeqytet mund të rrezikojë funksionimin e koalicionit të këtyre dy partive në nivel qëndror.

Lufta elektorale në Prishtinë është ashpërsuar. Ne foto: Muzeu kombetar në Prishtinë

Lufta elektorale në Prishtinë është ashpërsuar

Dy partitë politike që pretendojnë të udhëheqin në më shumë komuna në Kosovë, PDK dhe LDK-së, kohët e fundit kanë ashpërsuar gjuhën politike duke akuzuar njëra- tjetrën për dështime. Këto dy parti janë në koalicion në nivel qëndror dhe sipas analistëve retorika e ashpër, që po përdoret gjatë kësaj fushate ndërmjet këtyre dy partive mund ta vërë në rrezik funksionimin e koalicionit në qeveri. Një sprovë tjetër e funksionimit të koalicionit PDK-LDK, është edhe beteja për Prishtinën. Fitorja në kryeqytet nga analistët vlerësohet vendimtare për Lidhjen Demokratike të Kosovës, në tendencat e saja për t'u rikthyer si një prej forcave kryesore politike në vend. Mirëpo, analisti Ramush Tahiri, thotë se edhe PDK, ka ambicje të mëdha, që të udhëheqë në kryeqytet, gjë që do ta forconte pozicionin e saj në bashkëverisje qëndrore.

“Partia Demokratike e Kosovës, është e koncentruar në Prishtinë, sepse Prishtina është shumë domethënëse për të. Nëse arrin që kandidati i saj të fitojë në kryeqytet, atëherë PDK-ja, të themi, e ka të sigurt koalicionin, si dhe rezultatet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjithashtu, LDK-ja, nëse humb në Prishtinë, rrezikon shpërbërjen edhe njëherë të kësaj partie”, thotë Ramush Tahiri.

Është kandidati për Prishtinën nga LDK-së, Isa Mustafa i cili vazhdimisht po kritikon qeverinë për mosfunksionim. Sipas tij qeveria ka bllokuar ligjin dhe investimet për Prishtinën. Por pjesë e qeverisë është edhe LDK, anëtar i së cilës është vetë Isa Mustafa. Zyrtarë të lartë të PDK-së, parti kjo që e drejton qeverinë i kanë hedhur poshtë këto akuza, duke shtuar se PDK-ja në nivel qendror mund të qeverisë edhe pa LDK-në.

Kryetari aktual i bashkisë së Prishtinës, Isa Mustafa

Kryetari aktual i bashkisë së Prishtinës, Isa Mustafa

Këtë debat ndërmet dy partive më të mëdha në Kosovë, të zhvilluar kohët e fundit, sidomos gjuhën e ashpër politike të LDK-së, një analist tjetër, Bardh Hamzaj, e sheh si përpjekje për rikthim të madh të LDK-së në skenën politike. Vetë kandidatin për Prishtinë, Isa Mustafën ai e sheh si një figurë të re brenda LDK-së.

“Fushata e Isa Mustafës definitivisht nuk është vetëm për Prishtinën. Domethënë, Isa Mustafa nuk është vetëm kandidat i zakonshëm, si kandidatët për komunat e tjera. Isa Mustafa faktikisht paraqiti një fytyrë të re të LDK-së dhe sinjalizoi se LDK-ja do të ketë një fjalor shumë më të ashpër, se ai që është vërejtur gjatë këtyre dy vjetëve të bashkëqeverisjes me PDK-në”, thotë Bardh Hamzaj.

Analistët politikë thonë se gjatë fushatës së deritashme dhe debateve te ashpra ndërmjet partive politike ka dalë në pah edhe një çështje tjetër. Sipas tyre i tërë koncentrimi i partive është vetëm për kryetarët e komunave, ndërsa, janë lënë nën hije kandidatët për asambletë komunale. Kjo sipas tyre përbën një rrezik në vete, sepse, nëse në një komunë të Kosovës fiton kandidati i një partie, mirëpo shumica e asamblesë komunale i përket një partie tjetër, kjo e vë në rrezik funksionimin e mirëfilltë të asaj komune. Në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 15 nëntor votohet drejtpërdrejt për kryetar komunash. Poashtu një kandidat për asamble komunale duhet të ketë një numër të caktuar votash, varësisht nga numri i votuesve në një komunë për të fituar postin e deputetit në asamble komunale.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 03.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KMQX
  • Data 03.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KMQX