1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Luftë apo vetëm këshillim? - Dilema e Obamës në Irak

Obama do të ndërhynte vetëm në mënyrë të kufizuar në Irak. Presidenti amerikan bëri të qartë se vetëm në rast nevoje, SHBA do të kryene aksione ushtarake precize dhe të fokusuara.

"Kthim në Irak!" - kështu mund të përmblidhen titujt kryesorë të mediave amerikane lidhur me zhvillimet në Irak. Kjo pasi presidenti amerikan, Barack Obama pas një hezitimi të gjatë deklaroi mundësinë e dërgimit të qindra ushtarëve-këshilltarë në Irak. Obama nuk e përmend fjalën ushtarë, por bën fjalë për këshilltarë ushtarakë. Që ata do të jenë vetëm këshilltarë, siç thotë Obama këtë nuk e beson kush, vëren agjencia e lajmeve dpa.

Të enjten Obama bëri publike në një konferencë shtypi, masat amerikane për të penguar marshimin e grupit terrorist ISIS në Irak. Sipas dpa-së, Obama nuk bëri të ditur se do të dërgojë rreth 300 këshilltarë të tillë në Irak, por vetëm se ai është i "gatshëm" për ta bërë këtë. Sulmet me avionë presidenti amerikan i cilëson si "veprime ushtarake". Dhe vetëm në rast nevoje, SHBA do të kryejë "aksione ushtarake precize dhe të fokusuara". Megjithë rezervat e mëdha amerikane ndaj kryeministrit Nuri al Maliki, Obama nuk u shpreh hapur as për dorëheqjen e kryeministrit Nuri al Maliki, por vetëm deklaroi: "Nuk është punë e SHBA-së të përcaktojë liderin irakian."

Amerikanët nuk duan më luftë

Kujdesi për të zgjedhur fjalët e duhura le të kuptohet qartë se sa e vështirë është për Obamën gjetja e një strategjie për Irakun pas zhvillimeve të fundit atje dhe marshimit të ISIS. Një gjë është e qartë: Prezenca amerikane përmes shërbimeve sekrete është rritur dukshëm, me qëllim që qeveria amerikane të krijojë një imazh të saj për ISIS. Presidenti amerikan përjashtoi qartë mundësinë e dërgimit të trupave tokësore në Irak.

Mediat europiane e komentojnë qëndrimin e Obamës si një mungesë dëshire për t'u angazhuar drejtpërdrejt në një luftë të re në Irak. Presidenti nuk e do këtë luftë, populli amerikan nuk e do, por as Partia Demokratike e Obamës. Megjithatë shtrohet pyetja çfarë do të ndodhë nëse Iraku përfshihet i tëri nga lufta civile. Të mërkurën Iraku i kërkoi zyrtarisht qeverisë amerikane mbështetje nga ajri për luftën kundër grupit terrorist, ISIS. Sipas qeverisë, ushtria irakiane ka rivënë ndërkohë nën kontrollin e saj rafinerinë më të madhe të naftës në vend.

Irakianët shiitë grumbullohen në Bagdad kundër marshimit të ISIS

Irakianët shiitë grumbullohen në Bagdad kundër marshimit të ISIS

Lëvizjet diplomatike

Në kuadër të përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin në Irak, pritet që edhe kreu i diplomacisë amerikane, John Kerry të udhëtojë drejt Irakut, së shpejti, bëjnë të ditur agjencitë e lajmeve. Obama bëri të ditur se Kerry do të udhëtojë këtë fundjavë tek aleatët e SHBA-së në Europë dhe rajonin e krizës. Po këtë të premte udhëton në Turqi edhe ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier ku gjatë takimeve të tij do të trajtohet gjendja e krizës në Siri dhe Irak. Ministri i Jashtëm gjerman para udhëtimit në Turqi u shpreh se Gjermania do ta japë kontributin e saj "që konflikti që ka përfshirë Sirinë të mos shtrihet në të gjithë rajonin".

Gjendja në rajon është bërë edhe më e vështirë pas marshimit të milicëve islamistë në Irak. Ndërkohë xhihadistët kanë vënë nën kontroll disa qytete kryesore të Irakut dhe kërcënojnë tanimë drejtpërdrejt Bagdadin. Qindra mijëra irakianë janë larguar nga shtëpitë e tyre.