1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Luftë e ashpër deri në finale të fushatës

Carla Bleiker/Angjelina Verbica22 Shtator 2013

Në javën para zgjedhjeve parlamentare gabimet e kundërshtarëve politikë i ofrohen edhe një herë publikut edhe nëse kanë ndodhur dekada më parë. Secila palë do të dalë sa më mirë në sondazhet përfundimtare.

https://p.dw.com/p/19lOv
Kandidatë e të Gjelbërve, Jürgen Trittin dhe Katrin Goering-Eckardt
Kandidatë e të Gjelbërve, Jürgen Trittin dhe Katrin Goering-EckardtFotografi: picture-alliance/dpa

Partia Aleanca 90/Të Gjelbrit u konfrontua në fazën e fundit të fushatës zgjedhore me një kapitull të errët nga fillimet e saj, përfshirja e partisë në pedofoli. Në maj u zbulua se shumë shoqata të të Gjelbërve në vitet 1980-të kishin ndërhyrë për legalizimin e seksit jo të dhunshëm midis të rriturve dhe fëmijëve në kushte të caktuara.

Me investigimin e kësaj çështjeje të Gjelbrit ngarkuan studiuesin e shkencave politike Franz Walter. Ai duhej të zbulonte se çfarë roli kishin luajtur aktivistët në parti, të cilët kishin kërkuar legalizimin e aktivitetit seksual mes të rriturve dhe fëmijëve, me kushtin që kjo të ndodhte pa përdorimin e dhunës e kërcënimeve.

Tani Walter një zbulim tronditës botoi në gazetën "Tageszeitung", që është e njohur në Gjermani për orientimin e saj ekologjist dhe të majtë politik.

Akuza të rënda për pedofili

I prekur nga zbulimi i fundit është Jürgen Trittin, njëri nga dy kandidatët kryesorë të të Gjelbërve. Në vitin 1981 ai kishte qenë përgjegjës për një program të listës së iniciativave alternative ekologjiste në zgjedhjet komunale në Gëttingen. Sipas "süddeutsche.de" në këtë program bënte pjesë kërkesa që paragrafët 174 dhe 176 të kodit penal duhet të kuptoheshin të limituar: aktet seksuale me fëmijë sipas programit duhej të dënoheshin vetëm, nëse ata ndodhnin nën "përdorimin apo kërcënimin e forcës" ose duke "abuzuar marrëdhënien e varësisë."

Edhe pse kjo ka ndodhur që kur: "është një pjesë e popullatës, për të cilën një gjë e tillë nuk kalon kurrë", thotë për DW Marcel Solar, punonjës shkencor në institutin e Shkencave Politike dhe Sociologjike në universitetin e Bonit.

Jürgen Trittin në vitin1988 në parlamentin e landit Niedersachsen
Jürgen Trittin në vitin1988 në parlamentin e landit NiedersachsenFotografi: picture-alliance/dpa

Për të bindur të pavendosurit

Debati vazhdon prej muajsh, por toni është ashpërsuar para zgjedhjeve. "Disa mendime, që dëgjon tani nga ana e partive qeveritare, tingëllojnë sikur zoti Trittin të kishte abuzuar personalisht me fëmijë, gjë që natyrisht nuk është kështu", thotë për DW Lothar Probst, profesor në institutin e Shkencave Politike në universitetin e Bremenit.

Synimi është të binden votuesit e pavendosur, thotë studjuesi i shkencave politike: "Prandaj pikërisht javën e fundit bëjnë gjithçka për të gjetur pikat e dobëta të partive të tjera dhe për t'u paraqitur vetë sa më mirë."

Për të gjetur shembullin e suksesit të një fushate negative duhet të hedhësh vetëm një vështrim në zgjedhjet parlamentare të 2005, thotë Marcel Solar nga universiteti i Bonit. Në atë kohë socialdemokratet ishin në sondazhe shumë prapa CDU-së, por pastaj kancelari Gerhard Schrëder (SPD) sulmoi një nga ekspertë e CDU për ekonominë, Paul Kirchhof.

Kirchhof duhej t'u tregonte zgjedhësve kompetencat e Unionit Kristiandemokrat në fushën e tatimeve. "Gerhard Schrëder mund ta rrotullojë çështjen në debatin televiziv duke e paraqitur atë si një profesor të ngurtësuar", kujton politologu. Schrëder i pati cilësuar kërkesat e Kirchhofit për tatimet si josociale dhe të padrejta. "Dhe kjo sigurisht solli kthesën e madhe në zgjedhje. Dy partitë e mëdha kishin një diferencë shumë të ngushtë me njëra-tjetrën." Në fund fushata e socialdemokratëve solli përqindjet e nevojshme, që ata të hynin si partner në koalicionin e madh qeverisës", thotë Solar.

Paul Kirchhof
Paul KirchhofFotografi: picture alliance/dpa

Në qendër të kritikës eksperti i Steinbrückut për mjedisin

Një politikan socialdemokrat, që është kritikuar para zgjedhjeve të sivjetme, është ministri i Ekonomisë nga Thütingen, Matthias Machnig. Sipas revistës së lajmeve "Der Spiegel", në vitet 2009-2012, përveç pagës së tij si ministër ai kishte marrë edhe pagesa për periudhën e kalimit nga posti i tij i mëparshëm si sekretar shteti në ministrinë gjermane të Mjedisit. Për socialdemokratët kjo është e tepërt, sepse Machnig është ekspert i mjedisit në ekipin e ekspertëve të kandidatit për kancelar Peer Steinbrück. Pagesat shtesë, që ka marrë Machnig, sipas informacioneve të revistës Spiegel arrijnë më shumë se 100.000 euro.

Matthias Machnig, rast problematik në ekipin e ekspertëve të Steinbrückut
Matthias Machnig, rast problematik në ekipin e ekspertëve të SteinbrückutFotografi: picture-alliance/dpa

"Ka shumë më tepër njoftime për shtyp se zakonisht", thotë Volkhard Paczulla, redaktor i politikës kombëtare në gazetën "Ostthüringer Zeitung". Gjithashtu për votuesit potencialë afera e Machnig është me shumë interes. "Nga komentet në faqen tonë të internetit e shoh se sa me interes është kjo temë", thotë Paczulla për DW. "Shumë prej lexuesve tanë ndjehen të konfirmuar në bindjen e tyre 'se janë të zhgënjyer nga politika."

Nëse Machnig në rast të fitores së Steinbrückut do të ketë shanse për të marrë një post kabineti me gjithë akuzat, për këtë kandidati socialdemokrat për kancelar nuk është shprehur deri tani.