1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Lubonja: Mosfunksionimi i KQZ-së mund të ketë pasoja të paparashikueshme

Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja në një intervistë për DW flet për atmosferën paraelektorale, aktivitetin e KQZ-së dhe rolin e ndikimin e ndërkombëtarëve në situatën e acaruar politike në Shqipëri.

Deutsche Welle: Në optikën tuaj si do ta karakterizoni atmosferën politike tani kur duhen dhe rreth tetë javë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare?

Fatos Lubonja: "Ndjesia ime për atë që po ndodh në Shqipëri është se jemi në një atmosferë të një degradimi politik në këtë periudhë paraelektorale. Po ta përshkruaj me pak fjalë situatën do të thoja që në një anë është popullata dhe në anën tjetër si në skenën e një teatri absurd është një "ring" i shëmtuar i një kaste që nuk di se nga gjuan dhe nuk di se çfarë bën. Përcaktuese në këtë "ring" është aftësia për të blerë, për të shitur, për të kanosur, për të manipuluar, për të vjedhur, me një fjalë: për të bërë gjithçka, me çdo kosto, vetëm për të arritur qëllimin. Ka humbur përfaqësimi i interesave të qytetarëve dhe tabloja është si një luftë bandash, jo thjesht kundërshtare, por armike deri në vdekje, për të arritur atë që të thashë më herët: për të fituar me çdo çmim. Ndaj jemi në kushtet e një bandokracie."

Konkurrente në këto zgjedhje kemi dy koalicione të mëdha dhe dy parti të reja që garojnë të vetme. Si e vlerësoni këtë konfiguracion politik në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit?

Fatos Lubonja: "Të ndajmë fasadën, atë që duket nga jashtë ku dy kampet e mëdha që drejtohen nga PD dhe PS, janë si në një përplasje ideologjike dhe programore mes së djathtës dhe të majtës. Kurse në brendësi mbisundon premtimi i bujshëm deri në mashtrim, pa garantuar se do të ndryshojë sistemi. Ai sistem që pjell korrupsion, nepotizëm, konkurrencë jo të ndershme në treg, klientelizëm, pasiguri në rendin publik, trafiqe, shkatërrim të mjedisit etj., etj. Pra, mbisundon propaganda për të luajtur me ndjenjat e qytetarëve, pa zgjidhur asgjë nga problemet me të cilat ata ndeshen në jetën e përditshme. Në një moment kur situata ekonomike e sociale është shumë e rëndë sipas meje. Këto formacione garuese mua më duket se njerëzit i shikojnë me shumë indiferentizëm, mosbesim e pesimizëm. Sepse njerëzve nuk ju rezulton ndryshimi i vërtetë. Mund të ketë ndryshim numrash e forcash, por jo ndryshim sistemi. Dy koalicionet e mëdha po bëjnë gjithçka që të maksimizojnë votat, me çdo kusht për interesat e tyre, por jo për interesat e qytetarëve."

Ju u ndalët te dy koalicionet kryesore, por në konkurrim janë dhe dy forca të reja politike të formuara së fundmi, Fryma e Re Demokratike që drejtohet nga ish presidenti Bamir Topi dhe Aleanca Kuq e Zi që drejtohet nga Kreshnik Spahiu. Si e shikoni performancën e tyre deri më tani?

Fatos Lubonja: "Në mendimin tim loja e tyre e deritanishme është zhgënjyese. Pse e them këtë? Sepse tani pas rreth dy dekadave tranzicion, kur dy forcat tradicionale PD dhe PS janë konsumuar, madje kompromentuar me sjelljen e tyre, unë kam pritur se këto dy parti të reja politike do të ishin si alternativa ndaj kastave të konsumuara politike. Që këto dy parti të reja t'i qëndronin fort në opozicion kastës së vjetër së konsumuar. Por me sa shikoj kritikat e tyre janë të zbehta, rutinore dhe më keq akoma, nga këto forca të reja është pritur deri në momentin e fundit ndonjë pazar koalicioni, që të jenë si të thuash satelite me kushte, gjë që e ul kreditin e tyre në opinion. Mua më duken më shumë si zgjatime të kastës së vjetër që bëjnë më shumë demagogji. Le ta themi se ato nuk është se kanë ngjallur ndonjë optimizëm në opinion. Por gjithësesi të shohim se çfarë do të ndodhë me to pas 23 qershorit."

Përgatitjet e zgjedhjeve po ecin, por ama në mënyrë të pazakontë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve diskuton dhe voton vendime e procedura vetëm me katër anëtarët që janë propozuar nga mazhoranca. Si e vlerësoni ju këtë aspekt?

Fatos Lubonja: "Më shumë se tek KQZ-ja problemi është tek klima e acaruar dhe e polarizuar politike, tek klima mosbesuese që ekziston. Kemi tamam një sjellje bandokracie, që nuk pranon asgjë në mes, që nuk pranon dhe nuk dëshiron asnjë arbitër të paanshëm me legjitimitet. Ndaj nuk pranohet një KQZ e pavarur. Formula ligjore për ndërtimin e KQZ-së është bërë e tillë që i forti të kontrollojë gjithçka. Paradoksi është se anëtarët e KQZ betohen se do të jenë besnikë të kushtetutës e ligjit zgjedhor, në fakt ata trajtohen si marioneta politike, si vegla partiake. Pra, në funksion të bandokracisë. Ajo që po ndodh me KQZ-në është treguesi më i qartë se sa vështirë është në Shqipëri të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Me KQZ-në PD shkeli ligjin me zevëndësimin e një anëtari dhe tashmë procesi i funksionimit të tij është në kolaps. Mosfunksionimin normal të KQZ-së e shikoj si preludin e rrezikimit të zgjedhjeve që mund të ketë pasoja të paparashikueshme. Ndaj kjo çështje duhet të zgjidhet për t'a futur procesin në besueshmëri."

Prej javësh vihet re një angazhim i afërt i ndërkombëtarëve në skenën e acaruar politike shqiptare. Diplomatë të akredituar në Tiranë, zyrtarë të Brukselit, Washingtonit, qeverive dhe institucioneve të ndryshme përpiqen të jenë aktivë me deklarata publike apo mesazhe në kanale të tjera. Si e konsideroni rolin tyre në këtë situatë?

Fatos Lubonja: "Në një vend si Shqipëria faktori ndërkombëtar ka kufizime. Shikoni, faktori ndërkombëtar për fat të keq ende shikohet në vendin tonë si i vetmi arbitër, i vetmi legjitimues në lojën që bëjnë partitë politike. Kjo është një nga shënjat e mungesës së demokracisë në vend. Po ti kthehemi rastit të KQZ-së, kur ndodhi ai zëvëndësimi i anëtarit me procedura antiligjore duhej të kishte reagim qytetar. Por në fakt asgjë nuk ndodhi. Gjithçka pritej nga thëniet e ndonjë ambasadori të huaj, nga deklaratet e institucioneve dhe zyrtarëve të tjerë përendimorë. Faktikisht këta nuk kanë shumë fuqi, sepse nuk mund të ndërrojnë qeveri, nuk mund të ndërrojnë kryetarë partie, nuk mund të ulen në parlament dhe të diskutojnë e miratojnë ligje, të japin rezultate zgjedhore etj., etj.. Ky është kufizimi i ndërkombëtarëve në ndikimin e tyre. Politikanët shqiptarë duket se njohin mirë këtë "pafuqi" të ndërkombëtarëve dhe në shumë raste sillen sikur "ja kanë pirë lëngun". Megjithatë ndërkombëtarët i shfrytëzojnë hapësirat e tyre, bëjnë vlerësime të balancuara, qortojnë, ndërhyjnë me kujdes kur gjërat ngecin ose shikojnë prapaktheu, bëjnë dhe presion sa mundin. Ama thelbësore është që vetë shqiptarët duhet të jenë aktorët kryesorë në zgjidhjen e problemeve të tyre. Kjo arrihet me një demokraci funksionale, kur institucionet janë të pavarura, kur garantohet ndarja e pushteteve. Por faktikisht ne jemi ende larg përmbushjes së këtyre standardeve."

Intervistën e zhvilloi: Arben Muka

Redaktoi: Esat Ahmeti