1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Lubjana së shpejti me xhami

Diskutimet për ndërtimin e një xhamie me minare kanë filluar qysh në vitet 70-të. Falë angazhimit të kryebashkiakut të ri, edhe kryeqyteti slloven do të ketë së shpejti një xhami

default

Lubjana


Lubjana do të bëhet me xhami dhe madje administrata e qytetit i ka vënë në dispozicion bashkësisë islamike një copë tokë të posaçme në qendër. Planet e mëparshme ishin që xhamia, për ndërtimin e së cilës po diskutohet këtu e 30 vjet, të ndërtohej në periferi të kryeqytetit slloven. “Për krijimin e shtetit të ri slloven kanë ndihmuar edhe sllovenët e fesë islamike. Të gjithë besimtarët e tjerë e kanë faltoren e tyre, prandaj edhe myslimanët duhet ta kenë një", thotë Zoran Jankoviç, kryebashkiaku i Lubjanës.
Me ardhjen e ish-biznesmenit në pushtet ka ndryshuar qëndrimi ndaj myslimanëve. Deri para tri vjetësh planet për ndërtimin e xhamisë janë kritikuar nga të gjitha anët. Ndërsa sot askush nuk flet më për këtë çështje, thotë zëdhënësi i komunitetit të besimtarëve myslimanë, Nevzet Poriç. “Ideja për ndërtimin e xhamisë në Lubjanë atëherë erdhi në momentin e gabuar. Ishte menjëherë pas 11 shtatorit dhe të gjithë ishin kundër. Atëherë ishte një kohë shumë e keqe për myslimanë. Sot gjithçka është ndryshe dhe problemi i xhamisë thuajse është zgjidhur." Në Slloveni jetojnë rreth 50 mijë myslimanë, që do të thotë 2,3 përqind e popullsisë. Pjesa më e madhe e tyre janë familjet e tre brezave të emigrantëve ekonomkë nga Bosnja-Hercegovina. Shumë prej tyre janë sot sipërmarrës të suksesshëm. Komuniteti mysliman shpreson që ata tani të japin kontributin financiar në ndërtimin e xhamisë. Fillimisht duhet të blihet toka prej 12.000 metra katrorësh me një çmim prej 5 milionë Euro. Bashkësia myslimane më pas do ta hapë një konkurs për ndërtimin e kësaj Qendre Kulturore. Krahas xhamisë, është planifikuar të hapet edhe një shkollë për mësimin e kuranit. Zoran Jankoviç ka vënë vetëm një parakusht: “Xhamia të shkojë me pamjen e një qyteti evropian!"
Ende nuk është e qartë se çfarë nënkuptohet me këtë, por bashkësia myslimane është e gatshme për kompromis. Ajo ka besim në politikën liberale të bashkiakut. Por, ka edhe disa aspekte të tjera që e ndihmojnë ndërtimin e xhamisë: Sllovenia është aktualisht kryetare radhës e Bashkimit Evropian dhe e ka shpallur vitin 2008 vitin e dialogut ndërkulturor. Zëdhënësi i komunitetit mysliman, Nevzet Poriç: “Sllovenia nuk mund të thotë në njërën anë se është për dialog, e në anën tjetër të lërë mbas dore një pjesë të rëndësishme të shoqërisë duke penguar ndërtimin e xhamisë." Kryetari i bashkisë së qytetit, Zoran Jankoviç, thotë se vendimi për ndërtimin e xhamisë nuk ka të bëjë me kryesinë sllovene të radhës: “Ky është një vendim i qytetit të Lubjanës dhe jo i qeverisë sllovene. Ai u prezantua qysh vitin e shkuar dhe tani jemi në fazën e realizimit. Lubjana është një qytet tolerant dhe i hapur, që kujdeset për të gjitha pakicat dhe etnitë", thotë Jankoviç. Sidoqoftë, komuniteti mysliman është tani i kënaqur me situatën. Tani ai vetëm po pret që terreni të nxirret në shitje, në mënyrë që nga fillimi i vitit të ardhshëm edhe 50 mijë myslimanët e Sllovenisë të kenë një xhami ku të falen.
  • Data 29.01.2008
  • Autor Emir Numanovic
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CyyH
  • Data 29.01.2008
  • Autor Emir Numanovic
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CyyH