1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

LSI i jep bekimin Ilir Metës - Socialistët paralajmërojnë mosnjohjen e rezultatit

Konventa Kombëtare e LSI, në një takim të jashtëzakonshëm mbrëmë në Tirane i dha mandatin liderit të saj, Ilir Metës, të fillojë negociatat me Berishën për formimin e qeverisë së re.

Postera zgjedhorë, 2009

Postera zgjedhorë, 2009

Rruga e LSI për të bashkëqeverisur me të djathtën, fitimtare të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, është e hapur dhe e miratuar nga Forumi i saj më i lartë, Konventa Kombëtare. Në një takim të jashtëzakonshëm të saj, të zhvilluar mbrëmë në Tiranë ajo i hapi mbrëmë dritën e gjelbër Ilir Metës, kreut të LSI, të fillojë negociatat me Berishën, kreun e e PD për formimin e qeverisë së re.

Miratimi i mbrëmshëm vjen pas pranimit të shtunën e kaluar, më 4 korrik , nga Ilir Meta të ftesës së Berishës, për të marrë pjesë në qeveri. Në fjalën e tij, mbrëmë para qindra anëtarëve të Konventës Kombëtare të LSI, Ilir Meta e konsideroi bashkëqeverisjen me të djathtën, të vetmen alternativë pozitive. "Koalicioni më i frutshëm, që mund të jetë për demokracinë dhe qeverisjen në vend është pikërisht koalicioni PD- LSI, sepse garanton një qeverisje të qëndrueshme dhe një opozitë të fuqishme si ajo e PS," tha mbrëmë kreu i lSI , Ilir Meta.

Është fjala për një opozitë prej 65 deputetësh, të paktën deri tani, në raport me 4 deputetët e LSI, që në opozitë nuk do të kishin atë rol që marrin duke u bërë pjesë e qeverisë. "Një koalicion PD- PS, pa asnjë diskutim do të asfiksonte opozitën, sepse do ta bënte jo funksionale një opozitë me 4 mandate ne Kuvendin e Shqipërisë," theksoi mbrëmë Ilir Meta.

,Integrimi i Shqipërisë në BE, prioritet ky i përbashkët i programeve politike të PD dhe LSI, ishte një argument tjetër që Ilir Meta i paraqiti Konventës Kombëtare. "Bashkëqeverisja me PD, është rruga e integrimiot europian dhe liberalizimit të vizave gjatë këtij mandati katër vjeçar dhe jo rruga e izolimit të Shqipërisë, "tha Ilir Meta.

Daljen nga skema tradicionale të një qeverie vetëm të djathtë ose vetëm të majtë, ai e ka konsideruar si një shans historik për LSI, për të sjellë një frymë të re në politikën e Tiranës, një risi që ecën drejt politikës europiane. Ilir Meta tha se koalicioni qeverisës PD- LSI i shërben edhe "vendosjes së një kulture të re politike të qeverisjes larg ekstremiteteve."

Por argumentat e mësipërme të Ilir Metës, nuk ndryshuan qëndrimin kundër të disa eksponentëve të LSI, që mbetën në minorancë përballë shumicës që i dha mandatin Ilir Metës të nisë negociatat me Berishën për formimn e qeverisë së re. Pëllumb Xhufi, anëtar i kryesisë e quajti të nxituar vendimin për të qeverisur me Berishën. Kontributi për i LSI -së për të miratuar disa projektligje të rëndësishme, duke mos u bërë pjesë e qeverisë do të ishte një kontribut më i vlefshëm për vendin.

Kur ngjarjet po precipitojnë drejt formimit të qeverisë së re, PS paralajmëron se nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve dhe do të bojkotojë institucionet e dala prej tyre. Shkak për këtë paralajmërim ekstrem është bërë hedhja poshtë nga KQZ i kërkesës së PS, për të numëruar 9 kutitë e qarkut te Fierit. Socialistët janë të bindur se në ato kuti janë votat që u japin atyre deputetin e 9- të në këtë qark. Gramoz Ruçi, president i Asmblesë Kombëtare të PS i bëri dje thirrje liderit të PD dhe kryeministër, Sali Berisha, "të heqë dorë përfundimisht dhe njëherë e mirë nga cënimi i votës së shqiptarëve, duke u nisur nga vota dhe rezultatet e votimit në qarkun e Fierit. Në rast të kundër do të mbajë mbi vete gjithë përgjegjësinë e delegjitimitetit të mosnjohjes së rezultatit të zgjedhjeve dhe të gjitha institucioneve të dala prej tyre."

Deklaratat e Gamoz Rucit rrezikojnë të rikthejnë vendin në kohën e bojkpoteve dhe paralizës parlamentare. Por, para se kjo të ndodhë do të jetë KQZ dhe Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatë së Apelit që do t´i gjykojnë ankesat e PS dhe pretendimet e saj për vjedhje mandatesh nga PD.

Autor : Ani Ruci
Redaktoi : Aida Cama



  • Data 08.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IjW7
  • Data 08.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IjW7