1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Lokalizohet vendi i avionit të rëzuar të Air-France - Nxirren viktimat e para

Marina braziliane gjashtë ditë pas rëzimit të avionit të Air-France ka nxjerrë 17 kufoma nga Atlantiku. Për të kërkuar "Black Box" pritet të mbërrijnë ekipe nga Franca dhe nga SHBA-ja.

default

Gjashtë ditë pas rëzimit të një avioni Airbus të shoqërisë ajrore Air-France, marina braziliane ka nxjerrë deri tani nga Atlantiku 17 kufoma, sende të ndryshme dhe pjesë të avionit. Zëdhënësi i aviacionit ushtarak brazilian, Coronel Jorge Amaral, konfirmoi gjetjen e trupave të dy burrave: „Më e rëndësishmja është, që ne mundëm të shmangin frikën nga enigma që kishin të afërmit e viktimave, të cilët nuk kishin deri tani asnjë informacion. Ndonëse ky është një lajm tragjik, në një farë mënyre këto të dhëna shërbejnë edhe si një ngushëllim ndaj frikës nga një fund enigmatik."


Të paktën tani është lokalizuar vendi i rëzimit të avionit, që ndodhet rreth 900 km përpara brigjeve të ishullit brazilian Fernando de Noronha, prej nga dhe është marrë sinjali i fundit i radarëve nga avioni. Lidhur me identitetin e kufomave nuk ka asnjë të dhënë, ato ashtu si të gjitha gjetjet e tjera do t' i nënshtrohen hetimeve në kryeqytetin e provincës Recife. Për gjetjen e avionit të rëzuar janë vënë në përdorim avionë dhe anije, që sipas të dhënave të zëdhënësit ushtarak Coronel Henry Munhoz, do të vazhdojnë punën me intensitet: „Ne duam të theksojmë, se gjatë ditëve të ardhëshme do të vazhdojmë të njëjtat aksione. Së pari do të vazhdojnë fluturimet e avionëve kërkues, që kërkojnë në mënyrë elektronike pikat e oqeanit. Përveç kësaj ne do të vazhdojmë aksionin e kërkimit me avionë të tjerë. Më pas do të vihen në veprim anijet e marinës për nxjerrjen e gërmadhës së avionit të rëzuar. Kësisoj ne 24 orë në ditë do të punojmë, duke pasur si prioritet nxjerrjen e viktimave. “


Se sa nga 228 pasagjerët mund të nxirren është e paqartë. Pjesa më e madhe e gërmadhës mendohet të jetë në thellësinë mbi 3000 metra. Të shtunën (6.6.) mjekët në Rio morrën provat e ADN-së nga të afërmit e pasagjerëve për të mundësuar identifikimin. Të dhëna lidhur me gjendjen e viktimave autoritetet braziliane do t' u japin vetëm të afërmve personalisht. Duket se shanset për të gjetur regjistruesin e avionit janë jashtëzakonisht të pakta: „Këkrimi i Black Box nuk është kompetencë e këtij aksioni. Operacioni ynë ka për detyrë të kërkojë të mbijetuar, kufoma dhe pjesë të avionit. Ky është rendi i prioriteteve.“


Mundësia e gjetjes së të mbijetuarve është në fakt thuajse e përjashtuar. Një anije studimore franceze me aparatura zhytjeje, që mund të arrijnë deri në thellësinë 6.000 metra është nisur drejt vendit të fatkeqësisë. Sinjalet e fundit të Airbus-it përpara rëzimit, dëshmojnë, se në bord ka pasur probleme të mëdha teknike. Ndër të tjera mendohet të kenë dalë jashtë funksionimit sensorët e shpejtësisë, që me rekomandimin urgjent të prodhuesit duhet të ishin ndërruar përpara disa muajsh.

Autor: Gottfried Stein / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi

  • Data 08.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I5Du
  • Data 08.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I5Du