1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lojrat e fuqive të mëdha në politikën ndaj Kosovës dhe Gjeorgjisë

9 Shtator 2010

Gjykata e OKB-së e shpalli legjitime pavarësinë e Kosovës, duke intensifikuar debatin mbi sovranitetin dhe vetëvendosjen. Por konflikti në Gjeorgji tregoi se fatin e kombeve e vendosin fuqitë e mëdha, jo gjykatat.

https://p.dw.com/p/P7o9
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), vlerësoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës prej Serbisë është legjitime.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), vlerësoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës prej Serbisë është legjitime.Fotografi: AP

Këtë verë u intensifikua debati lidhur me fatin e shteteve de-facto. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), e cila zgjidh mosmarrëveshjet midis kombeve, vlerësoi në korrik se shpallja e pavarësisë së Kosovës prej Serbisë është legjitime.

Të enjten (09.09.2010) Asambleja e Përgjithshme e OKB-së debaton lidhur me këtë çështje. Vlerësimi i GJND-së erdhi në një kohë, që zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë po vizitonin rajonet e shkëputura të Gjerogjisë. Sekretarja amerikane e Shtetit për Politikën e Jashtme, Hillary Clinton u shpreh në mbështetje të sovranitetit territorial të Gjeorgjisë duke e quajtur pushtim praninë ushtarake të Rusisë në rajon.

Javë më vonë, presidenti rus Dmitri Medvedev premtoi të shtojë ndihmën financiare për republikat e vogla të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, të cilat dy vjet më parë me mbështetjen ushtarake të Rusisë siguruan de-facto pavarësinë nga Gjeorgjia. Edhe pse Abkhazia dhe Osetia e Jugut e përshëndesin vendimin e GJND-së si konfirmim të aspiratave të tyre për pavarësi, e vërteta e kësaj çështjeje është se një vendim i balancuar nga një gjykatë me reputacion ka shumë pak vlerë në një botë arbitrare.

Slobodan Milosevic
Slobodan MilosevicFotografi: AP

Komb-shtetet mbeten brenda vorbullës që filozofi anglez Thomas Hobbes e ka quajtur si „një botë ku të gjithë janë kundër të gjithëve", ku fuqitë e mëdha vendosin për gjithçka. Dhe në këtë çrregullim, shpata mbetet më e fuqishme se pena.


Parimet e rendit global

Pjesën më të madhe të kohës gjatë shekullit të 20, disiplina ideologjike e Luftës së Ftohtë i mbajti me forcë të mbuluara nacionalizmat etnike. Byrotë politike në Moskë dhe në Beograd me xhelozi e kanë ruajtur integritetin e tyre territorial në kurriz të vetëvendosjes, duke i bindur - ose duke i detyruar - nacionalistët të tërhiqen prej aspiratave të tyre të pavarësisë duke u premtuar në këmbim një utopi multientike komuniste. Por ky premtim nuk u bë kurrë realitet. Regjimet komuniste pësuan kolaps dhe shumë grupe etnike të neglizhuara historikisht intensifikuan përpjekjet e tyre me një premtim të ri të bazuar mbi një tjetër parim: atë të pavarësisë.

Në Ballkan, Jugosllavia u përfshi në një cikël dhune që çoi së fundi në shpërbërjen e shtetit heterogjen në njësira të vogla etnike. Kjo luftë rajonale u kthye në një krizë ndërkombëtare në vitin 1999, pasi dështuan bisedimet mes Perëndimit, Rusisë dhe Serbisë. Si rezultat, aleatët e NATO-s nisën luftën nga ajri kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit për t'u dhënë fund shkeljeve të të drejtave të njeriut të shqiptarëve etnikë në Kosovë. Në fund NATO bombardoi dhe misioni i mëvonshëm paqeruajtës e futi Kosovën në rrugën drejt pavarësisë, që u shpall në shkurtin e vitit 2008 me mbështetjen e Perëndimit.

Në Kaukazin e Jugut, Gjeorgjia fitoi pavarësinë e saj pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Menjëherë pas kësaj Gjeorgjia u bë e pavarur, Abkhazia dhe Osetia e Jugut kërkuan të ishin shtete të pavarura, çka çoi në konfrontime të përgjakshme etnike. Tensionet u shkallëzuan në konflikt gushtin e 2008-ës kur Gjeorgjia u përpoq të vendosë kontrollin ndaj republikave që synonin shkëptujen. Rusia ndërhyri, duke njohur zyrtarisht pavarësinë e Abkhazisë dhe të Osetisë së Jugut. Ndërhyrja e Moskës ndodhi vetëm gjashtë muaj pasi Kosova kishte shpallur pavarësinë e saj.

Presidenti amerikan Barack Obama dhe ai rus, Dmitri Medvedev, Pragë 10 mars 2010
Presidenti amerikan Barack Obama dhe ai rus, Dmitri Medvedev, Pragë 10 mars 2010Fotografi: AP

Impakti i vendimit të GJND-së lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 është bërë më shumë një çështje perceptimi se sa një e vërtetë objektive. Perëndimi, po ashtu edhe Gjeorgjia e konsiderojnë Kosovën si një rast të pazakontë. Regjimi i Sllobodan Millosheviçit ndërmorri fushatë të spastrimit etnik kundër shqiptarëve të Kosovës, duke sakrifikuar çdo pretendim legjitim që Serbia mund të kishte për qeverisjen e Kosovës. Por Rusia, Abkazia dhe Osetia e Jugut e konsiderojnë Kosovën si një rast precedent. „Shtetet [Gjeorgjia] e dëmtuara territorialisht e shohin Kosovën si një rast të veçantë," thotë për Deutsche Welle-n Uwe Halbach, ekspert për Kaukazin pranë Institutit gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë. „Nga ana e shteteve de-facto [Abkhazia, Osetia e Jugut] vazhdimisht theksohet, se vendimi për shpalljen e pavarësisë nxjerr në pah të drejtën e vetëvendosjes kundrejt sovranitetit territorial."

Parimet bazohen tek qëndrueshmëria. Megjithatë, pozicionet përkatëse të Rusisë dhe të SHBA-së duket se bazohen më shumë tek axhendat e tyre politike se sa tek besimi për vetëvendosje dhe sovranitet shtetëror të sanksionuara në të drejtën ndërkombëtare. SHBA-ja mund ta mbështesë pavarësinë në Kosovë ndërkohë që është kundër pavarësisë në Abkhazi dhe në Osetinë e Jugut. Ndërsa Rusia mund ta mbështesë pavarësinë në Abkhazi dhe në Osetinë e Jugut, duke qenë kundër pavarësisë së Kosovës.

„E drejta ndërkombëtare në vetvete është indiferente", thotë Halbach. „Edrejta ndërkombëtare nuk mbështet secesionin, por ajo as nuk është kundër tij. Tek e fundit vendimtare është politika."

Politika e fuqive të mëdha

Përgjatë konfliktit në Kosovë Rusia e pa veten si gardiani historik i interesave serbe kundër një Perëndimi ekspansionist. Sidoqoftë , kur NATO mobilizoi ushtrinë e saj kundër Beogradit, Rusia kishte shumë pak hapësirë për të bllokuar një shkëputje të Kosovës nga Serbia të mbështetur nga Perëndimi. Moska u ndje e anashkaluar dhe e pa marrë seriozisht si fuqi e madhe. Kështu pas deklarimit të pavarësissë nga Kosova në vitin 2008, Rusia e adoptoi rastin si një precedent duke e aplikuar atë në Gjeorgji nën preteksin e rujatjes së stabilitetit në Kaukazin Jugor, ashtu siç kishte bërë Perëndimi në Kosovë 10 vjet më parë.

Gjeorgjët protestojnë kundër Rusisë
Gjeorgjianët protestojnë kundër RusisëFotografi: AP

Nga perspektiva e Rusisë ata do t´ju thonë ju se pozicioni i tyre nuk është kontradiktor. Alexandros Petersen, një ekspert për politikën Euroaziatike, pranë Këshillit Atllantik, i tha Deutsche Welle-s "Fillimisht ata thonin se Kosova nuk duhet të jetë e pavarur. Ata gjithashtu thonin fillimisht se as Abkazia nuk duhet të jetë e pavarur. Ata e mbështetën pavarësinë e Gjeorgjisë pas shpërbërjes së BRSS deri në shpërthimin e konfliktit të vitit 2008. Ata do t´ju thonë ju se pozicioni i tyre ka ndryshuar kur edhe ndryshoi pozicioni i Perëndimit përkundrejt Kosovës" Ndërsa rusët mundohen ta krahasojnë rolin e tyre në Kaukaz me atë të Perëndimit në Ballkan, Petersen bën një dallim mes pozisioneve të dy fuqive. "Interesi i tyre (Perëndimit) është stabiliteti në Ballkan," tha ai, "Interesi i Rusisë është përsëritja e një destabilizimi të përhershëm. Një destabilizim që ata mund ta përdorin për t´i bërë presion Tibilisit dhe rajonit (Kaukazit) në tërësi. Ky rajon është një pikë kyçe në tregëtinë trans Euroaziatike." Rusia e shikon veten si pasuesen legjitime të Bashkimit Sovjetik, dhe të pasktën në sytë e Moskës ata janë fuqia më e madhe të paktën për vendet pranë tyre. Moska ka interesa të vërteta sigurie në rajon.

"Ka një ndryshim mes pozicionit zyrtar dhe interesave objective" Sergey Markedonov një bursist i programit Rus dhe Euroaziatik në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, i tha Deutsche Welle-s: "Rusia si një vend që ka shtatë rajone në Kaukaz është e interesuar për stabilitet në këtë rajon. Stabiliteti në Kaukazin e Jugut do të ketë një influencë direkte në çështjet e sigurisë së brendshme në Rusi."

Shpata apo pena?

Qëkurse Bashkimi Sovjetik pësoi kolapsin dhe morri fund Lufta e Ftohtë, bashkësia globale ende nuk ka gjetur një marrëveshje lidhur me sistemin e zgjidhjes së konflikteve midis kombeve. Në vend të kësaj fuqi unilaterale gjithnjë e më shumë po përdorin instrumentin, pëmes të cilit fuqitë e mëdha i avancojnë interesat e tyre shpesh herë në kurriz të shteteve të vogla.

"Problemi më i madh për rendin ndërkombëtar është mungesa e standardeve të përbashkëta midis aktorëve kyç," thotë Markedonov. "SHBA në të njëjtën kohë mbështet sovranitetin territorial të Gjeorgjisë si dhe pavarësinë e Kosovës. Sjellja e Rusisë është pasqyrë e kësaj. Nuk ka standarde të përbashkëta. Unilateralzimi vendos axhendën ndërkombëtare."

Në një botë, në të cilën aktorët ndërkombëtarë nuk mund të bien dakord për parimet e rendit botëror, një vendim i Gjaktës Ndërkombëtare vetëm sa e shton pak pëshpërimën e civilizimit në përleshjet e xhunglës ndërkombëtare.

Palët e interesuara - SHBA, Rusia, Serbia, Kosova, Gjeorgjia, Abkazia dhe Osetia e Jugut - e kanë manipuluar vendimin e GJND-së për politikat tyre, në vend që të përfitojnë nga ky rast për të gjetur standarde të përbashkëta që i mungojnë botës.

Mësimi i madh është se, përkundër asaj që mendonim, ne nuk e kemi kapërcyer të kaluarën kur fuqitë e mëdha përzihen dhe ndërhyjnë, kur fuqitë e mëdha vendosin për vijat kufitare", tha Petersen. "Ajo që duhet theksuar është se në të dyja rastet janë fuqitë e mëdha me interesat gjeopolitike që përcaktojnë fatin e këtyre vendeve"

Autor: Spencer Kimball / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Aida Cama