1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Loja në pritje e politikës italiane

Një grup ekspertësh duhet të bëjë propozime për kapërcimin e krizës paralizuese. Por, partitë nuk tregojnë gatishmëri për kompromis. Përveç kësaj mandatit të presidentit po i vjen fundi.

default

Loja në pritje e politikës italiane

Ndërkohë që kriza e Qipros është vënë nën kontroll, sipas mendimit të BE-së, është duke rrezikuar shpërthimi menjëherë i një krize tjetër. Përpjekjet për krijimin e qeverisë në Itali, pas zgjedhjeve të mesit të shkurtit kanë çuar në një situatë vendnumëro. Aktualisht kabineti i kryeministrit Mario Monti do të qëndrojë në pushtet. Por kjo është një qeveri në pritje për t'u larguar.

Çdo ditë Bashkimi Evropian dhe tregjet financiare ndërkombëtare ndjekin me nervozitet, se sa pa orientim duket vendi i BE-së i mbytur në borxhe, si përhapet vakuumi politik dhe si vazhdon të bjerë ekonomia. Presidenti Giorgio Napolitano, thirri në këto kushte një komision ekspertësh, në të cilin marrin pjesë deputetë nga të gjitha partitë e mëdha, profesorë si dhe përfaqëses të bankave më të mëdha. Komisioni duhet të gjejë rrugëdalje nga kriza politike dhe ekonomike. Komisioni nisi nga puna qysh të martën (02.04.2013).

Giovanni M. Del Re

Giovanni M. Del Re

Propozimet kanë vlerë vetëm në letër

Komisioni i ekspertëve, të cilin Napolitano e ka quajtur "Dhjetë të mençurit" është ndarë në dy grupe pune. Një grup është përqëndruar në reformat politiko- instutucionale, mes të cilave edhe ligji për zgjedhjet. Grupi i dytë punon për masat ekonomike dhe sociale. Propozimet e para priten pas një jave.

Nga ekspertët nuk mund të pritet shumë, thotë gazetari italian Giovanni Del Re. "Ata do të shkruajnë një raport të bukur, në të cilin do të thuhet se Italia duhet reformuar. Dhe kaq, sepse partitë vazhdojnë të mos jenë të gatshme të kooperojnë me njëra- tjetrën", thotë korrespondenti i BE-së për gazetën iraliane "Avvenire". Për më tepër "Dhjetë të mençurit "nuk marrin vendime, por vetëm japin këshilla dhe analiza. Por sa kohë politika është e bllokuar, propozimet do të kenë vlerë vetëm në letër, në atë letër në të cilën janë shkruar, mendojnë mediat italiane.

Mario Monti Italien Parlament Resignation

Mario Monti

Kundërshtime vijnë edhe nga partitë. Pas vlerësimeve të para janë duke u shtuar kritikat ndaj masave që propozohen. Aleanca e qendrës së djathtë rreth Silvio Berluskonit e quan punën e ekspertëve si humbje kohe dhe kërkon zgjedhje të reja. Por zgjedhjet do të ishin një vendim i gabuar mendon Del Re. "Me ligjin aktual të zgjedhjeve do të kishim të njëjtin kaos si aktualisht." Asnjë parti nuk do të merrte shumicën në Senat dhe gjithçka do të fillonte nga e para. "Ne duhet të paktën të ndryshojmë ligjin elektoral," kërkon Del Re, "përndryshe nuk vazhdohet kështu dhe situata mund të bëhet shumë e rrezikshme për euron."

Në këtë kaos pritet edhe një ndryshim në majat politike. Presidenti Napolitano, një nga politikanët e paktë italianë, që ka seriozitet dhe është konstant, do të largohet më 15 maj nga posti. Prandaj hapësira e tij për përballimin e krizës është shumë e kufizuar. "Ai është duke e shfrytëzuar kohën e mbetur për përmirësimin e atmosferës. Nuk pritet që të ai të gjejë zgjidhjen e madhe," thotë Del Re.

Giorgio Napolitano am 22.03.2013

Giorgio Napolitano

Një në tre të rinj i papunë

Zgjidhja është e domosdoshme, sepse ekonomia e goditur nga kriza ka nëvojë për stabilitet politik dhe reforma në mënyrë që të vijë sërish në hov rritjeje. Pesë vitet e fundit prodhimi industrial në vend ka rënë me një të katërtën. Kuota e papunësisë është 11 përqind. Një në tre të rinj nën 25 vjeç është pa punë. Specialistët mendojnë se niveli i aktivitetit ekonomik të Italisë do të vazhdojë të bjerë. Interesat e larta për borxhet e mëdha dhe borxhet e reja do ta vështirësojnë edhe më shumë gjendjen e vendit.

Duket se së shpejti Italia do të ketë nevojë për ndihmat e BE-së. Por kombi i tretë ekonomik i Evropës është shumë i madh për të kërkuar paketë shpëtimi. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, Italia ka zëvendësuar Spanjën si zona më e madhe problematike e grupit të Euros. Italia, si vend eksporti mund të vazhdojë deri në njëfarë mase të përballojë konkurencën ndërkombëtare. Edhe sepse në Itali nuk ka krizë imobiljesh si në Spanjë, Irlandë dhe Greqi. Po ashtu, sistemi bankar është në gjendje më të mirë se në Spanjë dhe Greqi.