1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Loja e rrezikshme e Poroshenkos për pushtet

Fillimisht u shpërbë koalicioni, pastaj dha dorëheqjen kryeministri. Megjithë vazhdimin e luftimeve me separatistët, Presidenti ukrainas Poroshenko i lejon vetes një luftë për pushtet.

"Një luftë politike", "një thikë pas shpine", "kaos në administrimin e shtetit". Grupi parlamentar i partisë "Batkivshtshina" (Atdheu), më i madhi në parlamentin e Ukrainës, reagoi të premten (25.07.2014) me fjalë të forta ndaj zhvillimeve të fundit politike në Kiev. Pas rreth pesë muajsh në detyrë, të enjten u shpërbë koalicioni qeveritar. Ai ishte formuar në fund të shkurtit, pasi protestat e opozitës detyruan të largohej ish Presidenti Viktor Janukovic.

Zgjedhje të reja në tetor

Shkak për krizën ishte vendimi i dy grupeve parlamentare, për t'u larguar nga koalicioni: partia UDAR e kryebashkiakut të Kievit dhe kampionit botëror në boks Vitali Klicko dhe parti populiste e djathtë "Svoboda" (Liria). Vec kësaj nga koalicioni u larguan edhe rreth 30 deputetë të tjerë, ndër të cilët nëntë të partisë "Batkivshtshina". Më parë Parlamenti kishte refuzuar të miratonte shkurtimet në buxhetin e shtetit. Kursimet duhej të shërbenin për financimin e ushtrisë. Për këtë arsye nga 1 gushti nuk ka para për ushtarët që luftojnë kundër separatistëve prorusë në Lindje të Ukrainës, tha ministri i Financave Olexander Shlapak.

EU Ukraine Ministerpräsident Arseni Jazenjuk in Brüssel

Kryeministri i Ukrainës Arsenij Jazenjuk

Kryeministri Arsenij Jezenjuk paraqiti në të njëjtën ditë dorëheqjen. Se kush mbetet tani kryetar qeverie, është e paqartë. Parlamenti ka ndërprerë punimet deri në mes të gushtit pa votuar për dorëheqjen e Jazenjukut. Formalisht 40 vjecari mbetet kryeministër. Por i ngarkuar me drejtimin e punëve të qeverisë duket se është zëvendësi i tij, Volodimir Hrojsman. Ai vlerësohet si njeri i besuar i Presidentit Poroshenko.

Në këtë sfond Ukraina pregatitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nëse brenda 30 ditësh nuk do të ndërtohet një koalicion i ri, Presidenti Poroshenko mund të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Si ditë e mundshme për zgjedhjet është në diskutim 26 tetori.

Asnjë e papritur e madhe

Për njerëzit në Ukrainë këto ngjarje nuk janë ndonjë e papritur e madhe. Kërkesat për zgjedhje të reja janë bërë gjithnjë e më të forta javët e fundit. Lëvizja opozitare kërkoi që në dimër një "fillim plotësisht të ri" në politikën ukrainase. Që prej fundit të majit Ukraina ka me Poroshenkon një presidenti të ri, por parlamentin e vjetër. Shumë e cilësojnë këtë një "turp" pasi parlamenti i zgjedhur në vitin 2012 u diskretitua gjatë protestave. Të paharruara janë ligjet e miratuara prej tij në janar, me të cilat Parlamenti kufizonte liritë qytetare.

Edhe Poroshenko premtoi në fushatën e tij elektorale zgjedhje të parakoshme. Në këtë mes kryetari i shtetit ka interesat e tij. Ukraina sipas kushtetutës është një demokraci parlamentare. Kryetari i qeverisë ka më shumë pushtet se presidenti. Poroshenko ishte i varur nga bashkëpunimi me Jazenjukun dhe kështu indirekt me kundërshtaren e tij më të fortë politike, Julia Timoshenko. Sepse Jazenjuk është anëtar i partisë "Batkivshtshina". Edhe kryetari i Parlamentit Olexandr Turcinov është shok partie i Timoshenkos. Ndërsa Poroshenko nuk ka asnjë parti të vetën në Parlament. Aleati i tij më i fortë është partia UDAR e Klickos, e cila me 41 deputetë është shumë më pak e përfaqësuar se "Batkivshtshina" e Timoshenkos.

Poroshenko kërkon të zgjerojë bazën e pushtetit

Ostukraine Armee 12.07.2014

Trupat ukrainase vazhdojnë luftën me separatistët pro-rusë në lindje të vendit

Në një sfond të tillë lufta e pushtetit mes Poroshenkos dhe Jazenjukut ishte e paraprogramuar. Ka qenë mbështetja e Perëndimit për Jazenjukun që e ka penguar këtë deri tani, supozojnë vëzhguesit në Kiev. Qeveria Jazenjuk, e cila përballë probleme në kohën kur mori drejtimin e pati quajtur veten "kamikaze", qendroi në pushtet më gjatë nga sa kishin pritur disa. Ajo arriti ta mbajë relativisht stabile situatën në Ukrainë, edhe me ndihmat miliardëshe nga Perëndimi. Pensionet dhe pagat u paguan, inflacioni mbeti në kufij të pranueshëm me 3,8 për qind. Edhe në luftimet me separatistët ushtria ukrainase arriti disa suksese.

"Poroshenko kërkon zgjedhje të parakohshme për të forcuar bazën e tij parlamentare", beson publicisti gjerman Winfried Schneider-Deters. Eksperti për Ukrainën i konsideron të nevojshme zgjedhjet e reja edhe pse kjo mënyrë të vepruari nuk lë shije të mirë, tha Schneider-Deters për Deutsche Wellen. "Mënyra se si Presidenti Poroshenko manovroi UDAR-in ishte shumë perfide", mendon eksperti.

Presidenti i Ukrainës pritet të përfitojë nga zgjedhjet e reja. Partia e tij "Solidarnist", e cila deri tani ka ekzistuar thuajse vetëm në letër, konsiderohet si një nga favoritet. "Partia e Poroshenkos do të jetë fitimtarja më e madhe", tha për DW edhe politogolu nga Kievi Jaroslav Makitra.

Vonesë në ratifikimin e marrëveshjes me BE

Por loja për pushtet mbart edhe rreziqe. Publicisti me ndikim në Kiev Vitali Portnikov flet për një "krim politik" kur "kryeministri dobësohet në kohë lufte". Kjo rrezikon jo vetëm misionin e ushtrisë në Lindje të Ukrainës por edhe ratifikimin e marrëveshjes së asociimit me BE-në, tha Portnikov në kanalin publik televizi "Hromadske TV". Për shkak të kësaj marrëveshjeje qindra mijëra ukrainas dimrin e kaluar dolën në rrugë, kujton Portnikov kryengritjen në Maidan, sheshin e pavarësisë në Kiev. Nëse ratifikimi nuk bëhet shpejt, Ukraina do të ishte një humbëse.

E paqartë është si do të jetë ndarja e pushtetit në parlamentin e ri. Popullariteti i Timoshenkos ka rënë vërtet, por rikthimi i saj nuk është i përjashtuar. Në këtë rast lufta për pushtet mes Timoshenkos dhe Poroshenkos do të vazhdojë dhe do ta dobësojë Ukrainën.