1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Lojërat politike rreth Marrëveshjes CETA

CETA do të miratohet në parlamentet e vendeve anëtare të BE. Në Bruksel nuk është mirëpritur vendimi që për Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Kanadënë të vendosin parlamentet e vendeve anëtare të BE.

Kjo është goditja më e fuqishme për Komisionin Evropian. Deri para disa ditësh, komisioneri Jean-Claude Juncker tha se Marrëveshja e BE me Kanadanë për tregti të lirë (CETA) ka të bëjë juridikisht vetëm me BE. Ndaj nuk duhet të miratohet nga parlamentet e vendeve anëtare. Ministri gjerman i Ekonomisë Sigmar Gabriel e quajti këtë deklaratë si "budallallëk", sepse ai angazhohet që kjo marrëveshje të ketë karakter të "përzier" - pra që ka të bëjë jo vetëm me BE por edhe me vendet anëtare. Me kërkesën e tij është bërë edhe ekspertiza se kush ka të drejtë në këtë çështje. Për një kohë të gjatë është dukur se Gabrieli nuk do t'ia dalë në këtë garë me Bruskelin.

Reagimet e para 

Pas ndryshimit të kursit në Bruksel, kancelarja gjermane Angela Merkel ishte shumë e relaksuar në reagimin e saj: "Kjo nuk është hera e parë që diskutohet për marrëveshjen e tregtisë së lirë", duke shtuar se as votimet në parlamentet nacionale nuk janë asgjë e re. "Me rëndësi dhe e drejtë është që parlamentet të përfshihen në vendimmarje", theksoi Gabriel në Berlin, i cili vetë Marrëveshjen e quajti të "mirë dhe të rëndësishme". Sipas tij, ajo do të përmirësojë raportet mes BE dhe Kanadasë. Eurodeputetja ekologjiste Ska Keller e ka përshëndetur vendimin për ratifikimin e Marrëveshjes në të gjitha parlamentet. "Ky është një sukses për shoqërinë civile, e cila për vite të tëra po bën presion ndaj presidentëve dhe kryeministrave si dhe ndaj Komisionit Evropian."

Kontestimet

Sfondi i konflikteve rreth detyrave mes BE dhe parlamenteve nacionale gjendet tek Marrëveshja e Lisbonës, e futur në fuqi në vitin 2009. Me këtë marrëveshje janë transferuar shumë obligime të parlamenteve tek BE-ja - si për shembull ato që kanë të bëjnë me investimet. Por zbatimi konkret i Marrëveshjes së Lisbonës ende është kontestues. As për investimet nuk ka ndonjë harmoni mes Komisionit dhe Këshillit të BE. Prandaj një marrëveshje e ngjashme mes BE dhe Singapurit gjendjet para gjykatave evropiane në shqyrëtim. Ndërsa CETA është shpallur si një marrëveshje "e përzier", pas presioneve nga vendet anëtare.

Procedura është e thjeshtë. Së pari Këshilli i BE dhe Parlamenti Evropian duhet të shpallin këtë Marrëveshje "të përzier". Dhe më pas ajo duhet të miratohet nga 42 parlamente. Nëse vetëm një nga këto parlamente nuk e miraton, atëherë CETA do të jetë e vdekur. Rumania dhe Belgjika kanë bërë të ditur se janë kundër. Në Holandë për këtë Marrëveshje duhet të shpallet një referendum. Në Berlin dhe Vjenë ka rezistencë të madhe nga disa parti në pushtet por edhe në opozitë.

Shpresat për një zgjidhje të shpejtë

Kundërshtarët e CETA megjithatë nuk duhet të gëzohen shpejt. Në tetor mbahet samiti i ardhshëm BE-Kanada, ku mund të miratohet ky dokument. Në këtë mënyrë edhe pa miratimin në parlamentet nacionale, marrëveshja mund të parashikojë heqjen e 99 % të doganave. Por nuk mund të realizohen disa pjesë për investimet dhe transportet ujore. Në Berlin nuk mund të thonë me saktësi se sa do të zgjaste ratifikimi i Marrëveshjes. Ndërsa në Bruksel shpresojnë se ratifikimi do të bëhet shpejt. Por pavarësisht se si do të përfunojë kjo, Berlini mund të krenohet me një sukses. Sepse pikërisht pas kritikave në Berlin, kapitulli për investime ka shkuar edhe njëherë në shqyrëtim, megjithë kundërshtimet e mëdha të Kanadasë. Teksti ka ndryshuar dhe tani flitet për standarde më të sakta të mbrojtjes së investimeve.