1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Lojërat e gabuara të Putinit me gazin

"South Stream do ta linte Ukrainën pa përfitime nga taksat, ndërsa Serbia, Bullgaria dhe Hungaria do të ishin më të varura nga Rusia." Shtypi gjerman mbi tërheqjen e Rusisë nga projekti për gazsjellësin South Stream.

"Asnjë vend tjetër nuk i ka plotësuar Rusisë kaq shumë dëshira sa Serbia", shkruan gazeta e njohur gjermane 'Frankfurter Allgemeine Zeitung': "Në vitin 2008, kompanisë ruse Gasprom i janë shitur 51 % të aksioneve të sipërmarrjes serbe të naftës NIS, me një çmim prej 400 milionë euro. Ekpsertët perëndimorë pohonin se vlera e këtyre aksioneve ishte më shumë se 1,1 miliardë euro. Ndërsa ministri i atëhershëm i Ekonomisë Mllagjan Dinkiq fliste për një çmim qesharak të shitjes pa tender! Shitja e NIS-it nën vlerën reale justifikohej me garancitë ruse që Serbia të jetë pjesë e projektit të madh rus South Stream. Serbia i ka dhënë Rusisë madje edhe pjesën më të madhe të shoqërisë së aksioneve në këtë vend. Në vendet e tjera Rusia ishte pjesëmarrëse në raportin 50% me 50 %. Por as kjo nuk ishte e gjitha: për eksplorimin e rezervave serbe të naftës në vlerë prej shtatë miliardë eurosh, Gaspromi duhet të paguante vetëm 3 % të fitimeve. Ish - ministraja e Energjetikës Zorana Mihajloviq flet për çmimet më të ulëta në botë. Në Shqipëri dhe në Kroaci çmimi është 12 %. Beogradi këtë pranverë është përpjekur të përmirësojë kushtet nga këto marrëveshje, por Moska e ka refuzuar në mënyrë shumë të ashpër", shkruan 'Frankfurter Allgemeine Zeitung'. Gazeta nga Frankfurti komenton më tej: "Në të ardhmen me siguri që do të dëshmohet nëse ka qenë e mirë politika e Putinit që të shfrytëzojë gazin dhe naftën si instrument gjeostrategjik. Paraardhësit e tij në Bashkimin Sovjetik kanë qenë më të kujdesshëm. Megjithë konfliktin e ashpër me Perëndimin, komunistët në Kremlin githmonë kanë pasur kujdes që të mos cënojnë marrëveshjet për furnizimin e Evropës. Putini tani ka përjetuar humbjen e parë në këtë fushë (...) Fakti që Putini nuk gjeti mirëkuptimin e qeverisë së re bullgare tregon tani edhe efektet anësore të përçarjeve në Lindje të Evropës“, shkruan 'Frankfurter Allgemeine Zeitung'.

'Eisenacher Nachrichten' shtron petjen: "A thua shefi i Kremlinit ka reaguar me mend? Mbase jo. Para së gjithash monopolisti Gasprom me ndërtimin e gazsjellësit i hyn një rreziku të madh ekonomik.“ Ndërsa 'Landeszeitung' nga Lineburgu pohon: „Ndonëse përfundimi i South Stream do të lerë pasoja të rënda tregtare edhe për Simenes, Winterschal dhe Europipe, tërheqja e Putinit nga projekti duhet të shikohet si fitore e BE-së. Brukseli i ka hequr Kremlinit një armë të fuqishme nga dora, përmes së cilës ai ka dashur ta përçajë Perëndimin dhe vendet e BE-së. Edhe BE-ja e ka kuptuar më në fund se politika e energjisë nuk është e rëndësishme vetëm për të ruajtur mjedisin por edhe për të garantuar sigurinë. Me anulimin e South Stream, pa taksa kanë mbetur Serbia, Bullgaria dhe Hungaria, të cilat do të ishin më të varura nga Rusia. Këtë e ka kuptuar edhe BE-ja dhe ka reaguar menjëherë duke ushtruar presion ndaj këtyre vendeve që të mos përkulen para Moskës.“, komenton 'Landeszeitung'.

Gazeta 'Handelsblat' vëren: „Nëse Moska do të mbetet një partner serioz për evropianët, atëherë Gasprom duhet të shfrytëzojë në tërësi gazsjellësin nëpër Ukrainë. Ose Putini sërish do të akuzojë Ukrainën për vjedhjen e gazit dhe në këtë mënyrë do të shtojë presionin ndaj BE-së. Kjo do të ishte faza më e re në lojërat e Putinit. Por Evropa po përpiqet të gjejë rrugë të tjera alternative për furnizim".