1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Lojë e dyfishtë e Algjerisë apo politikë pragmatike në rastin e Gaddafit?

Qendrimi i ri i Algjerisë në konfliktin në Libi është për disa paradoksal, ndërsa për të tjerët i kuptueshëm në kontekstin historik dhe vetëm një politikë reale pragmatike.

Pamje simbolike: pjesë e hartës Algjeria, Libia.

Këshilli Kalimtar libian shkumëzonte nga inati, pas pranimit nga Algjeria të një pjese të familjes së Gaddafit. Ministri për Informacionin Mahmud Shamman foli për një akt agresioni kundër popullit libian: "Ne do të bëjmë gjithçka për t'i kapur këta kriminelë dhe për t'i dënuar, kudo që të gjenden.“

Franca e pakënaqur me qendrimin e Algjerisë

Nervat janë tejet të tendosura në palën libiane. Shumë prej rebelëve ndihen të tradhëtuar nga Algjeria, druajnë se fqinji i madh në perëndim të vendit, mbështet Gaddafin. Të pakënaqur me qendrimin e Algjerisë ka edhe në mesin e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht Franca.

Ministri i Jashtëm francez Alain Juppé

Ministri i Jashtëm francez Alain Juppé

„Algjeria, nëse shprehemi me kujdes, ka pasur një qendrim me dy fytyra në këtë çështje. Unë kam foluar vetë me presidentin Bouteflika, dhe ai më ka siguruar se Algjeria po jep vetëm ndihmë humanitare. Unë shpresoj që kjo një ditë do të konfirmohet", - u shpreh ministri i Jashtëm francez Alain Juppé.

Ministri i Jashtëm algjerian Mourad Medelci kundërshton. Në konferencën për Libinë në Paris ai bëri të qartë: Algjeria vërtet nuk e ka njohur ende Këshillin Kalimtar libian, dhe në Ligën Arabe ka votuar kundër misionit ushtarak të NATO-s, por ajo kurrë nuk ka mbajtur anën e Gaddafit. Ish pushtetmbajtësit libian nuk do t'i jepet azil në Algjeri.

Ministri i Jashtëm algjerian, Mourad Medelci.

Ministri i Jashtëm algjerian, Mourad Medelci.

„Nëse sot thuhet se ne kemi mbajtur një qendrim me dy fytyra, atëherë ky për ne është një sukses. Vetëm pak ditë më parë thuhej se ne mbanim anën e Gaddafit. Ne nuk kemi luajtur asnjëherë lojë të dyfishtë, kemi qenë neutralë. Misioni ushtarak në Libi u zhvillua para derës sonë, dhe ai zgjon kujtime të dhimbshme në vendin tonë.  Kjo është arsye përse kemi reaguar ndryshe nga sa ndoshta pritej prej nesh“ - u shpreh Ministri i Jashtëm algjerian Mourad Medelci.

Fakt është që Algjeria ka gjithnjë problem me fuqitë e huaja në vendet fqinje. Veçanërisht nëse bëhet fjalë për Francën, ish fuqinë kolonialiste në Algjeri. Kader Abderrahim, studies i politikës në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Paris, shpjegon:

„Algjeria ka luftuar shumë për sovranitetin e saj. Për këtë arsye ajo nuk mund t'i pranojë ndërhyrjet ushtarake ndërkombëtare. Në radhë të parë Algjeria ka mbajtur qendrim parimor: mosndërhyrja është parim i diplomacisë algjeriane dhe këtë e pretendon edhe për vete.“

Qendrimi i Algjerisë kushtëzohet nga situata e brendshme politike

Por fakt është gjithashtu se Algjeria nuk ka deklaruar kurrë se cili është pozicioni i saj i vërtetë. Veç kësaj ka pasur zëra se Algjeri ka mbështetur Gaddafin me armë dhe mercenarë në luftën kundër rebelëve. Pranimi i familjes Gaddafi i mbështet këta zëra. Algjeria është thuajse e izoluar në politikën e jashtme, mendon eksperti për vendet e Magrebit Francis Ghiles nga Qendra kërkimore për Dimplomaci Ndërkombëtare në Barcelonë: „Algjeria është në një pozitë shumë të vështirë. Ajo ka probleme të mëdha të brendshme: qeveria nuk vepron, presidenti është i moshuar dhe i sëmurë, dhe njëkohësisht situata në rrugë nuk është e qetë. Pra regjimi në Algjeri ndihet mjaft i dobët. Në Tunizi u rrëzua presidenti Ben Ali, në Egjipt Mubaraku dhe tani Gaddafi në Libinë fqinje. Pra tani Algjeria reagon me nervozizëm ekstrem.“

Megjithatë Algjeria nuk mund t'i lejojë vetes të injorojë Këshillin Kalimtar libian, mendon historiani francez Pierre Vermeren. Të dy vendet duhet të bashkëpunojnë dhe të hapin një kapitull të ri:  „Algjeria dhe Libia duhet të merren vesh me njëra-tjetrën. Për shkak të kufirit, të naftës, sigurisë, dhe për shkak të kërcënimit nga El Kaida në Magrebin islamist. Në këtë kontekst pranimi i familjes së Gaddafit nuk do të luajë më rol të rëndësishëm."

Autor: Alexander Göbel / E. Xhani

Redaktoi:Bahri Cani