1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

100210 Vancouver Olympia

11 Shkurt 2010

Për Vankuverin 2010 janë investuar shuma të mëdha parash, me shpresë se sukseset sportive do t'i kthejnë ato. Por përvojat tregojnë se efektet ekonomike të lojërave olimpike nuk mund të parashikohen.

https://p.dw.com/p/Lyfq
Fotografi: AP

Kur Jacques Rogge, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, bëri të ditur në vitin 2003 se lojërat dimërore të vitit 2010 do t'i organizojë Vankuveri, gëzimi në Kanada ishte i madh. Komiteti Olimpik premtoi fitime në vlerë prej 9,6 miliardë dollarë, mijëra vende të reja pune dhe më shumë turizëm. Në vitin 2009, kryeministri i provincës British Columbia, Gordan Campbell, tha në televizionin CBC: "Sa i përket buxhetit, lojërat olimpike po përgatiten sipas planeve. Të gjitha vendet ku do të zhvillohen lojërat janë gati. Olimpiada është për ne ekonomikisht interesante, sepse na mundëson edhe hapjen e vendeve të reja të punës."

Pak javë pas daljes së Campellit në televizion u konstatua se kostot e përgatitjeve të lojërave olimpike dimërore 2010 e kanë tejkaluar buxhetin e planifikuar. Në fillim ishte planifikuar që lojërat të kushtojnë 1,5 miliardë dollarë, ndërsa tani zyrtarisht shuma ka mbërritur në 5,6 miliardë. Sipas studimeve më të reja, qeveria mund të përfitojë në vend të 9,6 miliardë dollarëve të planifikuara, më së shumti një miliardë. Ekspertët thonë se shkaqet e dallimeve kaq të mëdha janë, përveç krizës ekonomike, përllogaritjet e gabuara të qeverisë dhe të Komitetit Olimpik në Vankuver.

Vancouver 2010
Vancouver 2010Fotografi: AP

Megjithë prognozat e fundit pesimiste, qeveria kanadeze llogarit në perspektivë afatgjatë me rritjen e turizmit, si pasojë e lojërave olimpike.

Wendy Underwood, zëdhënëse e ministrisë së Turizmit, beson se në fund shpenzimet e qeverisë prej 2,8 miliardë, sa janë investuar për ndërtimin e infrastrukturës së këtyre lojërave, do të shpaguhen: "Gjatë pesë viteve të fundit në Vankuver ka pasur ndërtime të shumta dhe zhvillim të qytetit. Pas lojërave olimpike do të kemi një infrastrukturë shumë më të mirë se më parë. Përveç kësaj, do të përfitojmë edhe nga imazhi në arenën ndërkombëtare, sepse lojërat olimpike do t'i shikojnë në televizion rreth tre miliardë vetë."

Statujë me logon e Vancouver 2010
Statujë me logon e Vancouver 2010Fotografi: AP

Megjithë pritjet e qeverisë, turizmi deri tani nuk ka shënuar ndonjë rritje. Në qoftë se Vankuveri i përfundon lojërat me humbje dhe borxhe, ky nuk do të ishte rasti i parë. Të jesh organizator i lojërave olimpike nuk do të thotë gjithmonë se do të përfitosh. Në përfundim të Lojërave Olimpike të vitit 2004 Athina mbeti me borxhe në vlerë prej shtatë miliardë eurosh. Montrealit i është dashur t'i paguajë borxhet nga lojërat e vitit 1976 deri në vitin 2002. Deri tani nuk mund të shihet ndonjë rritje ekonomike si pasojë e Lojërave Olimpike Dimërore 2010, pohon Seth Klein, drejtore e "Qendrës për alternativa politike": "Dyshoj shumë se do të ketë efekte afatgjata. Nuk dyshoj që lojërat mund të ndikojnë në ngritjen e prodhimit bruto në vend dhe tregun e punës. Por shtrohet pyetja nëse kjo do të arrijë vlerën prej 6 miliardë dollarë dhe nëse investimi i gjashtë miliardëve në ndonjë sektor tjetër do të sillte më shumë përfitime? Sa i përket kësaj çështje, mendoj se investimet në sektorë të tjerë do të kishin efekte afatgjata më të mira."

Mjeku Chris Shaw përgjigjet shumë shpejt për pyetjen se ku mund t'i investonte qeveria kanadeze gjashtë miliardë dollarë. Për shembull, që në dhjetë vitet e ardhshme të investojë në hulumtimet për shërimin e sëmundjeve të ndryshme. Në vend të këtyre investimeve, Vankuverit do t'i mbeten borxhet që duhet të paguajë me paratë e taksapaguesve. "Të gjithë ne do të paguajmë për këto lojëra deri në fund të jetes. Mund të flitet për dobitë nga lojërat olimpike sa i përket krenarisë kombëtare, vëmendjes ndërkombëtare apo dhe ndjenjës së kënaqësisë, por në aspektin e kostove nuk ka llogari."

Mjeku Chris Shaw: Milionat për Olimpiadën mund të investoheshin në hulumtimet për shërimin e sëmundjeve të ndryshme
Mjeku Chris Shaw: Milionat për Olimpiadën mund të investoheshin në hulumtimet për shërimin e sëmundjeve të ndryshmeFotografi: AP

Shaw është madje i mendimit se për shkak të këtyre lojërave, në të ardhmen për mjekësinë apo programet sociale dhe kulturore do të vihen në dispozicion më pak para. Duket se realiteti i jep të drejtë: qeveria e rajonit British Columbia vendosi në fund të vitit të kaluar që gjatë këtij viti të vërë në dispozicion për përkujdesjen mjekësore 330 milionë dollarë më pak. Ndërkohë që buxheti i Ministrisë rajonale së Kulturës është shkurtuar me 80 për qind.

Autor: Dörte Keilholz/Bahri Cani
Redaktor: Pandeli Pani