1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Lohan: Berisha dhe Rama duhet të arrijnë marrëveshje

Intervistë me kreun e delegacionit të BE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, i cili thotë se integrimet europiane janë bazë për marrëveshjen Berisha- Rama.

default

Helmuth Lohan në Tiranë

DW: Zoti Lohan, dje Presidenti Bamir Topi vazhdoi bisedimet me kryeministrin Berisha, liderin e opozitës Rama dhe me Ju, që kryesoni delegacionin e BE-së në Tiranë, për të ecur drejt zgjidhjes së krizës politike 6 mujore në Shqipëri. Por në përfundim palët deklaruan përsëri të njëjtat qëndrime të kundërta lidhur me hapjen e kutive të votimit, që përbën kushtin e vetëm që opozita të kthehet në Parlament. Cili është opinioni juaj i deritanishëm, a jeni optimist në suksesin e këtij hapi politik?

Lohan: Bashkimi Europian ka mirëpritur faktin që Presidenti ka thirrur një tryezë të rrumbullakët, të nisur të shtunën e kaluar, më 13 shkurt dhe që vazhdoi dje. BE-ja i konsideron të dyja raundet e bisedimeve të deritanishme si fillim të një procesi. Mendoj se nuk ka asnjë arësye për ta duartrokitur apo lavdëruar ndonjë hap të veçantë në këtë proces. Dialogu politik mes palëve nuk është si në një lojë tenisi ku çdo set komentohet nga dikush. Besoj se ky proces do të çojë në një zgjidhje të suksesshme brenda kohës së duhur.

DW: Sa e rëndësishme është për Komisionin Europian zgjidhja e suksesshme e krizës? Në rast se, për fat të keq ajo nuk gjëndet pikërisht tani, para 4 marsit, ose 6 muajve që Kushtetuta njeh të drejtën e deputetëve opozitarë për të bërë betimin dhe për t'u futur në Parlament, a rrezikon ecurinë e procesit integrues europian?

Lohan: Në fakt nga këndvështrimi i KE-së, pyetja për të cilën duhet të marrë një përgjigje është: A e plotëson Shqipëria kriterin politik për anëtarësim në BE? Dhe është shumë e qartë që nëse Parlamenti i Shqipërisë vazhdon të mos funksionojë si duhet edhe për një periudhë tjetër kohore, atëherë Shqipëria ndodhet përballë një rreziku të madh që Komisioni të mos ketë mundësi të rekomandojë hapjen e negociatave për pranimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Prandaj është e rëndësishme që për hirë të interesit të integrimit europian të Shqipërisë, drejtuesit politikë të Shqipërisë të mos lenë të kalojë rastin e tryezës së rrumbullakët presidenciale për të hedhur hapa konkretë drejt gjetjes së një zgjidhjeje.

DW: Ku e shihni mundësinë e konvergimit të qëndrimeve të kundërta të deritanishme të kryemnistrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës Edi Rama?

Lohan: Të gjithë drejtuesit politikë të Shqipërisë kanë shpallur gjithmonë integrimin europian të vendit si një nga objektivat e tyre parësore, më të rëndësishme. Dhe vërtet ky objektiv ka qenë dhe mbetet forca e madhe lëvizëse që ka qëndruar dhe qëndron pas politikave të tyre. Prandaj mendoj se baza e ecjes drejt konvergimit të qëndrimeve të tyre të kundërta deri më tani është perspektiva e integrimit europian të Shqipërisë. Kjo perspektivë është në mendjen e tyre gjatë gjithë kohës dhe sidomos në këtë situatë të veçantë.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 17.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M3ay
  • Data 17.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M3ay