1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Lobiim intensiv i amerikanëve për SWIFT-in

Këto ditë një sërë eurodeputetësh kanë pasur vizita surprizë nga ambasadori i SHBA-së në Bruksel. SHBA po përpiqet me forcë t'i bindë eurodeputetët të votojnë pro marrëveshjes së diskutueshme për SWIFT-in.

Logoja e qendrës ndëkombëtare për transaksione financiare, SWIFT.

Deputetja u habit kur në zyrën e saj hyri një grup burrash me kostume dhe me aparat komunikimi në vesh. Ata i komunikuan vizitën e ambasadorit të SHBA-së. Ambasadori nuk e zgjati shumë, por hyri drejt e në temë: marrëveshja për SWIFT-in është shumë e rëndësishme për luftën kundër terrorit.

Kontrolli i transaksioneve bankare i domosdoshëm në luftën kundër terrorit

Ajo mundëson kontrollin e transaksioneve bankare të personave privatë mes BE-së dhe vendeve të treta. Këto transaksione bankare bëhen përmes firmës belge SWIFT, e cila e kishte serverin qendror në SHBA. Këtë vit serveri është transferuar në Zvicër dhe për këtë kontrolli i të dhënave bankare ka nevojë për një bazë të re ligjore. Ambasadori tha, se shpreson që Parlamenti do ta miratojë atë. Në rast të kundërt SHBA-ja do të lidhë marrëveshje dypalëshe me secilin vend, duke e anashkaluar kështu Parlamentin.

Amerikanët mund të bëjnë lobiim por europarlamentarët duhet të mbrojnë të drejtat e qytetarëve evropianë

Ambasadori i SHBA-së kishte qenë edhe te Manfred Weber, eurodeputet i CSU-së.

Europarlamentari Manfred Weber.

Europarlamentari Manfred Weber.

"Amerikanët bëjnë lobiim për qëndrimin e tyre dhe kjo është e drejta e tyre. Këtë gjë e ata e bëjnë me mjeshtëri dhe me shumë forcë. Por ne si Parlament Evropian kemi detyrën që të përfaqësojmë qytetarët tanë dhe shpresoj që kësaj edhe do t'ia dalim mbanë."

Deputetë të tjerë e përjetuan bisedën me ambasadorin e SHBA si kërcënim të hapur. Në mikrofon këtë nuk e thotë njeri, por deputeti i ekologjistëve Jan Philip Albrecht e cilësoi sjelljen e ambasadorit amerikan „harbute": "Ambasadori dhe përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe të Drejtësisë të SHBA-së u përpoqën që të më bindnin me mjete, sipas mendimit tim, tejet të vrazhda, se refuzimi i marrëveshjes do të ishte një dëm i madh.“

Pas nënshkrimit nga ministrat e brendshëm të BE-së, marrëveshja duhet miratuar nga Parlamenti

SHBA po përpiqet që të ndikojë tek eurodeputetët, sepse deri para pak ditësh dukej se shumica e tyre do ta refuzonte marrëveshjen e SWIFT-it. Madje edhe përfaqësuesit gjermanë të CDU/CSU bënë deklarata si të ishin aktivistë të të drejtave të njeriut. Kjo shkaktoi alarm tek autoritetet amerikane për luftimin e terrorit. Me sa duket SHBA-ja u përpoq të ushtrojë fillimisht presion ndaj qeverive të vendeve të BE-së. Thuhet se presidenti amerikan Obama ka folur për këtë në telefon edhe me kancelaren Merkel.

Në foto: ministri i Brendshëm gjerman de Maiziere

Ministri i Brendshëm gjerman de Maiziere abstenoi në votimin e minstrave të brendshëm të BE-së për SWIFT-in.

Dhe vërtet, ministrat e brendshëm të vendeve të BE-së e nënshkruan këtë marrëveshje më 30 nëntor - një ditë para se të hynte në fuqi marrëveshja e Lisbonës. Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere, CDU, abstenoi. Por tani që marrëveshja e Lisbonës është në fuqi, për këtë marrëveshje duhet të votojë edhe parlamenti i BE-së.

Votimi paraprak e hodhi poshtë marrëveshjen

Në një votim të zhvilluar të enjten (4.1.) në Komisionin e Brendshëm të Parlamentit të Evropës, që mund të konsiderohet si matës paraprak i votimit të javës së ardhshme në parlament përfundimi qe: 29 deputetë kundër, 23 pro marrëveshjes. Ky votim qe shkaku për vizitat e ambasadorit amerikan. Por kundërshtarët e marrëveshjes po vazhdojnë të luftojnë. Birgit Sippel, eurodeputete e SPD-së, thekson rolin e europarlamentarëve: "Ne nuk jemi ata që japin formalisht votë pro vendimeve të qeverive të vendeve anëtare, por një parlament i mëvetësishëm, i cili krijon mendimin e tij dhe e përfaqëson atë me vetëbesim."

Autor: Christoph Prössl / Pandeli Pani

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 06.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ludc
  • Data 06.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ludc