1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Llukas Papadhimos do jetë kryeministri i ri i Greqisë

Kryetari i qeverisë kalimtare në Greqinë e zhytur thellë në borxhe, do të jetë ish zëvendëspresidenti i ECB-së Llukas Papadhimos. Njoftimi u bë i ditur nga zyra e presidentit grek Karolos Papulias.

Llukas Papadhimos

Kryeministri i qeverisë kalimtare në Greqi, Llukas Papadhimos

Në krizën më të rëndë të Greqisë që prej anëtarësimit në Eurozonë, në krye të qeverisë do të jetë pikërisht ai që konsiderohet si arkitekti i pranimit të grekëve në unionin monetar. Llukas Papadhimos, nuk ka mbajtur asnjëherë ndonjë post politik. Për një kohë të gjatë ka qenë shefi i Bankës Qendrore greke dhe e ka përfaqësuar vendin e tij si zëvendëspresident i Bankës Qendrore Evropiane (ECB).

Me kthjelltësi dhe kualifikim profesional, specialisti i shkencave ekonomike pritet të drejtojë kabinetin e ri qeveritar grek me synim rifitimin e besimit të kreditorëve ndërkombëtarë. Nëse ai do të jetë edhe aq karizmatik sa duhet, për të bindur grekët për domosdoshmërinë e kursit të kursimeve, mbetet të shihet.

Papadhimos ka lindur në Athinë, ka studiuar dhe është promovuar në SHBA në universitetin e mirënjohur "Massachusetts Institute of Technology (MIT)" në Boston. Më pas ka dhënë mësim si profesor i ekonomisë në universitetin Columbia, në Nju Jork. Në mes të viteve 1980 u kthye në Greqi, ku bëri karrierë në Bankën Qendrore greke dhe në vitin 1994 mori postin e guvernatorit të kësaj banke.

Bashkë me qeverinë socialiste greke, Papadhimos pregatiti pranimin e Greqisë në Unionin Monetar Evropian në vitin 2001 dhe futjen e euros si mjet pagese në Greqi në 2002.

Papadhimos me shefin e ECB-së, Jean Claude Trichet.

Arkitekti i futjes së Greqisë në Eurozonë - Papadhimos fitoi respek të thellë në vendin e tij.

Për këtë ai fitoi respekt të thellë në Greqi. Më vonë u bë e ditur se Greqia i kishte përcjellë Brukselit për vite me radhë statistika të rreme. Por m.q.s. Papadhimos ishte profilizuar si një mbrojtës i flaktë i kufizimit të borxheve shtetërore, fama e tij ndërkombëtare nuk u cënua aspak.

Papadhimos në vitin 2002 e dorëzoi postin si shef i Bankës Qendrore greke dhe mori detyrën e zëvendëspresidentit të ECB-së në Frankfurt. Përvoja e tij si përfaqësues i një vendi të varfër të Eurozonës duhej të ndihmonte në përgatitjen e anëtarëve të rinj evropianolindorë në BE për futjen e euros.

Pas tetë vitesh në detyrë Papadhimos u shkëput në vitin 2010 edhe nga ECB. Përballë gjendjes së vështirë të Greqisë, ai i ruajti kontaktet e tij politike, të cilat tani e sollën sërish në skenë.

Autor: E. Xhani (dpa, rtr, afp)

Redaktoi: Amarildo Topi

DW.COM