1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Lituania në balotazh për një president të ri

Konflikti në Ukrainë shoqëroi zgjedhjet presidenciale në shtetin balltik Lituani. Presidentja Grybauskaite u shpreh me tone radikale kundër Moskës dhe fitoi në raundin e parë një rezultat të lartë të votave.

default

Dalia Grybauskaite

Komentatorët nuk kanë asnjë dyshim: Presidentja e Lituanisë ka bërë një hap të madh për rizgjedhjen e saj në këtë post duke dominuar bindshëm në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Sipas të dhënave të para zyrtare Dalia Grybauskaite, arriti të fitojë 46,5 për qind të votave dhe do të përballet në raundin e dytë me një rival socialdemokrat, deklaroi komisioni elektoral pas numërimit të 97 për qind të fletëve të votimit. Por “zonja e hekurt” lituaneze nuk arriti kufirin e nevojshëm 50 për qind për t'u rizgjedhur që në raundin e parë. Rivali i saj, eurodeputeti socialdemokrat Zigmantas Balcytis, arriti të marrë 13,9 për qind të votave. Në vendin e tretë u rradhit ish presidenti i parlamentit, Arturas Paulauskas me 12 për qind.

Sipas analistëve, fitorja në raundin e dytë për specialisten 58 vjeçare të ekonomisë dhe ish Komisaren e BE -së Grybauskaite mbahet tashmë si e sigurtë. Para pesë vjetësh ajo kishte arritur një fitore të shkëlqyer qysh në raundin e parë me gati 70 për qind të votave duke shënuar edhe gruan e parë në postin e kreut të këtij vendi. Konflikti në Ukrainë dominoi gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Sikurse edhe në shtetet e tjera balltike, Estoni dhe Letoni, lituanezët e kujtojmë me dhimbje okupimin sovjetik prej dekadash dhe aneksimi i Krimesë si dhe manovrat kufitare ruse zgjon tani tek ata frikëra. Me një qëndrim pa kompromis ndaj Rusisë, Grybauskaite shënoi pikë në fushatën e saj.

Për postin më të lartë në krye të Lituanisë konkurruan gjithsej shtatë kandidatë. Pjesëmarrja në raundin e parë të zgjedhjeve ishte rreth 2,5 milionë votues. Balotazhi do të zhvillohet më 25 maj.