1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Listat zgjedhore në Shqipëri garanci për ushtrimin e të drejtës së votës

Asistenca ndaj Shqipërisë e BE dhe OSBE-së konsiderohet nga autoritet e Tiranës garanci për cilësi të lartë të listave përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet lokale të 8 majit.

default

Sfida e zgjedhjeve të ardhshme - çdo qytetar të ushtrojë të drejtën e votës në zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Çdo qytetar shqiptar, që gëzon të drejtën e votës, mund të shikojë emrin e tij në listat përfundimtare, që tani, pothuaj një muaj para zgjedhjeve lokale të 8 majit. Gjithkush ka kohë të verifikojë emrin e tij në këto lista apo saktësinë e të dhënave personale.

Listat janë afishuar në çdo qendër votimi dhe janë në website-t e institucioneve shtetërore. Ato u hartuan nga bashkitë dhe njësitë vendore, në bazë të Regjistrit Elektronik Kombëtar të Gjendjes Civile, proces ky i drejtuar dhe monitoruar nga Ministria e Brendshme dhe e Pushtetit Lokal.

Ferdinand Pone, zëvendësministër në këtë ministri, thotë se këto lista karakterizohen nga ”standartet më të larta të mundshme teknologjike të hartimit dhe të prodhimit si edhe të respektimit 100% të afateve kohore. Lista ka 3.164.859 zgjedhës që do të votojnë në 4932 qëndra votimi. ”

Ferdinand Pone, zëvendësministër në Ministrinë e Brendshme dhe Pushtetit Lokal.

Ferdinand Pone, zëvendësministër në Ministrinë e Brendshme dhe Pushtetit Lokal.

Lista zgjedhore të pastruara nga dublimi i emrave

Në proceset zgjedhore që janë zhvilluar në Shqipëri pasaktësitë në listat e zgjedhësve kanë qënë një nga argumentat e partive në opozitë, për të pretenduar për manipulim të rezultatit të votimeve dhe mospranim të tij. Pasaktësitë kanë qenë të lidhura me dublimet e emrave ose me praninë e emrave të personave të vdekur.

Sa të sakta dhe sa korrekte janë listat e tanishme përfundimtare të zgjedhësve?

“Kemi bërë përmirësimin e listave paraprake, të marra nga zgjedhjet parlamentare të verës 2009, përmes tre proceseve tepër cilësore: pastrimit nga dublimet, heqja e 100 vjeçarëve dhe të atyre që kanë ndryshuar shtetësinë shqiptare” - thotë zëvendësministri Pone.

Pas këtyre proceseve saktësia e listave të zgjedhësve është teorikisht maksimale pasi ato janë hartuar duke u mbështetur në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, që funksionon si një bazë kombëtare të dhënash. Por praktikisht kjo cilësi do të verifikohet më 8 Maj, kur të gjithë qytetarët do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës.

Asistenca e BE – OSBE – garanci për cilësinë e listave të zgjedhësve

Hartim i këtij regjistri është fryt i bashkëpunimt mes Shqipërisë dhe BE. “Ministria e Brendshme dhe e Pushtetit Lokal ka patur që prej tre vitesh një bashkëpunim të vazhdueshëm me ministrinë homologe austriake, në sajë të realizimit të projektit të BE dhe OSBE-së për modernizimin e Gjendjes Civile dhe të adresave në Shqipëri. Si pasojë, të gjitha produktet, përfshirë këtu edhe listat e zgjedhësve janë fryt i këtij bashkepunimi, i cili ka qënë, për hir të së vërtetës, nga më të mirët që BE dhe OSBE jep në Shqipëri.”

Ky bashkëpunim ka bërë që krijimi i bazës së të dhënave, i mbledhjes dhe hartimit të tyre, të rezultojë në përputhje me standartet e Kopenhagës dhe të OSBE/ODIHR-it, për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Cilësia e listave të zgjedhësve përbën një kontribut që rezultati të mos kontestohet por të pranohet nga pala humbese, gjë kjo që është vërtet një nga sfidat e Shqipërisë” - thotë Z. Ferdinand Pone.

Dëshira Subashi, nënkryetare e KQZ, përfaqësuese e opozitës.

Dëshira Subashi, nënkryetare e KQZ, përfaqësuese e opozitës.

Opozita kritikon mangësi në Kodin Elektoral lidhur me listat e zgjedhësve

Fitorja e kësaj sfide do të thotë që çdo qytetar të ushtrojë të drejtën e votës në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në bazë të ligjit ata që nuk e shikojnë emrin e tyre në listë mund t'i drejtohen Gjykatës. Ligji nuk lejon subjektet politike në garë dhe KQZ të ndërhyjnë në listat përfundimtare të zgjedhësve.

Dëshira Subashi, nënkryetare e KQZ, përfaqësuese e opozitës në këtë komision mendon se ligji duhet të amendohet për t'ia dhënë të drejtën e korigjimit të listave edhe KQZ si nstitucion.

“Me ligjin ekzistues votuesi duhet t'i zgjidhë vetë problemet lidhur me praninë apo jo të emrit të tij në listë, të saktësisë apo jo të të dhënave të tij personale. Pra, ta zgjidhë vetë, si një çështje të së drejtës së tij për të votuar dhe deri në momentin e fundit, nëse emrin nuk e ka në listë, t'i drejtohet gjykatës. Por mendoj, se ligji duhet rishikuar pas zgjedhjeve. Ai duhet amenduar pasi ai jep vetëm një opsion: qytetari mund t'i drejtohet vetëm gjykatës nëse shikon se nuk mund të ushtroje të drejtën e votës,”- thotë Dëshira Subashi.

Zhvillimi i zgjedhjeve lokale të 8 Majit, vlerësimi i tyre" të lira, të ndershme dhe në pëputhje me standartet ndërkombëtare" përbën për Shqipërinë kushtin kryesor, që BE të mos refuzojtë aplikimin e sivjetëm për statusin e vendit kandidat për anëtarësim, si ndodhi vitin e kaluar për shkak të krizës politike. Politikanë drejtues të BE kanë paralajmëruar qeverinë dhe opozitën e Tiranës, se mosplotësimi i standarteve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme rrezikon procesin e integrimit evropian.

Autor: Ani Ruci / Tiranë

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 13.04.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10sPL
  • Data 13.04.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10sPL