1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Lista e turpit" - Një hap para në krizën e borxheve greke?

Rreth 15 miliardë euro borxh i kanë shtetit të kapluar nga kriza mëkatarët grekë të taksave. Sipërmarrës, sportistë dhe këngëtarë ndodhen në listën e publikuar në internet.

Lista e turpit në Greqi

"Lista e turpit" në Greqi

Që legjenda e muzikës greke, Tolis Voskopoulos do të trajtohej para medieve si një kriminel i rëndomtë, fansat e  tij do ta konsideronin si të pamundur para pesë vitesh. E megjithatë kjo ndodhi: këngëtari i këngëve sentimentale, i cili në vitet e shtatëdhjeta theu zemrat e grave më krenare është një nga mëkatarët më prominentë të borxheve në listën që ministri grek i Financave Evangelos Venizelos e publikoi të dielën mbrëma (22.01.) në internet.

"Mëkatarët" e famshëm

Në foto, ish zëvendësministrja greke e Turizmit, Angela Gerekou

Në foto, ish zëvendësministrja greke e Turizmit, Angela Gerekou

Fillimisht ylli i muzikës pop i kishte borxh shtetit grek 5.5 milionë euro. Kur gazeta më e njohur e Athinës "Eleftherotypia" zbuloi në vitin 2010 mashtrimet tatimore të Voskopoulos-it, gruas së tij iu desh të japë dorëheqjen nga posti i zëvendësminisres së Turizmit, ndërsa kryeministri i sapozgjedhur Giorgos Papandreou u ballafaqua me skandalin e parë të madh - për ironi në një kohë kur ai planifikonte t'iu bënte thirrje grekëve për kursime.

Edhe sipërmarrësi dhe ish-pronari i klubit futbollistik të Ligës së parë "PAOK Saloniki", Giorgios Batatoudis mund të shihet si një figurë simbolike e krizës greke. Në fillim të viteve nëntëdhjetë, ai bëri emër si sipërmarrës në sektorin e ndërtimeve. Sipas medias greke ai në atë kohë kishte përfituar nga fondet e BE-së si dhe nga kontaktet e tij të mira me socialistët në pushtet. Brenda pak vitesh ai ishte aktiv në shumë fusha, si sipërmarrës televiziv, spekulant bursash dhe pronar i një kompanie të telekomunikacionit  për tu larguar pas ca vitesh përfundimisht nga Greqia. Ai u arrestua në Libi në shtator të vitit 2011, vetëm pas përmbysjes së regjimit të Gaddafit dhe u ekstradua për në Greqi. Ai i ka sot borxh shtetit grek 2,5 milionë euro.

"Lista e turpit" me 4152 emra

Në foto, ministri grek i Financave Evangelos Venizelos

Në foto, ministri grek i Financave Evangelos Venizelos

Lista e evaduesve të taksave është bërë temë në Greqi: 4152 emra në gjithsej 170 faqe, borxhi total i tyre rreth 15 miliardë euro. Qysh verën e kaluar, ministri i Financave Evangelos Venizelos donte të publikonte  këtë "Listë të turpit", siç e quan ai, por kjo gjë i mori më shumë kohë. Avokatët e tij u desh së pari të sqaronin çështjet që kishin të bënin me ruajtjen e të dhënave private, thuhet në qarqet e ministrisë së Financave.

Në mes të nëntorit Venizelos shtoi edhe njëherë presionin: sipërmarrës të famshëm dhe figura të shquara publike u prangosën si mashtrues të taksave dhe të gjithë grekëve të cilët i kishin shtetit borxh më shumë se 150 mijë euro iu dha një ultimatum i qartë: ata ose do të lajmërohen vullnetarisht brenda dhjetë ditëve në zyrën e tatimeve për të shprehur pendimin ose ministria e Financave do të publikojë listën me emrat e tyre.

U tha, u bë. Por tani  shumë kush shtron pyetjen nëse kjo është e mjaftueshme për të mbledhur detyrimet tatimore. Përvoja e deritanishme është e hidhur: në dhjetor 2011 e përditshmja e Athinës "Ta Nea" raportonte se nga 17 sipërmarrësit e arrestuar të cilët akuzohen për gjithsej 5.5 milionë euro borxh, janë mbledhur vetëm  50 mijë euro. Për më tepër, ligji grek i taksave është tejet i komplikuar dhe konfuz, shpesh puna e inspektorëve tatimorë has në pengesa për shkak të rregulloreve kontradiktore dhe difektet në ligj. Kështu që edhe nën drejtimin e ministrit Venizelos, ministria greke e Financave do të jetë në gjendje të mbledhë vetëm një pjesë të vogël të miliardave që i takojnë me ligj.

Autorë: Jannis Papadimitriou / Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Kelmendi