1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Listë e zezë nga Moska

Masa ndaj 89 politikanëve evropianë përkeqëson tensionet me Rusinë.

Qeveria ruse ka publikuar një listë me emrat e 89 politikanëve nga BE-ja të cilëve u ndalon hyrjen në Rusi. Lista e zezë me emrat e atyre që janë të prekur nga kjo masë u është dërguar disa ambasadave të BE-së. Sipas informationeve të gazetës "Bild" dhe të "Frankfurter Allgemeinen Zeitung" në këtë listë bëjnë pjesë edhe tetë politikanë gjermanë.

Me "listën e zezë" qeveria e Moskës reagon me sa duket ndaj sanksioneve të Perëndimit për krizën në Ukrainë, të cilat përfshijnë edhe ndalime udhëtimi në vendet e BE-së për deputetë dhe sipërmarrës rusë.

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier e quajti vendim rus "jo shumë të zgjuar". Në një vizitë në qytetin ukrainas, Dnipropetrovsk, ai tha: "Në një kohë kur ne përpiqemi për të zbutur një konflikt të rrezikshëm e kokëfortë në zemër të Evropës, ky veprim nuk kontribuon për këtë."

Përveç kësaj, Steinmeier u ankua se politikanët në fjalë nuk qenë informuar prej Rusisë. "Do të ishte më e pakta që personat në fjalë të njoftoheshin se cilat janë rezervat në lidhje personin e tyre, ose që lista të tilla të bëheshin të paktën publike," tha ministri.

Reagime të ashpra

Kritika të ashpra erdhën edhe nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, nga Presidenti i Parlamentit të BE-së Martin Schulz dhe shumë qeveri evropiane.

Ndalimet janë "krejtësisht të pabaza dhe të pajustifikuara", thuhet në një deklaratë të Shërbimit të Jashtëm të BE-së. Përveç nga listës së emrave Moska nuk ka dërguar "asnjë informacion tjetër në lidhje me bazën ligjore, kriteret dhe procesin e këtij vendimi".

Këshilltari i ardhshëm i kancelares Angela Merkel për politikën evropiane, Uwe Corsepius, i cili gjendet gjithashtu në listë, tha me humor: "Ka gjëra më të këqia, se sa ndalimi për të shkruar në Rusi, aq më tepër që ky vend nuk është në qendër të shërbimeve të mia." Megjithatë, është e patolerueshme përpjekja "për t'i bërë politikanët që në këtë mënyrë të heshtin". 54-vjeçari Uwe Corsepius është aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të BE-së. Politikani i gjelbër gjerman Daniel Cohn-Bendit tha për gazetën "Bild" se e ndjen veten të nderuar që Rusia e konsideron si armik të totalitarizmit.

Në listën e zezë të Moskës bëjnë pjesë edhe politikania e gjelbër Rebecca Harms, polikani i CSU-së Bernd Posselt, poltikani i CDU-së Karl-Georg Wellmann, kryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së në Bundestag Michael Fuchs, sekretarja e shtetit në Ministrinë gjermane të Mbrojtjes, Katrin Suder, dhe inspektori i aviacionit ushtarak gjerman, Karl Müller.