1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liria e internetit në rrezik në Rusi?

Roman Goncharenko / Aida Cama14 Nëntor 2012

Opozita ruse është ende prezente në internet. Por një ligj për mbrojtjen e të rinjve mundëson bllokimin e faqeve të internetit, gjë që mund të prekë edhe faqet që janë kritike ndaj Kremlinit.

https://p.dw.com/p/16imA
Vladimir Putini në gjithë kanalet televizive
Fotografi: AP

Asnjë fotografi, vetëm tekste të thata ligjesh. Faqja e internetit "zapret-info.gov.ru" e autoriteteve ruse për kontrollin shtetëror të informacionit, Roskomnadzor nuk duket fare spektakolare. Që prej 1 nëntorit çdo njeri i interesuar mund të shohë në një bankë të dhënash, cilat faqe interneti janë bllokuar nga autorietetet ruse. Disa vëzhgues e quajnë bankën e të dhënave "listë të zezë". Ndërkohë është bllokuar faqja e preferuar e internetit "lurkmore.to" e cila e quan veten si një enciklopedi humoristike për kulturën moderne, folklorin dhe subkulturën. Si arsye autoritetet kanë bërë të ditur se në këtë faqe interneti bëhen lëvdata për konsumin e drogave. Pas protestave të ashpra bllokada e faqes u hoq.

"Lista e zezë" duhet të përmendë faqet e internetit që përmbajnë informacione që rrezikojnë rininë, në bazë të ligjit të ri për mbrojtjen e rinisë, ligj që u nënshkrua këtë verë nga presidenti Vladimir Putin. Ky ligj duhet të ndihmojë largimin nga rrjeti të faqeve që nxisin pornografinë e fëmijëve, tregtinë e drogës ose japin udhëzime për vetëvrasje. "Ne kemi të drejtën të mbrojmë fëmijët tanë," tha Putini në një interviste televizive.

Këshilli i koordinimit të protestave u zgjodh me votim online
Këshilli i koordinimit të protestave u zgjodh me votim onlineFotografi: Reuters

Mbrojtja e të rinjve vetëm si preteks?

Por ligji i ri për mbrojtjen e të rinjve është i diskutueshëm. Edhe parlamenti gjerman, Bundestag, ka shprehur shqetësimin e tij. Me futjen e "një liste të zezë", ekziston rreziku i krijimit "të një instrumenti për kufizimin e lirisë së shtypit dhe një censure të gjerë të internetit", thuhet në një deklaratë të nxjerrë nga koalicioni qeveritar gjerman, të premten e kaluar (09.11) dhe të aprovuar edhe nga Të gjelbërit. Kancelarja Angela Merkel i kërkoi deputetëve, që të kërkojnë nga presidenti rus Vladimir Putin në konsultimet gjermano- ruse më shumë shtet të së drejtës, më shumë demokraci dhe respektimin e të drejtave të njeriut në Rusi.

Kjo do të shkaktojë diskutime në forumin e 12-të të shoqërisë civile të quajtur "Dialogu i Petërsburgut" që pritet të fillojë ditëm e mërkurë (14.11.2012) në Moskë. Sepse liria e informacionit në internet do të jetë një nga temat e bisedimeve.

Ligji për mbrojtjen e të rinjve lejon bllokimin e faqeve të internetit. Edhe faqet opozitare bllokohen, nëse adresa e tyre IP, përmendet si e lidhur me faqe interneti që përbëjnë rrezik. Kështu për shembull i ka ndodhur bloggerit të njohur dhe kritikut të Kremlinit, Alexej Nawalny. Hyrja në faqen e tij të internetit, e cila kritikonte shpërdorimin e pushtetit nga autoritetet, u bllokua në korrik të 2012 për orë të tëra. Argumentimi ishte se kjo kishte të bënte me provajderin e internetit. Faqja e Nawalny-t kishte pasur të njëjtën adresë IP si ajo e një faqeje ekstremiste.

Përgjigje për protestat

"Në fakt është duke u krijuar një mekanizëm për censurimin e internetit," mentond Pawel Rassudow, kryetari i partisë rusë të Piratëve. Për të "lista e zezë" është përgjigja që qeveria i dha lëvizjes së protestës, e cila ishte kritike ndaj Kremlinit. Njëjtë e shohin këtë edhe ekspertët perëndimore si Florian Töpfl, i cili është duke u marrë në London School of Economics me një projekt për internetin në Rusi. "Unë mendoj se ligji është një gur i vogël mozaiku në procesin për kufizimin e lirive qytetare dhe lirisë së veprimit të grupeve opozitare në Rusi", thotë Töpfl. Qeveria në Moskë i ka "shtrënguar frenat" që me zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të 2011-ës," thotë eksperti.

Alexei Navalny, blloger kritik ndaj Kremlinit
Alexei Navalny, blloger kritik ndaj KremlinitFotografi: AP

Zgjedhja e Dumës shtetërore ruse ra nën hijen e akuzave për fallsifikime dhe shkaktoi një valë protestash kundër Putinit. Pas zgjedhjeve presidenciale në mars dhe kthimit të Putinit në Kremlin liria e grubullimit është kufizuar dhe ligjet për organizatat joqeveritare janë ashpërsuar. Hetimet e autoriteteve janë duke u zhvilluar kundër disa aktivistëve të opozitës.

Me Facebook kundër Putinit

Interneti ka rëndësi të veçantë për opozitarët rusë. Sepse ndryshe nga televizioni i kontrolluar prej shtetit, rrjeti në Rusi është "relativisht i lirë", nënvizon organizata amerikane Freedom House në raportin aktual. Censurë të dukshme politike nuk ka.

Redaksia e Garri Kasparow në Moskë
Redaksia e Garri Kasparow në MoskëFotografi: AP

Prandaj në Rusi arrihet që protestat kundër Putinit të organizohen kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale, si Facebook-u. Kështu për shembull në muajin tetor lëvizja e protestës përdori internetin për të zgjedhur një këshill të ri koordinativ. Rreth 70 mijë përdorues votuan online. "Unë mendoj se interneti është shumë i rrezikshëm për Putinin, sepse ai përbën hapësirën e komunikacionit për opozitën", thotë Florian Töpfl.

Gjithnjë e më shumë rusë online

Putini premton se liria e internetit në Rusi nuk do të preket. Megjithatë ai pranon se e përdor internetin rrallë. Kurse rusët e përdorin internetin gjithnjë e më shumë. Sipas të dhënave të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit më shumë se 90 përqind e të rinjve rusë janë rregullisht online.

Filma që janë kopje të vjedhura, propaganda ekstremiste apo pornografi, këto të gjitha nuk janë të vështira të gjenden në internetin rus me disa klikime. "Kjo liri duhet kufizuar në njëfarë mënyre në vitet e ardhshme," thotë Töpfl. Pyetja është se sa do të preket liria e web-it, si platformë politike.