1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Liqeni i Shkodrës i rrezikuar seriozisht

Liqeni i Shkodrës, po rrezikohet seriozisht nga ndërhyrjet e paligjshme dhe gjuetia pa kriter. Një projekt shqiptaro-malazez synon shfrytëzimin racional të burimeve liqenore.

Liqeni i Shkodrës

Liqeni i Shkodrës i rrezikuar

Liqeni i Shkodrës, më i madhi në të gjithë Ballkanin, përbën një potencial me rëndësi të veçantë gjeografike e jetësore, jo vetëm për banorët përreth tij, por edhe për biodiversitetin e pasur, burimet, vlerat natyrore dhe mikroklimat që ofron.

Qeveria shqiptare e ka kuptuar rëndësinë e tij: Për Ministrin e Mjedisit dhe Administrimit të Ujërave, Lufter Xhuveli ”Liqeni i Shkodrës deri në bregdetin verior të gjirit të Drinit, zona e Lumit të Bunës së bashku me Delten edhe Ishullin e Franc Jozefit, Rezervati i Velipojës, Laguna e Vilunit, Plazhi i Baks-Rrjollit, Këneta e Domit dhe territoret përreth tij, është një prej ekosistemeve më të pasura të Shqipërisë.” Për ruajtjen e tij: "“ekzisotn një projekt prej mbi 5 milion eurosh i qeverisë shqiptare së bashku me palën gjermane, për të trajtuar ujërat e ndotura të qytetit të Shkodrës dhe për të mos lejuar më derdhjen e tyre në liqen, të papërfunduara e të papastruara."


Por, gjatë këtyre viteve të fundit në Liqenin e Shkodrës, konstatohen mjaft dukuri negative të shkaktuara prej ndikimit të njeriut. Gjuetia pa kriter, dëmtimet e sipërfaqeve bimore, introduktimet e tjerë, kanë çuar në çrregullime ekologjike të tij. Peshkatarët e vjetër thonë se Liqeni i ngjan një kënete të stërmadhe, dhe ekosistemi dhe vlerat peshkore të tij vazhdojnë të dëmtohen rëndë. “Ndotja e liqenit është duke u ban pa kriter. Hedhin mbeturinat, klubet wc-të i hedhin mrendë, gja që ashtë komplet jashtë rregullit. Përsa i përket sasisë së peshkut, ai ashtë largu prej ndotjeve, mbasi çdo gja e gjallë don një vend të pastërt e jo plastmasa e ambjent të keq. Ky liqen ka mbajtë gjithë Shkodrën dhe gjithë zonën e veriut me peshk,” thotë njëri prej peshkatarëve. “Bregu i liqenit mund të thona, që është i ndotun nga mbeturinat që hidhen, nga plastmasa e shishe. Këtu ka miliona shishe në ujë dhe bregut dhe nuk preken prejkërkuj. Ma keq s`ka ku shkon," thotë një peshkatar tjetër. “Njëkohësisht kemi humbur edhe një mundësi tjetër, që ka qënë turizmi. Brigjet e Shirokës kanë ndotje të mëdha. Klubet e ndryshme që janë hapë, hedhin ujërat e zeza në këtë liqen. Njëkohësisht edhe mbetjet teknologjike, apo inertet, që hedh qyteti i Shkodrës në këtë liqen, kanë krijuar një situatë të pafavorshme për ne," thotë peshkatari i tretë.

Përfaqësuesi Agjensisë Gjermane për Bashkëpunim Teknik, GTZ, Shpëtim Çuku, thotë se të dy vendet kufitare që ndajnë resurset natyrore të përbashkëta, shprehin dëshirën dhe vullnetin e mirë të shkëmbimit dhe bashkëpunimit të kësaj hapësire ujore: “GTZ-Shqipëri dhe GTZ-Mali i Zi, kanë filluar zbatimin e projektit të planifikimit hapsinor ndërkufitar, i rajonit të Liqenit të Shkodrës. Ky projekt drejton zhvillimin urban, social-ekonomik dhe mjedisor të krejt rajonit të Liqenit të Shkodrës. Trajtimi është i njëjtë si për pjesën shqiptare, ashtu dhe për pjesën malazeze, megjithëse problematikat janë të ndryshme."

Pas përfshirjes së Liqenit të Shkodrës në Konventën ”Ramsar”, qeveria shqiptare nëpërmjet projekteve pilot është angazhuar për nisjen e investimeve, mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komponentëve më kryesorë të tij.

Autor: Leka Plani

Redaktoi: Aida Cama





  • Data 13.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HpPd
  • Data 13.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HpPd