1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Lindja e vështirë e një koalicioni të krijuar artificialisht

Kosova që sot (17.02) feston trevjetorin e pavarësisë, ndodhet para krijimit të qeverisë së re. Por kushtet në të cilat nis jeta e koalicionit të ri nuk janë edhe aq të lehta.

default

New Born – Fëmija me halle i Evropës është vetëm tre vjeç. Në shtetin ende të mitur të Kosovës pritet këto ditë shpallja e koalicionit të ri. Kryeministri i vjetër dhe i ri, 42 vjeçari Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së, ia doli vetëm me shumë vështirësi të ngrejë në këmbë kabinetin e dytë të tij. Thaçi, teksa shpalli si kryeministër i sapo zgjedhur pavarësinë e Kosovës nga Serbia, ndodhej nën një shkëlqim krejt tjetër: Më 17 Shkurtin e 2008-ës ish-luftëtari i UÇK-së u brohorit si hero kombëtar, ndërsa sot atij i duhet të luftojë me problemin e imazhit i ndodhur nën hijen edhe të akuzave për manipulime në zgjedhje.

Kjo është arsyeja përse ish-partnerja e koalicionit LDK-ja refuzoi të bashkëqeverisë me PDK-në. Po kështu reaguan edhe dy partitë e tjera që pasojnë me vota në vendin e tretë dhe të katërt. Koalicioni i ri qeveritar varet tani nga qëndrimi i partive të vogla të minoriteteve. Pikërisht Hashim Thaçi, i cili si ish-komandant i UÇK-së shihet me mosbesim dhe frikë prej serbëve, detyrohet tani të pranojë mbështetjen e kabinetit të tij prej partive serbe. Me hir ose me pahir Thaçi u detyrua t' i nënshtrohet edhe kushtit të partnerit të tij të ri të koalicionit, AKR-së me vetëm 8 mandate, kryetari i së cilës 60 vjeçari Bexhet Pacolli pretendonte postin e presidentit. Koalicioni i krijuar artificialisht posedon vërtetë shumicën e nevojshme në parlament, por për t' ia arritur kësaj kryeministrit Thaçi i është dashur të eksperimentojë shumë. Për t'i kënaqur të gjitha palët ai ka krijuar edhe katër poste zëvendëskryeministrash. E ky fakt flet vetë për atë se çfarë e pret qeverinë e re.

Rrugë me pengesa për „burrat e fortë“ drejt pushtetit

Qeverisja në Prishtinë kurrësesi nuk mund të jetë e lehtë. Koalicionit të sapo konstruktuar i duhet të përballojë barra të jashtëzakonshme nga e kaluara. Zgjedhjet presidenciale janë në prag. Nëse dështon kandidatura e Pacollit, kjo do të presupozonte njëkohësisht humbjen e qeverisë Thaçi. Pacolli, i cili e nisi karrierën politike vetëm para tre vjetësh, është mjaft i diskutueshëm, madje edhe në radhët e vetë partisë së Thaçit. Sipërmarrësi i pasur i ndërtimit, në fillimin e viteve 90-të me porositë e majme nga Moska i dha një shkëlqim të ri fasadave të Kremlinit. Por është me shumë pikëpyetje nëse ai do t' ia dalë që t' i dhurojë një pamje të re politikës së vendit të tij.

Ndërkohë që edhe e ardhmja politike e Thaçit nuk është fort e sigurtë: Ai as që nuk arriti ta gëzojë si duhet rizgjedhjen, kur u konfrontua në dhjetor me akuzat e rënda në raportin e deputetit të Këshillit të Evropës Dick Marty. Në këtë raport bëhet fjalë ndër të tjera edhe për kontrabandë me drogë dhe organe. Hetimet paraprake lidhur me këtë kanë nisur tani nën drejtimin e misionit të EULEX-it. Nëse vërtetë ndodh të ngrihet zyrtarisht akuzë ndaj tij, kjo do të thoshte fundi i karrierës politike të Thaçit.

Mbijetesë e kushtëzuar e një "martese“ nga halli

Qeverinë në Prishtinë e pret dialogu i gjatë dhe i mundimshëm me Beogradin: Në bisedimet, që pritet të fillojnë së shpejti, do të kërkohen zgjidhje për problemin e serbëve. Serbët në rajonin verior duke e ndierë veten të lidhur me Beogradin nuk e pranojnë qeverinë e Prishtinës.

Last but not least: Deri tani Kosovën e kanë njohur vetëm 75 vende të OKB-së nga 192 anëtarë gjithsej. Përveç kësaj sfide diplomatike në politikën e jashtme, qeverisë në politikën e brendshme i duhet të verë nën kontroll problemin e korrupsionit që po i merr frymën vendit. Shteti më i brishtë i Evropës, që ka edhe popullsinë më të re në kontinent – ende ka mbi kurriz pasojat e luftës së vitit 1999. Shtetit të pagëzuar para tre vjetësh në rrugën e tij të maturimit i duhet të përballojë probleme të jashtëzakonshme, ndaj një „martesë“ solide është mëse e domosdoshme. Bashkëjetesa e duetit Thaçi- Pacolli të krijuar nga halli është e kushtëzuar.

Autor: Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi

DW.COM

  • Data 17.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10INa
  • Data 17.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10INa