1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Lindja e Mesme: SHBA intensifikon përpjekjet diplomatike

Ministrja e jashtme e SHBA, Rice e konsideron të mundur arritjen e marrëveshjes paqësore mes izraelitëve dhe palestinezëve deri në fund të këtij viti. Kështu u shpreh Rice pas bisedimeve në Jeruzalem dhe Ramallah.

default

Ministrja e jashtme amerikane Condoleezza Rice dhe negociatori palestinez me Izraelin Saeb Erekat gjatë mbërritjes së Rice-it në Ramallah.

Rice në turin e saj në Lindjen e Mesme e konsideroi problematik zgjerimin e planifikuar të ngulimeve hebreje në Jordanin Perëndimor. Izraeli nuk duhet të krijojë fakte të kryera që mund të pengojnë arritjen e një marrëveshjeje paqeje, theksoi ministrja e jashtme amerikane.

Nga ana e saj ministrja izraelite e punëve të jashtme Zipi Livni deklaroi se ngulimet hebreje nuk janë pengesë për një zgjidhje paqësore. Këtë Izraeli e ka dëshmuar me tërheqjen nga Rripi i Gazës në vitin 2005.

"Ne dëshmuan veçanërisht me tërheqjen nga Gaza se ngulimet nuk janë pengesë kur Izraeli duhet të tërhiqet dhe për të dërguar një mesazh paqeje ne i eliminuam këto ngulime. Izraeli do të plotësojë angazhimet që i lindin nga plani Roadmap. Nuk ka ngritje ngulimesh të reja në politikën qeveritare të Izraelit, Izraeli nuk ka konfiskuar më tokë nga palestinezët për të ngritur ngulime të reja apo për të zgjeruar ato ekzistuese."

Olmert nën akuza

Ministrja e jashtme amerikane Condoleezza Rice e kryen turin në Lindjen e Mesme në një kohë kur kryeministri Olmert Olmert gjendet nën trysni prej hetimeve të reja policore. "Zhytur thellë në batak", "Prova të rënda kundër kryetarit të qeverisë". Këta janë disa nga titujt e shtypit izraelit. Të gjitha gazetat e mëdha iu kushtuan të dielën në faqet e tyre kryesore fatit politik të kryeministrit dhe pyetjes, përse drejtësia ka vendosur bllokadë informative në lidhje me përmbajtjen e akuzave të reja kundër tij.

Condoleezza Rice bei Ehud Olmert

Ehud Olmert takohet me Rice

Siç bëri të ditur paraditen e së dielës radioja izraelite, Ehud Olmerti do të merret edhe një herë në pyetje nga njësia antikorrupsion në kuadër të fajësimeve të reja. Olmertit iu desh t'i përgjigjej njëherë të premten në rezidencën e tij kryehetuesit të njësisë antikorrupsion.

Olmerti i hedh poshtë akuzat për korrupsion

Kryeministri Olmert deklaroi të dielën para fillimit të mbledhjes së kabinetit në Jeruzalem, se do ta vazhdonte punën e tij qeveritare pavarësisht, siç tha ai, "zërave të ligj". Fajësimet do të mund të sqarohen, tha ai. E përditshmja „Ha'aretz“ raportoi duke iu referuar burimeve të paspecifikuara policore, se hetuesit i konsiderojnë akuzat e reja kundër Olmertit si "rastin më të rëndë". Media izraelite, e cila e kritikon bllokadën informative si pengim të qartë të punës së saj, pretendon të ketë mësuar se Olmerti ka pranuar për një periudhë disavjeçare rryshfet kur ishte kryetar i bashkisë së Jeruzalemit.

Ndërkaq ministrja e jashtme amerikane Condoleezza Rice i vazhdoi bisedimet e saj politike me udhëheqjen izraelite dhe atë palestineze. Pas një takimi me kryeministrin Olmert Rice u takua të dielën në mëngjes me ministrin izraelit të mbrojtjes Ehud Barak dhe me kryeministrin palestinez Salam Fayyad. Rice bëri të ditur, se do të verifikojë nëse janë përmirësuar kushtet e jetesës për palestinezët - kjo është, sipas saj, pjesa më e rëndësishme e bisedimeve të saj politike.

Në këtë kontekst ministrja e jashtme amerikane kërkoi nga Izraeli, të mos e minojë dërgimin e forcave palestineze të sigurisë në Bregun Perëndimor me misione ushtarake pikërisht në ato qytete të Bregut Perëndimor, në të cilat planifikohet të marrin përgjegjësitë forcat palestineze të përgatitura me ndihmë amerikane. Të shtunën u dërguan në Xhenin policët e parë palestinezë nga pothuajse 500, të cilët kryen kurset në Jordani. Ministrja e jashtme amerikane paralajmëroi njëkohësisht, se do të verifikojë premtimin e Izraelit dhënë vitin e kaluar për heqjen e 60 pengesave rrugore dhe pikave të kontrollit në Bregun Perëndimor.

Abbas pesimist për arritjet në procesin e paqes

Condoleezza Rice bei Mahmoud Abbas

Mahmud Abbas me ministren e jashme amerikane, Rice


Presidenti palestinez Mahmud Abbas, me të cilin ministrja e jashtme amerikane bisedoi të dielën në mesditë, është sipas të dhënave të këshilltarëve të tij i zemëruar për mungesën e përparimeve në bisedimet me Izraelin. Sipas tyre, për palestinezët në Bregun Perëndimor nuk mund të ndiehet që ai po përpiqet prej pesë muajsh me anë të bisedimeve, të përmirësojë kushtet e tyre të jetesës. Hamasi, që qeveris në Rripin e Gazës, kërcënoi të të dielën paradite me valë të re dhunë, në rast se Izraeli nuk e pranon ofertën për armëpushim të kufizuar në kohë. Shkallëzimi i dhunës do të jetë i pashembullt, deklaroi njëri prej përfaqësuesve kryesorë të Hamasit në qytetin e Gazës.

DW.COM

  • Data 05.05.2008
  • Autor Clemens Verenkotte
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DtIU
  • Data 05.05.2008
  • Autor Clemens Verenkotte
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DtIU