1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Lihtenshtajni paguan për evazorët fiskalë

Banka e shtetit në Lihtenshtajn i dha fund një mosmarrëveshjeje disamujore tatimore me SHBA. Banka do t'i paguajë shuma gjigande arkës amerikane të shtetit.

Në këmbim të shumës prej 23.800.000 dollarësh autoritetet amerikane mbyllin hetimet kundër Lihtenshtajnit për ndihmë dhe bashkëfajësi në evazion fiskal. Amerikanët kanë shqyrtuar, nëse klientët e bankës së Lihtenshtajnit, Landesbank (LLB  Vaduz) kishin shkelur ligjin tatimor amerikan dhe rregullore të tjera dhe nëse banka ka qenë e përfshirë në to. Nga viti 2001 deri 2011 banka e Lihtenshtajnit mbante xhirollogari të klientëve amerikanë, për të cilët nuk ishte në dijeni shteti amerikan, njoftoi ministria e Drejtësisë në Uashington.

Kështu banka e Lihtenshtajnit ka ndihmuar një "numër të konsiderueshëm" të taksapaguesve amerikanë, që të mos paguajnë taksat, njoftoi ministria. Në fundin e vitit 2006 banka administronte rreth 900 xhirollogari me më shumë se 340 milionë dollarë për klientët amerikanë. Paratë nuk ishin të regjistruara tek autoritetet amerikane. Me pagesën milionëshe banka i kompenson shtetit amerikan humbjet e shkaktuara nga tatimet.

Nuk ka ndjekje penale të çështjes

Banka bëri të ditur se është e kënaqur me këtë zgjidhje. Në këtë mënyrë mund të mbyllet përfundimisht tema e taksave të SHBA. Përveç kësaj SHBA nuk do ta ndjekin penalisht institucionin financiar. Ministria amerikane e Drejtësisë e argumentoi këtë me bashkëpunimin e mirë me bankën. Kështu autoritetet amerikane kanë marrë nga Lihtenshtajni më shumë se 200 dosje me informacione mbi taksapaguesit amerikanë.

Megjithatë banka e Lihtenshtajnit ka një filial të saj në Zvicër, që është gjithashtu në fokus të autoriteteve tatimore amerikane. Për këtë çështje negociatat mes SHBA dhe bankës vazhdojnë ende. Shtetet e Bashkuara akuzojnë gjithsej rreth dymbëdhjetë banka në Zvicër për bashkëfajësi në evazionin fiskal, ndër të tjera edhe Credit Suisse dhe Bär, filial zviceran i bankës së madhe britanike HSBC.