1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ligji për Trepçën - Zhvillim i ndërmarrjes apo mollë sherri mes Prishtinës dhe Beogradit

Institucionet e Kosovës, thonë se "Trepça" në tërësi është në pronësi të Kosovës. Beogradi nga ana tjetër pretendon se në strukturën e pronësisë, aksioneri më i madh është Fondi për Zhvillimin i Republikës së Serbisë.

Parlamenti i Kosovës dhjetë ditë më parë miratoi ligjin për Trepçën, që e shndërron këtë gjigant metalurgjik në një ndërmarrje publiko-private, ku qeveria e Kosovës është aksionere me 80%, ndërsa, punëtorët e saj, me 20 %. Ky ligj u kundërshtua ashpër nga qeveria në Beograd dhe përfaqësuesit serb në qeverinë e Kosovës, ndonëse këta të fundit, sipas zyrtarëve të qeverisë ishin të përfshirë në draft-ligjin për Trepçën. Ministrat serb në qeverinë e Kosovës, kundërshtimin e tyre tashmë e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar siç thonë, se parlamenti i Kosovës ka bërë shkelje ligjore kur me ligj i ndërroi statusin Trepçës.

Edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas miratimit të Ligjit për Trepçën, tha se ai "nuk e kupton se çfarë ka dashur të arrijë Prishtina me ligjin për Trepçën".

"Nuk e kuptoj se çka kanë arritur me këtë, çka dëshirojnë të fitojnë dhe të bëjnë. Cila është ideja, që të thonë se e gjithë prona është e tyre, nuk është", tha Aleksandër Vuçiq.

Por çfarë përmban ligji për Trepçën?

Sokol Havolli, shef i kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa, i tha DW-së, se gjatë hartimit të draft-ligjit për Trepçën, qeveria ka biseduar me të gjitha palët, përfshirë menaxhmentin e Trepçës në pjesën jugore të Mitrovicës ku janë minierat dhe menaxhmentin në pjesën veriore ku janë shkritoret dhe të gjitha kërkesat e tyre janë përfshirë në ligj.

"Draft-ligji është bërë edhe me ekspertizë ndërkombëtare që përfshin pronësinë, metodën e qeverisjes, organizimin e njësive thelbësore të Trepçës se si do të funksionojë dhe mundësinë e investimeve private në kuadër të njësive të reja që mund të krijohen. Pra, pronësia është 80% e qeverisë dhe 20% e punëtorëve që i bie që tash kemi një ndërmarrje publiko- private", thotë Sokol Havolli.

Ai thotë se mineralet nëntokësore janë pronë e Republikës së Kosovës dhe kjo përcaktohet qartë me kushtetutë. "Pra mineralet me kushtetutë janë pronë e Republikës së Kosovës dhe çdo kompani që bën eksploatimin e mineraleve, shtetit të Kosovës duhet t'ia paguaj taksën minerare, ndërsa, asetet e punëtorëve kanë të bëjnë me makineritë, mirëpo, gjithëssi kur të bëhet shpërndarja e fitimit, 80 % do të shkojë te qeveria dhe 20% te punëtorët. Modalitet për punëtorët që përfshinë edhe pagat e tyre dhe orarin e punës do të rregullohen me statutin për Trepçës", thotë Havolli.

Para se të miratohej ligji për Trepçën, punëtorët serb që punojnë në shkritoret e kësaj ndërmarrjeje që gjenden në pjesën veriore protestonin duke kundërshtuar ligjin, sepse, ata kërkonin që Trepça në pjesën veriore të regjistrohej si ndërmarrje e veçantë. Kjo sipas shefit të kabinetit të kryeministrit Sokol Havolli, nuk është pranuar nga qeveria.

"Një kërkesë e punëtorëve serb të veriut nuk është marrë parasysh. Ata kërkonin që Trepça e pjesës veriore të regjistrohej si ndërmarrje e veçantë dhe kjo nuk është pranuar nga qeveria e Kosovës për faktin që kjo merrte konotacionin politik dhe këtë ne e konsiderojmë si një presion i përfaqësuesve nga Beogradi ndaj punëtorëve serb që ta kundërshtojnë ligjin".

Sipas zotit Havolli, shkritoret në pjesën veriore nuk janë funksionale dhe qeveria në ligj e ka parashikuar, se duhet një bashkëpunim me sektorin privat që do të thotë ndërtimin e shkritoreve të reja.

"Të gjithë punëtorët janë pajtuar ashtu siç e parasheh edhe ligji që secila njësi e Trepçës të jetë e pavarur në kuptimin e profitit dhe kjo nxit konkurrencën në punë. Qeveria do ta bëjë edhe shpërndarjen e një pjese të taksës minerare për komunitetin dhe kjo shpërndarje kap shifrën e 20%.

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tashmë disa herë ka deklaruar, se "Fondi Zhvillimor i Serbisë është pronari më i madh i Trepçës".

"Qeveria e Serbisë, ka të drejtë të iniciojë procedurë të arbitrazhit kundër Kosovës dhe qeveria serbe do të angazhojë ekspertë të njohur ndërkomb

Kosovo Bildgalerie 10 (Filip Slavkovic)

ëtarë në këtë çështje. Ne do të përdorim të gjitha mjetet për të mbrojtur atë që është e jona", thotë Marko Gjuriq.

Por këto pretendime hidhen poshtë nga qeveria e Kosovës. Sipas, Sokol Havollit "i ashtuquajturi fond i investimeve serbe", është krijuar në kohën e Milosheviçit dhe për këtë arsye për qeverinë e Kosovës ai fond është i dyshimtë. Sipas tij, për pasuritë e Kosovës nuk mund të shkohet në arbitrazh me askënd. 

"Kjo është e qartë, se çdo pronë në Republikën e Kosovës është pronë e Kosovës dhe kjo është përcaktuar qartë edhe me pakon e Ahtisarit dhe më vonë me Kushtetutën e Kosovës dhe ato janë tendenca të kota të Serbisë. Fondi për investime i Serbisë, të cilit po i referohet qeveria e Serbisë, është një fond i kohës së Millosheviqit dhe çdo gjë që përkon me këtë kohë për neve është e dyshimtë dhe e papranueshme. Mirëpo, megjithatë i gjithë dokumentacioni i mundshëm i kreditorëve potencialë do të trajtohet me kujdes konform ligjeve që janë të aplikueshme në Kosovë", thotë Sokol Havolli.

Një vështrim retrospektivë

Por, ç'është gjiganti industrial Trepça. Pas Luftës së Dytë Botërore, Trepça nacionalizohet dhe shndërrohet në industri të mineraleve metalurgjike-kimike të plumbit dhe zinkut, e cila në atë kohë punësoi rreth 20.000 punëtorë dhe prodhonte rreth 70% të burimeve minerale të ish-Jugosllavisë.

Në shkurt të vitit 1989, kur Sllobodan Milosheviçi suprimoi autonominë e Kosovës, rreth 1.300 minatorë të Stan Tërgut një nga minierat e Trepçës, hynë në grevë urie në shenjë mbështetjeje të ruajtjes së autonomisë së Kosovës.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe vendosjes së administratës së OKB-së UNMIK-u, në vitin 2000 ky mision mori përsipër menaxhimin e procesit të riaktivizimit të Trepçës. Kjo ndërmarrje që ishte nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për gjithë këto vite ajo funksionoi me kapacitete të limituara, apo siç thonë punëtorët e saj "sa për të mbijetuar".

Njëri nga udhëheqësit e kombinatit metalurgjik Trepça, Ahmet Tmava, aktualisht drejtori i kombinatit, thotë se ishin minatorët ata të cilët kishin punuar që ta mbanin në këmbë këtë ndërmarrje. "Një nga resurset më me vlerë është posedimi i xeherores së plumb – zinkut, që llogaritet se ka afër 60 milionë ton rezerva. Aktiviteti minerar në funksion të eksploatimit të xeherores së plumb - zinkut në minierën e Stan Tërgut daton tash e 86 vjet më parë dhe ky aktivitet minerar ka krijuar te ne edhe traditë, histori dhe emocion dhe ka krijuar çdo gjë", thotë Ahmet Tmava. Sipas tij janë minatorët ata që e kanë mbajtur gjallë këtë ndërmarrje.

Institucionet e Kosovës konsiderojnë se ndërmarrja "Trepça" në tërësi është në pronësi të Kosovës dhe paraqet pasuri të Kosovës. Beogradi nga ana tjetër pretendon se në strukturën e pronësisë, aksioneri më i madh është Fondi për Zhvillimin e Republikës së Serbisë me rreth 57 për qind, ndërsa aksionerët e tjerë më të vegjël, kryesisht janë kompanitë dhe bankat serbe, si dhe disa aksionerë të huaj.

Aktualisht Trepça përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që radhiten kryesisht në tri komplekse të mëdha, në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve që gjenden në pjesën veriore të Mitrovicës.