1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ligji për amnestinë pritet të kalojë kuvend - Në Prishtinë nënshkruhet peticion kundër

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë dhe një pjesë e deputetëve të kuvendit ligjin për amnestinë e cilësojnë se e tejkalon marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Kryesia e kuvendit të Kosovës, mori vendim që ligji për amnestinë të shqyrtohet sërish të enjten më 11 korrik në kuvendin e Kosovës. Kjo u bë e mundur pasi qeveria hoqi nga projektligji nenin tre, duke e reduktuar kështu numrin e veprave që parashikohet të falen.

Në nenin tre të projektligjit, thuhej se kushtet për dhënien e amnestisë nga vuajtja e dënimit përfshijnë: "Të gjithë kryesit e veprave penale në vijim, të kryera deri më 20 qershor 2013, përfshirë edhe personat kundër të cilëve akoma nuk është ngritur aktakuzë apo kundër të cilëve nuk ka filluar ndjekja penale, personat të cilët në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji gjenden në vuajtjen e dënimit me burgim në Republikën e Kosovës, apo ende nuk e kanë filluar vuajtjen e dënimit me burgim ose për vuajtjen e dënimit janë transferuar jashtë Republikës së Kosovës, e të cilët me vendim të formës së prerë janë dënuar për vepra penale të parashuikuara në ligjet e Republikës së Kosovës për këto vepra penale, lirohen nga ekzekutimi 20% i dënimit të shqiptuar me burgim". Mirëpo, ky nen i projketligjit për amnestinë tashmë është hequr.Ligji për amnestinë, i cili buron nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tash për tash po mbështetet nga shumica e grupeve parlamentare, ndërsa, lëvizja Vetëvendosje është kategorike kundër. Ligji për amnestinë buron nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit se "qeveria duhet ta qartësojë saktë se për kë po miratohet ky ligj". "Kërkesa ime do të ishte që të thuhet saktë se pse po bëhet dhe kujt po i kushtohet më tepër ky ligj dhe që ai të mos kalojë si një ligj që duhet për amnestinë e përgjithshme. Unë mendoj që këtu ka dallime, megjithatë janë seancat e kuvendit ato që vendosin për të shkuar më tej ose për të kërkuar plotësime dhe rishikime të reja", tha Krasniqi.

Peticion kundër ligjit për amnesti

Shumë organizata të shoqërisë civile vazhdojnë ta kundërshtojnë ligjin për amnestinë. Ato kanë dërguar letër në Kuvendin e Kosovës duke u kërkuar deputetëve që mos ta miratojnë ligjin. Poashtu, kanë organizuar peticion, ku kërkohet nga qytetarët që me nënshkrime ta kundërshtojnë miratimin e ligjit për amnesti. Një grup qyetarësh kanë vendosur tenda dhe po qëndorjnë vazhdimisht para parlamentit të Kosovës duke e kundërshtuar ligjin për amnesti.

Në një letër të hapur dërguar shteteve të QUINT-it, Bashkimit Evropian dhe misionit EULEX, 34 organizata të shoqërisë civile të grupuara rreth Institutit për Hartimin e Politikave Zhvillimore KIPRED, thonë se ligji për amnesti nuk duhet të përfshijë amnesti për vepra penale shumë të rënda. "Kuptohet se integrimi i strukturave serbe të veriut në institucionet e Kosovës kërkon amnesti për grupin që kanë thyer ligjet dhe rendin kushtetues. Por, kjo amnesti duhet të vlejë vetëm për veriun dhe vetëm për çështje humanitare, p.sh., në lëmin e arsimit, shëndetësisë, dhe çështjeve të tjera themelore për jetesën", thuhet në letrën e KIPRED.

Shoqëria civile thotë se është e pakuptueshme dhe shumë e dëmshme për Kosovën që nëpërmjet ligjit për amnesti tentohet të amnestohen edhe kryesit e veprave penale në jug të Kosovës. "Çështje humanitare që kërkojnë amnesti nuk janë uzurpimi i paligjshëm i pronës së patundshme, asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor, kontraktimi i përfitimit joporporcional, tregtia e ndaluar, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, cënimi i të drejtave të punësimit: Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave, spiunazhi dhe shumë çështje të tjera", thuhet në letrën e organizatave të shoqërisë civile.

Sidoqoftë këtë të enjte (11.07.)ligji për amnesti sërish do të hidhet për votim në seancën e parlamentit të Kosovës. Në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, me 70 vota pro, 21 kundër dhe 2 abstenime ligji nuk arriti të kalojë në lexim të parë, sepse miratimi i tij kërkon shumicën e 2/3 të votave të deputetëve.

Autoritetet e Beogradit thanë se mosmiratimi i ligjit për aminesti cënon marrëveshjen për normalizimn e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Përfaqësues të Lëvizjes Vetvendosja, të cilët e kundërshtojnë ashpër ligjin dhe tërë marrëveshjen me Serbinë, thonë se "nëpërmjet ligjit për amnesti po instalohet brenda strukturës së legjislacionit të Kosovës një mekanizëm i tmerrshëm i drejtësisë selektive".