1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ligji për azilin në Gjermani para reformimit

Kay-Alexander Scholz19 Shtator 2014

Në Gjermani numri i azilkërkuesve ka kapur shifra rekord. Për këtë arsye qeveria gjermane nuk do të pranojë më refugjatë nga Serbia, Maqedonia e Bosnja-Hercegovina. Për këtë e drejta e azilit do të reformohet.

https://p.dw.com/p/1DFhD
Bundesrat
Në prag të vendimit.Fotografi: picture-alliance/dpa/Stephanie Pilick

Në vitin 2013 më shumë se një e gjashta e azilkërkuesve në Gjermani vinin nga Serbia, Maqedonia e Bosnja-Hercegovina. Shumë prej tyre janë me sa duket romë, por shifra të sakta për këtë nuk ka. Edhe në gjysmën e parë të vitit 2014 ishte shumë i lartë numri i azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor: Gati të gjitha kërkesat e tyre u refuzuan, sepse refugjatët janë kategorizuar si refugjatë ekonomikë, dhe nuk kanë të drejtë për azil politik.

Protestat kundër ashpërsimit të rregullave.
Protestat kundër ashpërsimit të rregullave.Fotografi: picture-alliance/dpa/Stephanie Pilick

Partitë qeverisëse CDU/CSU dhe ajo socialdemokrate SPD për këtë arsye ranë dakord në marrëveshjen e koalicionit vitin e kaluar që vendet e lartpërmendura të Ballkanit Perëndimor të deklarohen si "vende të sigurta". Kjo nënkupton që njerëzit në këto vende nuk rrezikohen nga përndjekja, torturat, dhuna arbitrare apo trajtime çnjerëzore. Kështu me ndryshimin e ligjit, kërkesat për azil nga këto vende do të refuzoheshin me një procedim të shpejtë, e personat e prekur duhet të largohen nga Gjermania.

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere i ka mbrojtur rishtazi këtë plan të qeverisë duke theksuar se arsyet ekonomike nuk janë arsye për pranimin në Gjermani. "Gjermania nuk mund të pranojë të gjithë të vrafërit dhe njerëzit me probleme në botë, kjo tingëllon ndoshta e ashpër për shkak të gjendjes së vështirë në botë, por një gjë e tillë është e përjashtuar dhe pajtohet me ligjin kushtetues", tha de Maizire në një intervistë për "Süddeutsche Zeitung". "Ne u mundësojmë pa dyshim azil atyre që janë të përndjekur politikisht. Por kjo mund të bëhet vetëm nëse refuzojmë azilkërkues që nuk janë të përndjekur politikisht.

Prioritet parësor

Edhe për vitin 2014, Gjermania pret një numër të lartë azilkërkuesish, gjë që rrit presionin ndaj autoriteteve. Në Gjermani azilkëkruesit ndahen mes landeve, ku fillimisht ata dërgohen në qendra pranimi, për t'u shpërndarë më tej në komuna. Bashkitë dhe komunat më pas janë përgjegjëse për akomodimin dhe kujdesin ndaj tyre. Por shuma komuna aktualisht e kanë të vështirë të kujdesen për një numër gjithnjë e më në rritje azilkërkuesish. Madje për të strehuar azilantët disa komuna kanë përshtatur edhe kazermat e dikurshme. Megjithatë Parlamenti i Bashkive në Gjermani ka kërkuar me urgjencë një program urgjence për të ndihmuar akomodimin në kushte njerëzore të azilantëve. Ky parlament ka kërkuar edhe shkurtimin e procedurave të azilit. Shumë azilkërkues duhet të presin shtatë muaj, por shpesh një vit e më shumë deri në trajtimin e kërkesës së tyre. Sipas rregulloreve të BE-së, kërkesa për azil duhet të trajtohet brenda një gjashtë muajsh. Ndërkohë që qeveria gjermane synon një shkurtim edhe më tej të këtij afati -një kërkesa azili duhet të marrë përgjigjen brenda tre muajsh. Për të lehtësuar autoritetet pritet të krijohen 300 vende pune të reja, të parashikuara për vitin 2014.

Këshilli Federal miraton reformën

Të pakënaqur...
Të pakënaqur...

Pas miratimit nga Bundestagu të reformimit të së drejtës së azilit në Gjermani, edhe Këshilli Federal miratoi ligjin e kontestuar të premten (19.09.). Temë debati ishte zgjerimi i listës me të ashtuquajturat "vende të sigurta" të Ballkanit Perëndimor, Serbi, Maqedoni dhe Bosnje-Hercegovinë.- Refugjatët nga këto vende do të mund tani të kthehen më shpejt në vendin origjinë. Reformën e ligjit e kishin kritikuar sidomos të Gjelbrit, të cilët shprehen se romët dhe homoseksualët në Ballkan diskriminohen. Katrin Göring-Eckart, kryetarja e fraksionit të Të Gjelbërve në Bundestag shprehet se nuk mund të luhet me nevojën e njerëzve. Të Gjelbrit kritikonin edhe faktin që refugjatët në Gjermani nuk lejohen të lëvizin të lirë, por duhet të respektojnë detyrimin e qëndrimit.

Miratimi i reformës u mundësua të premten (19.09) nga Po-ja e landit të Baden-Vyrtembergut, me një qeveri koalicioni mes socialdemokratëve dhe të Gjelbërve. Qeveria gjermane ndërkohë ka premtuar lehtësime në ligjin për azilin, sidomos në qëndrimin e detyruar në një rajon ku refugatatët janë të regjistruar, por edhe tek mundësia e punësimit. Në të ardhmen refugjatët janë të detyruar të qëndrojnë vetëm tre muaj në një vend të caktuar.

Shpërndarje më e mirë e refugjatëve në Europë

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka kërkuar një "mënyrë veprimi të kujdesshme dhe të përgjegjshme" me refugjatët, pas rritjes së dukshme të numrit të refugjatëve nga Siria dhe Iraku. Një reformim i ligjit të azilit do të mundësojë që të "ndihmohen ata që kanë nevojë urgjente për ndihmë", ka thënë Merkel. Edhe Minisitri i Brendshëm gjerman, de Maiziere kërkon përmes një iniciative të reduktojë numrin e azilkërkuesve. Së bashku me Francë, Poloninë, Spanjën dhe Britaninë e Madhe ai ka startuar iniciativën e një politikës së koordinuar europiane për refugjatët. Synimi është të shpërndahet barra në mënyrë të drejtë, pasi disa vende kritikojnë se marrin numrin më të madh të refugjatëve. Në fillim të tetorit ministrat e Brendshëm të BE-së do të diskutojnë për masat e reja në drejtim të politikës së azilit.