1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ligji kundër korrupsionit - Paralajmërim për Bundestagu-n

Shefat e koncerneve të mëdha gjermane kërkojnë që Bundestag-u ta ratifikojë më në fund konventën kundër korrupsionit. Shkaku: kompanitë shqetësohen për reputacionin e ekonomisë gjermane në botë.

Nëntë vjet më parë u arrit Marrëveshja e OKB-së kundër korrupsionit. 160 vende e kanë nënshkruar ndërkohë "Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit" (UNCAC). Marrëveshja obligon shtetet të marrin masa kundër zyrtarëve të korruptuar, pra kundër nëpunësve të tyre dhe anëtarëve të parlamentit, që korruptohen. Përveç kësaj nënshkruesit duhet të punojnë ngushtë së bashku ndërkombëtarisht në rastet e korrupsionit.

Por disa vende deri tani nuk janë të gatshme të bashkëpunojnë në luftën kundër korrupsionit, si Arabia Saudite, Siria, Sudani dhe Gjermania. Mosratifikimi në Berlin ka bërë të mblidhen tani shefat e 30 kompanive gjermane. Ata u kanë shkruar një letër kryetarëve të të gjitha partive parlamentare, si partive në pushtet CDU, CSU dhe FDP, ashtu edhe opozitës me PSD, të Gjelbrit dhe të Majtët. Menaxherët i bëjnë apel Bundestagut të zbatojë konventën e OKB-së kundër korrupsionit sa më shpejt të jetë e mundur.

"Mungesa e ratifikimit dëmton reputacionin e sipërmarrjeve ekonomike gjermane", thuhet në letër. Dërguesit janë kompanitë më të njohura në Gjermani. Nënshkrues janë shefat e koncerneve financiare gjermane, si Deustche Bank, Commerzbank dhe Allianz, të kompanisë elektronike Siemens, prodhuesit të automobilëve Daimler dhe specialistit të gazrave industriale Linde, si dhe bosët e kompanisë farmaceutike Bayer, të gjigantit energjitik Eon, të koncernit të shitjes me pakicë Metro dhe të Deutsche Telekom.

Ndryshon mendësia në ekonomi

Sipas mendimit të Jürgen Pauthner, iniciativa e menaxherëve të koncerneve bëhet për arsye se në vitet e fundit, ka patur një ndryshim mbarëbotëror të vlerave në ekonomi. Pauthner është ekspert për compliance dhe korrupsion në shkollën e Frankfurtit për financa dhe menaxhim. Termi teknik, compliance, ka të bëjë me respektimin e sjelljes në bazë të rregullores në sipërmarrje. "Kredibiliteti i kompanive, i individëve dhe kombeve të tëra, përsa i përket qëndrimit në bazë të rregullave, compliancës, ka marrë një vlerë të madhe ekonomike." Dhe këtu bën pjesë edhe moskorruptimi i deputetëve, thotë Pauthner në intervistë me DW.

Një vend demokratik si Gjermania duhet të gezojë kredibilitet në botë dhe të mos bëhet pa nevojë objekt i sulmeve", porosisin menaxherët kryesorë në letrën e tyre drejtuar kryetarëve të grupeve parlamentare. Industria gjermane është shumë e interesuar për një konkurrencë pa korrupsion dhe të ndershme në të gjitha vendet partnere. Shefat e koncerneve theksojnë se kompanitë gjermane ne shumë vende i nënshtrohen rregullave kundër korrupsionit për punonjësit e tyre. Ratifikimi do të mbështesë përpjekjet e ekonomisë në parandalimin e korrupsionit.

Christian Homburg, drejtor ekzekutiv i organizatës i antikorrupsionit Transparency International, e mirëpret kërkesën e shefave të koncerneve. "Është mirë që ata i janë bashkangjitur kërkesës, që shtron prej vitesh TI, që në Gjermani, më në fund, të ashpërsohet ndjeshëm dënimi në rastin e mitdhënies dhe mitmarrjes së deputetëve, me qëllim që Gjermania të mund të ratifikojë konventat e rëndësishme ndërkombëtare në këtë fushë."

Rregulla të pamjaftueshme në Gjermani

Gjermania në fakt e ka nënshkruar marrëveshjen para nëntë vjetësh, por ratifikimi ka mbetur në vend, pra miratimi i nevojshëm nga parlamenti. Arsyeja: nëse Bundestagu do ta miratonte atë, ryshfeti për deputetët do të dënohej me ligj. Në lidhje me këtë në Gjermani deri tani ka rregulla të paplota. Korruptimi i parlamentarëve ndëshkohet si e ashtuquajtur vepër e veçantë penale, në rastin kur është fjala për blerjen, apo shitjen e votave. Në fokus janë votimet në plenumin e mbarë Bundestagut, apo në komisionet e tij. Konsultimet në grupet e punës të grupeve parlamentare nuk janë të përfshira në të. Nëse një anëtar korruptohet, për të ndikuar në një votim të bërë aty, kjo ende nuk është e dënueshme. Dhe në këto forume merren shpesh vendime të rëndësishme paraparake për çështje teknike

Christian Humborg ka dyshim, se deputetët me jo-në e tyre ndaj ratifikimit duan të mbrojnë veten. Mosratifikimi ështe një sinjal jashtëzakonisht i turpshëm në botë, "Si mund t'i thuash Afganistanit të luftojë korrupsionin, kur ai dëshiron të marrë fonde të tjera nga Gjermania, në qoftë se vetë nuk e ratifikon këtë konventë."

Kancelarja Angela Merkel premtoi në samitet e G20 në aspektin e luftës kundër korrupsionit diçka, që vetë nuk e respekton, thotë Humborg në një intervistë me Deutsche Welle. "Dhe kjo është në sytë e botës padyshim një sjellje jo për t'u marrë si shembull."

Christian Humborg, drejtori ekzekutiv i organizatës i antikorrupsionit Transparency International

Christian Humborg, drejtori ekzekutiv i organizatës i antikorrupsionit Transparency International

"Këtë nuk e kupton askush"

Argumenti i koalitionit qeverisës nga CDU, CSU dhe liberalët FDP, për të kundërshtuar ashpërsimin e ligjit, është se një rregull më i rreptë do të pengote parlamentarët në ushtrimin e lirë të mandatit të tyre. "Këtë nuk e kupton asnjëri", thotë Jürgen Pauthner nga Frankfurt School. "Qoftë nga këndvështrimi ligjor, ashtu edhe nga ai ekonomik nuk ka argument, që një gjë e tillë të mos dënohet."

Kështu e shohin çështjen edhe shefat e koncerneve. Ata i bëjnë apel ndërgjegjes së parlamentarëve: "Deputetët me integritet nuk kanë përse të tremben nga ashpërsimi i rregullave". Në letrën e tyre drejtuar kryetarëve të grupeve parlamentare ata i bëjnë thirrje Bundestagut, që të mos presë gjatë me rishikimin e paragrafit kyç 108 të kodit penal.

Frika e partive në pushtet nga ashpërsimi është e pabazë, thotë edhe drejtori ekzekutiv i Transparency, Humborg. Ai nuk mund ta imagjinojë, që më vonë të ketë shumë procedura hetimore në parlament. "Aty ku është i nevojshëm ashpërsimi i rregullave", thotë Humborg, "është në rradhë të parë niveli komunal dhe zyrtarët e zgjedhur lokalë, pra anëtarët e këshillave komunalë, duhet të përfshihen nga këto paragrafë. Këtu mund ta marr me mend, se mund të ketë parregullsi."