1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ligji i zgjedhjeve në Shqipëri

4 Qershor 2011

Që pas mbarimit të votimeve për pushtetin lokal më 8 maj, në rastin e nxjerrjes së rezultatit për Bashkinë e Tiranës ende është i ndezur debati se si do të trajtohen ato vota që janë hedhur në kuti të gabuara.

https://p.dw.com/p/11UAG
Zgjedhje në Tiranë
Zgjedhje në TiranëFotografi: DW

Nëse nuk ka ende një rezultat final për Bashkinë e Tiranës kjo i dedikohet një fenomeni të ri që u shfaq në procesin e numërimit të votave pas ditës së zgjedhjeve. Votat e diskutuara janë gjykuar si të vlefshme, por ato figurojnë të hedhura nga qytetarët jo në kutinë e duhur por në një kuti tjetër. Për mazhorancën këto vota duhet të shqyrtohen sepse në këtë mënyrë lexohet verdikti i çdo qytetari. Kurse për opozitën përllogaritja e tyre është një mekanizëm që deformon rezultatin e zgjedhjeve në bashkinë më të madhe të vendit. Ish anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kujtim Puto i referohet përmbajtjes së Kodit Elektoral, ku sipas tij nuk parashikohet rasti kur një votë hidhet nga votuesi në një kuti tjetër. Kodi merr parasysh vetëm ato vota që janë hedhur në kutinë e duhur, thotë Puto për DW-në.“Kjo do të thotë që këto fletë votimi nuk duhet të llogariten. Nëse këto duhet të llogariteshin duhet që Kodi Elektoral ta thoshte një gjë të tillë. Mesa di unë praktika ka ecur në këtë drejtim, pra, që nuk janë konsideruar si të vlefshme, atëherë ky rregull dhe ky interpretim që është bërë në vazhdimësi nuk mund të ndryshohet gjatë lojës ose mbas saj, sepse mund të sjellë probleme që lidhen jo vetëm me vlefshmërinë e fletëve të votimit, por që çojnë në vlefshmërinë ose jo të zgjedhjeve.”

Fushata zgjedhore
Fushata zgjedhoreFotografi: DW

Por drejtori i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, Artan Hoxha, mendon se debati që po zhvillohet aktualisht mbi trajtimin e votave që janë hedhur gabim në një kuti tjetër duhet të fokusohet tek çështja thelbësore: a janë apo jo të vlefshme ato. Në këtë prizëm duhet të gjykojnë dhe instancat që marrin në shqyrtim ankesat e palëve, si KQZ ashtu dhe Kolegjit Zgjedhor, thotë Hoxha për DW. “KQZ ka mbajtur një qëndrim, u fut në proces si një komision zonal, shqyrtoi këto vota që ishin objekt diskutimi në grupet e numërimit dhe vendosi ti quajë ato të vlefshme. A është ky hap procedurial i KQZ 100 për qind i pastër? Këtë nuk di ta them. Por duket që argumentet që ka dhënë ky Komision në mbështetje të vendimit të saj janë të bollshme, koherente dhe logjike. Vota e hedhur në një kuti tjetër nuk mund të klasifikohen si të pavlefshme.

Përkundrazi, administrata zgjedhore kujdeset që në fillim të procesit që t`i marrë këto fletë nga ajo kuti dhe ti hedhë ku duhen. Është vështirë që dikush që do të ankohej kundër këtij parimi të mund të fitonte davanë.”

Mr. Kujtim Puto,
Kujtim PutoFotografi: DW

Kujtim Puto mendon se Gjykata Kushtetuese mund të vihet në lëvizje për këtë çështje, sepse sipas tij bëhet fjalë për një problem që është me rëndësi për palët dhe për opinionin publik. Shqyrtimi i këtij rasti në Kushtetuese duhet të bëhet kur të ketë mbaruar procesi vendimarrës nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, argumenton Puto për DW. “Për faktin se sipas nenit 134 të Kushtetutës, si dhe me atë nen që përcakton se cili subjekt dhe individ e vë në lëvizje këtë Gjykatë. Individët në këtë rast janë partitë, deputetët ose kryetarët e bashkive ku thuhet se Gjykata Kushtetuese shqyrton çdo ankesë të individëve kur ka pretendime për një proces jo të rregullt ligjor. Mendoj se nuk ka asnjë pengesë që çështja të shkojë Kushtetuese dhe ajo të investohet për këtë.”Artan Hoxha nga Instituti i Studimeve Bashkëkohore e shikon këtë variant si teorik. “Teorikisht çdo kush mund të bëjë ankesa në Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri apo në Gjykatën e Strasburgut, që i janë shkelur të drejtat themelore. Kjo më duket një mundësi teorike, pa asnjë efekt në rezultatin zgjedhor nga Kolegji Zgjedhor. Por mund t`i shërbejë përmirësimit të sistemit zgjedhor në të ardhmen”.

Artan Hoxha
Artan HoxhaFotografi: DW

Ish anëtari i Gjykatës Kushtetuese Kujtim Puto këmbëngul se për nga natyra e këtyre çështjeve me karakter politik dhe kushtetues organi më kompetent duhet të jetë Gjykata Kushtetuese. “Sepse kjo Gjykatë dhe anëtarët e saj kanë garanci më të mëdha për gjykimin me objektiv dhe të pananshëm të çështjeve” thotë ai për DW.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama