1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ligji i ri për dosjet e Stasit - verifikimet do të bëhen deri në vitin 2019

Dy dekada kanë punuar ish-bashkëpuntorët e Stasit në Autoritetin për Përpunimin e Dosjeve të Sigurimit. Shefi i ri i këtij autoriteti e bën të qartë se nuk do të durojë më në shtëpinë e tij bashkëpuntorë të Stasit.

Pamje ilustruse

Pamje ilustruse

Rreth 1.600 punonjës ka Autoriteti për Përpunimin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit të RDGJ-së. 45 prej tyre ishin vetë bashkëpuntorë të Stasit. Ata u punësuan në fillim të viteve 90-të nga i ngarkuari i parë federal, Joachim Gauck i cili me ndihëm e tyre dëshironte t'i verifikonte regjistrat e ndërlikuar dhe pirgjet e akteve kilometra të gjata. Të tjerët fituan një vend të punës për shkak se si shoferë apo roje konsideroheshin relativisht të pafajshëm. Megjithatë tani 20 vite më vonë i ngarkuari i tretë federal me përpunimin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit të RDGJ-së, Roland Jahn e bën të qartë se nuk do të durojë në shtëpinë e tij bashkëpuntorë të Stasit.

Në foto, Roland Jahn

Në foto, Roland Jahn

Gazetari 58 vjeçar dhe aktivisti i dikurshëm për mbrojtjen e të drejtave qytetare në ish-Gjermaninë Lindore, i cili edhe vetë ka qenë në burg gjashtë muaj dhe më vonë është dëbuar me forcë në Republikën Federale, thotë: "Çdo viktimë e Stasit e cila vjen tek ne mund të takojë në hyrje një ish-bashkëpuntor të Stasit. Kjo për ata është si një shuplakë në fytyrë prandaj disa nga të persekutuarit e kohës së RDGJ-së nuk i janë drejtuar fare zyrës sonë." 

45 punonjësit e ish- Sigurimit të Shtetit të RDGJ, të cilët kanë qenë deri tani të punësuar në Autoritetin për Përpunimin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit të RDGJ, Stasi do të transferohen në vende të tjera shërbimi në federatë. Këtë e parashikon rinovimi i debatuar i ligjit për Dosjet e Sigurimit të Shtetit, i cili u miratua tani nga Bundestagu me votat e koalicionit qeveritar.

Megjithatë miratimi i ligjit u shoqërua nga një debat i ashpër mes qeverisë dhe opozitës në Bundestag. Miratimi i ligjit ishte i nevojshëm për shkak se verifikimet në sektorin publik për aktet e Stasit ishin të kufizuara vetëm deri në fund të vitit 2011. 

Ndërsa Unioni Kristiandemokrat/Kristiansocial dhe liberalët e FDP-së transferimin në vende të tjera shërbimi në federatë me pagë të barabartë e vlerësuan si të arsyeshëm dhe që nuk bie ndesh me kushtetutën e vendit, deputetët socialdemokratë, të Gjelbrit dhe të Majtët thanë se paragrafi i ri në këtë ligj nuk është në përputhje me kushtetutën gjermane dhe me ligjin e punës.  

Verifikimi i mundshëm pa dyshime paraprake

Politikani socialdemokrat (SPD) Wolfgang Thierse tha se Partia Socialdemokrate ka kundërshtuar si "joproporcional" zgjerimin e verifikimeve 20 vjet pas ribashkimit të Gjermanisë.

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Ligji për dosjet e Stasit i cili tashmë është ndryshuar për herë të tetë i lejon punëdhënsit që të verifikojë jo vetëm drejtuesit e autoriteteve por edhe zyrtarët udhëheqës dhe të punësuarit, oficerët e lartë të policisë dhe gjykatësit. Përveç kësaj për shembull në raftet e dosjeve të Stasit që po të renditeshin do të arrinin një vijë prej 111 kilometrash të gjatë mund të kontrollohet edhe e kaluara e kryebashkiakëve. 

Sipas vullnetit të qeverisë të gjitha inspektimet janë të mundura pa dyshime konkrete, siç theksoi deputeti i FDP-së Rainer Deutschmann. Ne duam të pengojmë që keqbërsit e asaj kohe të bëjnë karrierë në sektorin publik. Prandaj mundësia e verifikimit është zgjeruar edhe në nivelin e mesëm udhëheqës. "Dhe pa pasur ndonjë dyshim konkret", tha Deutschmann.

Tani do të jetë e mundur që verifikimet të bëhen deri në vitin 2019, pëndryshe ato do të kishin marrë fund këtë vit.


Autor: Bernd Gräßler / Esat Ahmeti
Redaktoi: Elert Ajazaj