1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ligji i ri i sigurisë nxit tensione në Turqi

Pas miratimit të ligjeve të reja të sigurisë në Turqi kritikët frikësohen nga acarimi i mëtejshëm të klimës politike në vend. Edhe festa e 1 majit pas disa javësh mund të sjellë tensione të reja.

Pas një seance maratonë parlamenti në Ankara miratoi të premten me votat e partisë islame konservatore AKP një ligj të ri diskutueshëm penal për demonstratat, që i zgjeron policisë kompetencat. Ligji lehtëson arrestimin e demonstruesve dhe përdorimin e armëve të zjarrit në mitingje. Autoritetet mund të ndalojnë protestat më lehtë se deri tani. Pak pas kësaj u miratua edhe një ligj i ri për internetin. Ai i jep qeverisë të drejtën për të bllokuar brenda katër orëve faqet e padëshiruara të internetit pa urdhër të gjykatës.

Partia laike në opozitë CHP deklaroi se do të apelojë kundër ligjit të ri të sigurisë në Gjykatën Kushtetuese dhe se shkelen liritë themelore të qytetarëve. Kundërshtime priten edhe kundër ligjit të ri të internetit.

Opozita u druhet pasojave në fushatën zgjedhore

I kritikuar: Rexhep Tajip Erdogan

I kritikuar: Rexhep Tajip Erdogan

Me ligjin e ri të sigurisë qeveria po ndez "një bombë atomike " politike, komentonte politikani i CHP Levent Gëk në gazetën opozitare "Cumhuriyet". Hasip Kaplan nga partia kurde HDP u shpreh për "një paketë fashiste", që ka kaluar në parlament. HDP e ka paralajmëruar qeverinë disa herë nga miratimi i ligjit, sepse ky mund të pengonte procesin e paqes në mes Ankarasë dhe kurdëve, tha ai.

Me ligjin e ri merr fund "siguria e opozitës në zgjedhje“, tha Kaplan. Kështu qeveria falë kompentencave të reja në lidhje me përgjimin mund të përgjojë që tani çdo bisedë interne fushate të partive opozitare dhe të reagojë. "Cumhuriyet“ supozon se AKP me ligjin e ri i jep mundësinë vetes, që të ndërhyjë me ndihmën e policisë në numërimin e votave pas zgjedhjeve me 7 qershor. Ligji ndjek një urdhër të kryetarit të shtetit Rexhep Tajip Erdogan, i cili donte të hidhte kështu bazën për sistemin e tij presidencial.

"Që tani policia ka shumë kompetenca“

Qeveria thekson se të gjitha ndryshimet e reja bëhen bazuar mbi rregullat e BE, por kritikët e dyshojnë këtë. "Është shumë shqetësuese, që përsëri aprovohet një ligj, që i jep më shumë pushtet qeverisë për të vepruar kundër kritikëve dhe opozitës", tha Emma Sinclair-Webb, përfaqësuese për Turqinë në organizatën e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch, për Deutsche Welle. Ligji mund të sjellë me vete më shumë dhunë policore. Kësaj i frikësohet edhe Metin Bakkalci, sekretar i përgjithshëm i fondacionit turk për të Drejtat e Njeriut (TIHV). Që tani policia në Turqi ka "shumë, shumë kompentenca", i tha ai Deutsche Welles. Ky pushtet duhet kufizuar, dhe jo të zgjerohet më tej.

Meqë pritet që Erdogan ta aprovojë shpejt ligjin për sigurinë dhe për internetin, Turqia mund të gjendet shpejt para një testi. Manifestimet e 1 majit janë bërë prej vitesh shkak për konfrontime ndërmjet policisë dhe demonstruesve. Sidomos kundërshtimi i autoriteteve për kërkesën e sindikatave për të marshuar në sheshin qendror të Stambollit, Taksim, krijon tensione. Konfederata e majtë sindikaliste DISK bëri të ditur, se do të demonstrojë përsëri edhe këtë vit në ditën e 1 majit në Taksim. Nga ana tjetër guvernatori i Stambollit Vasip Sahin deklaroi para dy javësh se ai nuk do të japë lejen për mitingun në sheshin Taksim.