1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ligje të diskutueshme në Maqedoni

Në Maqedoni ndizet debati kundër projektligjeve të qeverisë për letërnjoftimet dhe vendbanimin. Partitë shqiptare dhe ato në opozitë i konsiderojnë projektligjet antikushtetuese dhe paralajëmrojnë me votën kundër tyre.

Ndryshimet në ligjin për letërnjoftim dhe banim, parashikojnë që qytetarëve, të cilët qendrojnë jashtë Maqedonisë më shumë se 3 muaj, t'u hiqet adresa e banimit, duke iu pamundësuar nxjerrjen e letërnjoftimit të ri në të ardhmen. Në arsyetimin e qeverisë, thuhet se këto ndryshime bëhen pasi gjatë zbatimit të ligjit, janë konstatuar probleme të shumta në përcaktimin e adresave të banimit dhe për shkak të hezitimit të qytetarëve për të zëvëndsuar letërnjoftimet deri në skadimin e afatit të tyre, pavarësisht se ku jetojnë. Mirëpo pa marrë parasysh këtë arsyetim, ndryshimi i dy ligjeve, ai për letërnjoftimin dhe për banim, që në fillim janë vlerësuar si të diskutueshëm, meqënëse ato krijojnë hapësira për manipulime të shumta.

BDI kundër propozimit të ndyshimeve të ligjit

Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi, ndryshimet e propozuara i ka vlerësuar si antikushtetuese. Ai paralajmëron votën kundër gjatë aktit të votimit. “Normat që propozohen janë në kundështim me Kushtetutën. Neni 27 i Kushtetutës e njeh të drejtën dhe lirinë e qytetarit që në mënyrë të ligjshme e pa ndërhyrje të mund ta zgjedhë vendbanimin e tij. Ndryshimet e pamundësojnë një gjë ët tillë”, thotë Talat Xhaferi.

Grupi parlamentar i BDI-së ka vërejtje edhe në riformulimin e nocionit vendbanim, paraqitjen e vendbanimit të përkoshhëm dhe mundësinë për shlyerjen nga evidenca të vendbanimit të përhershëm. BDI përmes amandamenteve, do të angazhohet që ta pengojë miratimin e këtyre dy ligjeve në formën siç janë propozuar ato nga qeveria.

Opozita i vlerëson ndryshimet e ligjit si antiqytetare

Edhe partia opozitare shqiptare PDSH, vlerëson se këto ndryshime në masë të madhe do të prekin banorët shqiptarë që ndodhen me punë të përkohëshme jashtë vendit. “Dy projektligjet, janë ligje shfarosëse që kanë për qëllim t'i lenë pa nam e nishan, pa adresë e pa vatan, si të huaj në vendin e vet, mbi 200 mijë shqiptarë kurbetlinj, që për shkak të politikës diskriminuese të kësaj qeverie, janë të detyruar të ikin nga venbdlindja”, thotë deputeti i PDSH-së ,Gazmend Aliji.

Rezerva ndaj ligjeve në fjalë kanë shprehur edhe disa parti maqedonase, që janë pjesë e shumicës parlamentare të VMRO-DPMNE-së. Pavle Trajanov, deputet i Lidhjes Demokratike dhe ish-ministër i punëve të brendëshme, vlerëson se ligjet nuk duhet të miratohen në formën që janë propozuar: “Ligji për letërnjoftime dhe për banim, duhet të kalojë në një debat të gjrë publik, pasi si për njërin ashtu edhe për tjetrin, ka shumë dyshime. Këto ligje nuk duhet të miratohen në këtë formë. Fshirja me automatizëm e qytetarit nga vendbanimi, nëse ai për tre muaj nuk qendron në Maqedoni, cënon lirinë dhe të drejtat themelore të qytetarit”, shprehet Trajanov.

Partia e minoritetit turk në Maqedoni THP, është e shqetësuar për ndryshimet në ligjin për letërnjoftim. Sipas kësaj partie, pushteti po tenton të krijojë kushte të volitshme për manipulime. “Përveç manipulimeve dhe mashtrimeve gjatë zgjedhjeve, me këto ligje do të manipulohet edhe në regjistrimin e popullatës, dhe me këtë do të ulet qëllimisht numri i bashkësisë turke në Maqedoni”, thonë nga THP.

Mërgimtarët më të prekur nga ndryshimet e ligjit

Analistët thonë se ndryshimet janë propozuar nga VMRO-DPME, me qëllim të manipulimeve zgjedhore në të ardhmen, dhe fshirjen e mërgimtarëve shqiptarë nga regjistrimi i ardhshëm i popullsisë. Profesori unversitar Izet Zeqiri, thotë se me këto ndryshime synohet të fshihen mërgimtarët si banorë rezidentë të Maqedonisë. Ai thotë se diaspora ka një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të vendit. “Remitencat nga mërgimtarët janë një infuzion i domosdoshëm për ekonominë e Maqedonisë. Qeveria, me përjashtimin e tyre nga vendbanimet rezidente, bën një akt vetëvrasës “, thotë profesor Zeqiri.

Edhe profesori i së drejtës kushtetuese Mersim Maksuti pajtohet se këto ndryshime prekin pikërisht diasporën shqiptare. “Me këto ndryshime hapet rruga e përjashtimit të diasporës nga e drejta e votës. Pra mërgimtarët në të ardhmen nuk do të mund të përfshihen në listat zgjedhore në Maqedoni. Kategoria e mërgimtarëve shqiptarë, mund të anashkalohet edhe nga regjistrimi i ardhshëm i popullsisë. Kjo nuk duhet të lejohet nga partitë shqiptare, qofshin ato në pozitë apo në opozitë”, thotë Maksuti.

Analisti politik Alajdin Demiri, thotë se në këtë formë siç janë propozuar ligjet për letërnjoftim dhe vendbanim, në Maqedoni mund të ndodhë pastrimi etnik i shqiptarëve. Fillimisht dëmet nga miratimi i këtyre ligjeve do të ndjehen në zgjedhje. “Nga Lista e vetme Zgjedhore, mund të fshihen shumë votues shqipatrë. Me humbjen e së drejtës së votimit, shqipatrët do të humbasin edhe mundësinë për të pasur kryetar shqiptar komune në Strugë, Kërçovë ndërsa rrezikohet edhe Gostivari dhe disa komuna të tjera që kanë një numër të konsiderueshëm të mërgimtarëve”, shprehet Demiri

Projektligjet për letërnjoftime dhe banim, së shpejti do t'u paraqiten deputetëve në parlament, por sipas reagimeve të para vështirë se mund të pritet miratimi i tyre, pasi për të është e nevojshme shumica e Badenterit, që nënkupton se ligjet nuk mund të kalojnë pa votën e deputetëve shqiptarë.