1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ligj i ri elektoral në Shqipëri? - Aksion i partive të vogla për ndryshimin e kodit elektoral

Në Shqipëri të gjitha partite politike të spektrit të majtë, të djathtë dhe të qendrës jane përfshirë në një aksion për të bërë presion dhe lobim kundër dy partive të mëdha PD dhe PS, për të ndryshuar kodin elektoral.

Komisioni qendror i zgjedhjeve në Tiranë.

Shtabet e partive të ashtuquajtura të vogla i kanë lënë dallimet dhe sulmet mes tyre dhe tashmë janë bërë bashkë. Aksioni i tyre politik është kundër dy të mëdhenjve të politikës: Partisë Demokratike, që është partia kryesore qeverisëse dhe Partisë Socialiste, si partia më e madhe e opozitës. Përpara se të nisë sezoni parlamentar dhe politik në fillim të shtatorit, krerët e partive të vogla janë duke shfrytëzuar gushtin në shpalosjen e një qëndrimi unik, se kodi elektoral aktual duhet të ndryshojë. Me në thelb sistemin proporcional rajonal, sipas tyre, ky kod favorizon vetëm PD e PS, duke dëmtuar gjithë të tjerat. Ndërkohë që një sistem i tillë, po sipas tyre, vë në rrezik pluralizmin politik në vend.

Por analistët e pavaruar politikë e shikojnë këtë mobilizim e presion të të vegjëlve si një aksion që nuk do t'u sjellë probleme të mëdha demokratëve e socialistëve. Edhe sepse ata që kundërshtojnë sot këto dy parti kryesore në Shqipëri, janë në pjesën dërmuese aleatët e tyre në dy koalicionet e mëdha zgjedhore.

Analisti Afrim Krasniqi thotë për DW se partitë në këtë lëvizje të tyre nuk janë në pozicionin e duhur. Duke qënë aleate të PD e PS ato në radhë të parë duhet të bëjnë kërkesa brenda koalicioneve të mëdha ku janë pjesëtare.

Analisti Afrim Krasniqi.

Analisti Afrim Krasniqi.

“Do të duhet të kërkonin mbledhjen e tryezës së aleatëve të koalicionit, e cila më vonë t'i propozohej palës tjetër, në opozitë apo në mazhorancë. Fakt është që kjo nuk është bërë dhe dy të mëdhenjtë PD e PS nuk janë të përgatitur për ndryshime drastike në kodin elektoral. Interesi i tyre është vajtja në zgjedhje me këtë formulë të përgjithshme, vetëm me disa ndryshime të vogla që vijnë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it”.

Kurse analisti politik Enton Abilekaj shikon një element tjetër që e bën të pafuqishëm, sipas tij, zërin e aksionit që kanë ndërrmarrë të vegjlit kundër dy të mëdhenjve. Ai argumenton se brenda tyre ka dhe parti që kanë përfituar nga kodi aktual elektoral, siç janë LSI, PDU, PR e PBDNJ.

Analisti Enton Abilekaj.

Disa parti të vogla kanë përfituar nga kodi aktual elektoral mendon analisti Enton Abilekaj.

“Këto janë përfituese nga ky kod elektoral, d.m.th. janë parti që janë bërë faktor në parlament pikërisht për shkak të këtij kodi. Dhe duke qenë se ky sistem favorizon ato parti, të cilat kanë forcë territoriale rajonale të dukshme, besoj se këto parti parlamentare do të jenë kundër ndryshimit të kodit në këtë pikë."

Sipas Abilekajt ky element thelbësor e fut në konflikt interesi dhe e përçan aksionin e përbashkët që kanë ndërrmarrë të gjitha partitë kundër PD e PS. Ai e shikon përbërjen parlamentare me pak parti politike në favor të zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë.

“Është më shumë në favor të stabilitetit dhe është shumë në favor të një qeverisje që nuk është e detyruar që të bashkëpunojë me parti që nuk e gëzojnë praktikisht mbështetjen e elektoratit."

Analisti Afrim Krasniqi mendon se është shpejt për të gjykuar nëse sistemi aktual proporcional rajonal që zbatohet në Shqipëri është i suksesshëm apo i dështuar. Krasniqi thotë për DW se një sistem i tillë është zbatuar për herë të parë në zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar.

“Në gjuhën politike do të duhet që një sistem elektoral të aplikohet në tre zgjedhje për ta gjykuar nëse është i suksesshëm ose jo. Nëse marrim sistemin e vitit 2009 ai pati një defekt themelor: nëse lexojmë votat e dhëna nga qytetarët shqiptarë, PD e PS vetëm për shkak të sistemit që ato miratuan së bashku, kanë fituar 18 mandate më shumë se sa janë dhënë vota realisht nga elektorati."

Për Krasniqin pikërisht nga ky sistem doli që partia më e madhe që qeveris aktualisht vendin është partia e dytë në listën proporcionale të votimeve. Ai shton se, Shqipëria nuk është ende e përgatitur për një sistem politik bipartiak dhe aq më tepër kur listat e deputetëve janë të mbyllura, pra që hartohen nga kryetarët e partive.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 02.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OaDY
  • Data 02.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OaDY