1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ligj i diskutueshëm për mediat në Maqedoni

Publikimi i tekstit të projektligjit për media ka trazuar shpirtrat e komunitetit mediatik në Maqedoni. Institucionet mediatike dhe gazetarët profesionistë protestojnë kundër mospërfshirjes së tyre.

Ligji i ri për media parasheh ndryshime rrënjësore dhe detyrime në strukturën dhe punën e mediave. Në të në mënyrë strikte janë dhënë të drejtat dhe obligimet për gazetarët, redaktorët, pronarët e mediave si dhe plotësimi i kushteve për dhënien e lejeve për veprimtari mediatike. Projektligji për mediat ka shkaktuar reagime të ashpra në komunitetin mediatik, të cilët thonë se nuk janë konsultuar për përpilimin e ligjit, tejet të rëndësishëm për punën e tyre. Projektligji, i cili është prezantuar në opinion, është përgatitur në një atmosferë krejtësisht të tensionuar. Mungesa e transparencës dhe mospërfshirja e institucioneve mediatike dhe gazetarëve në përpilimin e ligjit për media, ka qënë arsyeja kryesore që debati publik për ligjin në fjalë të bojkotohet nga Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë, Instituti për media dhe Qendra për zhvillim të mediave.

Trasparenca e domosdoshme për përpilimin e ligjit

Kryetari i Shoqatës të gazetarëve, Naser Selmani

Kryetari i Shoqatës të gazetarëve, Naser Selmani

Kryetari i Shoqatës të gazetarëve Naser Selmani, thotë se Qeveria ligjin e përgatiti në një atmosferë gjysmë ilegale dhe në mënyrë jotransparente: "Qeveria insiston që në afate të shkurtra të miratohet ligji, pa iu dhënë mundësi komunitetit mediatik që në mënyrë serioze ta lexojë, analizojë dhe të bëjë vërejtje dhe propozime për ndryshime. Ne kërkojmë që afati i debatit publik të shtyhet me tre deri në pesë muaj", shprehet Selmani.

Hapësira mediale kërcënohet nga qeveria

Partneriteti mes qeverisë dhe komunitetit mediatik do të mundësonte arritjen e vendimeve të pranueshme për të dyja palët, të cilat do të mundësonin përparim në sferën e lirisë të së shprehurit. Një partneritet i tillë ka munguar gjatë përpilimit të propozim-ligjit ndaj ky ligj nuk mund të pranohet nga gazetarët, thotë gazetarja Sllobodanka Jovanovska: "Kjo qeveri nuk duhet fare të merret me ligjin për media sepse vlerësoj se ajo nuk ka kapacitete demokratike për të krijuar hapësirë mediale në të cilën gazetarët të mund të punojnë lirshëm dhe në mënyrë objektive", shprehet Jovanovska.

Frika e gazetarëve nga censura

Reagime më të ashpra ka shkaktuar neni 4 i ligjit, me të cilin parashihet kufizimi i lirisë së shprehjes edhe pse censura është e ndaluar me Kushtetutën e Maqedonisë. Në këtë nen thuhet se liria e mediave mund të kufizohet, kur kjo do të jetë e detyrueshme për shkak të mbrojtjes së sigurisë kombëtare, për shkak të pengimit të trazirave dhe veprave të dënueshme apo për shkak të mbrojtjes së autoritetit dhe të pavarësisë të pushtetit gjyqësor.

Gazetarja Sashka Cvetanovska, thotë se me nenin 4 të ligjit, qeveria do ta ketë shumë më lehtë t'i bëjë të heshtin gazetarët që merrem me gazetari hulumtuese: "Do ta kenë shumë lehtë për të na e mbyllur gojën. Të gjitha rastet e gazetarisë hulumtuese kanë të bëjnë me integritetin e gjyqësisë dhe ata në çdo moment mund t'i vënë embargo publikimit të një historie të tillë", thotë Cvetanovska.

Miratimi i ligjit për media në një shoqëri ku shprehja e lirë është e brishtë krijon frikë të madhe, të përkujton censurën, por qeveria ka forcë për ta sjellë ligjin edhe pa konsultuar komunitetin gazetaresk, thotë gazetarja Snezhana Llupevska. "Ne mund të intervenojmë në procesin e miratimit të ligjit përmes amendamenteve në veçanti në ato pjesë ku mund të përdoret censura”, shprehet Llupevska.

Sindikata e gazetarëve proteston

Sindikata e pavarur e gazetarëve të Maqedonisë vlerëson se ligji i ri paraqet hyrje në censurë. Tamara Çausidis, kryetare e sindikatës thotë se do të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat për të penguar miratimin e projektligjit në formën e propozuar nga qeveria. "Përkufizimet që shkelin lirinë e shprehjes hapin dyert e censurës. Qeveria në vazhdimësi manifeston arrogancë dhe cinizëm ndaj mediave. Mënyra si është hartuar ligji i përngjan arkivolit për të varrosur gazetarinë edhe ashtu të vrarë në Maqedoni”, thotë Tamara Çausidis, kryetare e Sindikatës së pavarur të gazetarëve.

Nuk është gjithçka e përfunduar

Ministri i shoqërisë informative, Ivo Ivanovski

Ministri i shoqërisë informative, Ivo Ivanovski

Ministri i shoqërisë informative Ivo Ivanovski, thotë se versioni i hartuar i ligjit nuk është përfundimtar dhe se në versionin i cili do të gjendet në Parlament do të merren parasysh konsultimet me ekspertë të njohur ndërkombëtarë dhe praktika e vendeve të zhvilluara. Ai thotë se edhe vërejtjet dhe sugjerimet e gazetarëve nga mediat e vendit do të merren parasysh nëse ato do ta përmirësojnë cilësinë e ligjit.

Bashkimi Evropian, lirinë e shprehjes dhe çështjet e mediave në përgjithësi e ka vënë si një nga kushtet kryesore për caktimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.