1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liga Arabe dhe Siria

21 Shkurt 2012

"Tigër prej letre", ose "fjalëshumë" është quajtur Liga Arabe që prej krijimit të saj në vitin 1945- Por me Revolucionin Arab kjo ndryshoi. Këtë e tregon në mënyrë të veçantë lufta civile në Siri.

https://p.dw.com/p/1469k
Liga Arabe në Kairo
Liga Arabe në KairoFotografi: dapd

Pavarësisht nga inisiativa që ndërmerr Liga Arabe, në Asamblenë e Përgjithshme të KB, në Këshillin e Sigurimit të KB apo në dialog me regjimin e Damaskut, të gjitha kanë një synim, thotë algjeriani Ahmed Benhelli, zëvendës i Nabil al-Arabi, pra nënsekretar i përgjithshëm i Ligës Arabe. Dhe ky synim është "zgjidhja paqësore e kofliktit në Siri":

"Fillimisht dhënie fund e dhunës. Nga ana e qeverisë dhe nga ana e opozitës. Pastaj krijimi i një qeverie kalimtare, për krijimin e të cilës presidenti ia kalon pushtetin zëvendësve të tij. Qeveria zhvillon zgjedhje të reja. Pastaj bëhet përpunimi i një kushtetute të re dhe reformave të reja."

Takim i Ligës Arabe në Kairo
Takim i Ligës Arabe në KairoFotografi: Reuters

Këto hapa duhen respektuar. Gjë që do të thotë se Liga Arabe refuzon iniciativën e presidentit sirian Bashar al-Assad për të zhvilluar javën e ardhshme një referendum për nxjerrjen e një kushtetute të re. Si mund të jetë një votim reprezentativ ku një pjesë e popullsisë është e përjashtuar, sepse në vende të caktuara sundon dhuna.

Kështu i vlerëson Ahmed Benhelli përpjekjet e qeverisë siriane për të tërhequr për hunde publikun botëror duke bërë manovra si ajo me referendumin për kushtetutën. Por çfarë mund të bëjë Liga Arabe? Ose Kombet e Bashkuara? "Nëse nuk arrihet marrëveshja me Sirinë për një qeveri kalimtare dhe nuk arrihet kompromis midis opozitarëve, atëherë do të ketë luftë civile, sidomos po të kihet parasysh mozaiku i pakicave që jetojnë në Siri, si myslimanë, të krishterë, shiitë, sunitë, armenë, kurdë, druzë. Dhe konflikti mund të përfshijë gjithë rajonin. Libanin ose Irakun. Irakianët kanë frikë nga kjo."

Rreziku që rajoni të përfshihet në luftë është i madh edhe nëse mendohet ndonjë ndërhyrje ndërkombëtare. Prandaj, thotë Benhelli, Liga Arabe është si të thuash e paralizuar.

Vëzhgues të Ligës Arabe
Vëzhgues të Ligës ArabeFotografi: picture-alliance/dpa

Argumentimin e Ligës në rastin e Libisë, një vit më parë, për thirrjen e ndërhyrjes ushtarake duke bërë një hap më të madh se sa në rastin e Sirisë, ai e hedh poshtë menjëherë. Al Gaddafi ishte i vendosur që të pranonte vrasjen e dhjetëra mijëra vetëve. Aty duhej vepruar. Po në rastin e Bahrejnit, një vit më parë? - Gjatë trazirave në këtë vend të vogël të Mbretërisë së Gjirit, Liga Arabe heshti edhe kur Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe e ndihmuan këtë vend me tanke për të shtypur kryengritjen. "Bahrejni është një rast i veçantë. Pse? E para sepse Bahrejni është pretenduar nga Irani të jetë provincë e tij. Prandaj Bahrejni ka një rol të veçantë. Dhe e dyta, edhe sepse në Bahrejn ka shiitë dhe sunitë. Nëse njëra palë, shiitët, zëvendësojnë sundimtarët sunite, atëherë kjo shkëndijë mund të ndezë edhe monarki të tjera të Gjirit."

Shkëndija e revolucionit. Në Libi, siç thamë Liga Arabe e pranoi duke ndezur edhe vetë flakët. Kurse në Siri, nga frika e përhapjes së zjarrit, ajo kërkon ndryshime por me mençuri.

Autor: Bjrön Blaschke/ Aida Cama

Redaktoi: Angjelina Verbica