1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Lidhja e fortë gjermano-franceze

Të bashkuar në pikëllim: Qeveria gjermane dhe ajo franceze takohen të martën në Berlin në një mbledhje të përbashkët.

Fillimisht janë parë me mosbesim, kristiandemokratja Angela Merkel dhe socialisti François Hollande. Kur Hollande në maj 2012 u bë president i Francës, ai nuk e kishte të lehtë me kancelaren, e cila kishte mbështetur fushatën zgjedhore të paraardhësit të tij Nicolas Sarkozy .

Sidomos në politikën evropiane ka patur dferenca në mes kryeministres më të fuqishme të Evropës dhe "të riut" Hollande, i cili nuk pajtohej me politikën e kursimeve të Merkelit. Vëzhguesit flisnin për një "antipati reciproke".

Për këtë nuk mund të bëhet më fjalë: Të dy ia kanë gjetur anën njëri-tjetrit, gjë që duket sidomos në situata krize. Pas rrëzimit të avionit gjerman Germanwings të dy fluturuan me helikopter mbi vendin e aksidentit në Alpet franceze të bashkuar në hidhërim dhe mbajtën zi për 150 viktimat. "Është një ndjesi e mirë që ne i qëndrojmë pranë miqësisht njëri-tjetrit në një kohë kaq të vështirë", i tha Merkel Hollande. Kjo është "miqësia franko-gjermane e jetuar".

Rritje e besimit

Të martën kancelarja do të presë Hollande me nderime ushtarake në zyrën e kancelares dhe të dy do të zhvillojnë pastaj një bisedë kokë më kokë, para se të marrin pjesë së bashku në seancën plenare të kabineteve. Tragjedia e rrëzimit të avionit, e shkaktuar qëllimisht nga piloti, do të jetë përsëri në rend të ditës.

Rritja e besimit ndërmjet Merkel dhe Hollande u bë e dukshme në janar pas sulmeve ndaj revistës satirike pariziane "Charlie Hebdo": Aty kancelarja, përndryshe e tërhequr, u mbështet pak te Hollande për të shprehur prekjen dhe ngushëllimin.

"Raporti i tyre është bërë shumë më i mirë edhe nga momentet e vështira të përbashkëta", thotë profesor Frank Baasner, drejtues i institutit gjermano- francez në Ludwigsburg. Të dy janë tipa të ngjashëm politikanësh, shumë të kujdesshëm dhe që kërkojnë konsens.

Në vendin e rrëzimit të avionit në Alpet franceze

Në vendin e rrëzimit të avionit në Alpet franceze

Bisedime deri natën vonë

Jo vetëm situatat e jashtëzakonshme, por edhe iniciativat e përbashkëta politike i lidhin të dy politikanët. Në Minsk Merkel dhe Hollande negociuan me presidentet e Rusisë dhe Ukrainës deri natën vonë për zbatimin e marrëveshjes së paqes për Ukrainën lindore#.

Sipas vlerësimit të Baasner është një "refleks i mirë" i Merkelit për ta përfshirë Francën. "Kjo u jep francezëve përshtypjen se janë një partner i domosdoshëm në Europë, gjë që edhe janë."

Megjithë marrëdhëniet shumë të ngushta ndërmjet Gjermanisë dhe Francës, të cilat shpesh quhen "tandem", "boshti Berlin-Paris", apo "motor i BE-së", ka edhe dallime, veçanërisht në politikën ekonomike.

Sipas këndvështrimit francez Gjermania eksporton shumë duke dëmtuar fqinjët. Nga perspektiva gjermane qeveria franceze nuk po e menaxhon me sukses krizën ekonomike dhe borxhin e lartë të shtetit dhe nuk i zbaton me konsekuencën e duhur reformat.

Në bisedimet për paqen në Minsk

Në bisedimet për paqen në Minsk

Dallimet në politikën ekonomike

Kështu Shoqata gjermane e Industrisë (BDI), paralajmëroi para takimit të përbashkët të kabinetit, se qeveria franceze duhet të largojë dyshimet në lidhje me rrugën e saj të reformave. Që Franca ka marrë nga Komisioni Evropian një shtyrje të mëtejshme deri në 2017 për të arritur objektivin e tre për qindëshit për borxhin e ri, do të thotë "një besim i madh evropian", thotë shefi i BDI, Ulrich Grillo.

Por Grillo theksoi gjithashtu se Gjermania dhe Franca kanë të njëjtin një qëndrim në çështjen e Greqisë dhe politikën ndaj Ukrainës. "Që tandemi franko-gjerman funksionon." Këtë e dëshmon edhe votimi i ngushtë në mbledhjet e përbashkëta të qeverive, të cilat mbahen zakonisht dy herë në vit që nga viti 2003, dhe që mbështeten në një traditë të gjatë. Konsultime ndërqeveritare franko-gjermane ka që nga viti 1963.