1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Lidhja Arabe mbështet al-Bashirin- Samiti në Doha përfundon më parë se ç´ishte parashikuar

Takimi i planifikuar që të zgjaste dy ditë u mbyll mbrëmë në kryeqytetin e Katarit Doha me një mbledhje publike, gjatë së cilës sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Amre Musa lexoi deklaratën mbyllëse.

default

Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite, djathtas, presidenti i Sudanit, Omar al-Bashir dhe presidenti Sirisë, Bashar Assad, majtas, në Doha, 30 mars 2009

Shtetet e Lidhjes Arabe e shkurtuan samitin e tyre në Katar. Krejt papritur mikpritësi i takimit, Katari, e afroi mbledhjen mbyllëse me rreth 12 orë, sikur pjesëmarrësit të ishin të ishin ngopur me fjalët e tyre. Deklarata mbyllëse nga ana tjetër nuk fshihte të papritura. Samiti mbështeti qartë presidentin sudanez, Omar al-Bashir. E refuzojmë urdhërarrestin kundër al-Bashirit, thuhej në komunikatë. Gjatë paradites presidenti sirian Bashar Al-Asad kishte shprehur atë, që mendon shumica e botës arabe:

"Urdhërarresti me akuzë të manipuluar i Gjykatës Penale Ndërkombëtare kundër një udhëheqësi arab përbën një hap për ndarjen e Sudanit për të siguruar hyrje tek rezervat e këtij vendi, si pjesë e rikolonizimit."

Al-Bashir falënderoi për mbështetjen:

Katar Al Baschir in Doha Gipfeltreffen der Arabischen Liga

Presidenti i Sudanit, Omar al-Bashir, në takimin e Lidhjes Arabe

"Të dashur vëllezër, ne e çmojmë ndihmën tuaj për Sudanin. Do zoti, kjo ndihmë do të vazhdojë duke u marrë vendime të qarta dhe të fuqishme, me anë të të cilave të refuzohet urdhërarresti dhe të kërkohet tërheqja e tij."

Marrja e afërt e detyrës prej qeverisë së re të djathtë në Izrael ishte një prej temave më të rëndësishme të samitit. Presidenti i Sirisë al-Asad tha para pjesëmarrësve se nuk pret gjë prej kësaj qeverie:

"Kjo do të thotë që paqja nuk lejohet të kthehet në peng të ndërrimit të qeverisë në Izrael. Një qeveri e re ekstremiste nuk do të thotë shndërrim, pasi e djathta në Izrael është njëlloj si e majta, apo si qendra. Të gjithë janë në garë për derdhjen e gjakut arab. Kjo tregon se shoqëria izraelite nuk është e gatshme për paqe.

Al-Assad e trajtoi me hollësi ofertën për paqe drejtuar Izraelit në vitin 2002. Kjo ofertë parashikon paqe dhe marrëdhënie normale midis Izraelit dhe botës arabe në këmbim të tërheqjes së Izraelit nga territoret e pushtuara dhe kështu tha al Assad shprehimisht, të një zgjidhjeje të drejtë për refugjatët palestinezë.

"Kur e ndërmorëm këtë nismë arabe që prej fillimit nuk patëm partner të vërtetë në Izrael, por synimi i kësaj nisme nuk arrihet vetëm. Praktikisht kjo do të thotë se nisma nuk është e vlefshme, pasi ajo nuk vihet në zbatim."

Zyrtarisht samiti konstatoi: "Nisma e paqes nuk do të vlejë gjatë si ofertë. Detyrimi arab kundrejt saj varet nga ajo, nëse Izraeli e pranon." Me sa duket në temën e Iranit nuk pati përparim konkret. Por shumë folës dënuan çdo përpjekje të fuqive të huaja për të ushtruar ndikim tek bota arabe. Kampi i të ashtuquajturave shtete të matura arabe e akuzon Sirinë ndër të tjera se vepron si mëkëmbës i Iranit.

Autor: Carsten Kühntopp/Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica


  • Data 31.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HNQx
  • Data 31.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HNQx