1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Libri i Thilo Sarrazinit "Gjermania eleminon veten" dhe efekti në media

Banka Federale të enjten kërkoi largimin nga detyra të THilo Sarrazinit. "Gjermania shfyuqizohet" ka polarizuar së tepërmi Gjermaninë dhe është kthyer në temë qendrore të mediave në ditët e fundit.

Autori tepër i diskutuar Thilo Sarrazin

Autori tepër i diskutuar Thilo Sarrazin

Që nga dita e hënë, libri i Thilo Sarrazin-it, "Gjermania eleminon veten - Si po e rrezikojmë vendin tonë" - gjendet në libraritë gjermane. Anëtari i kryesisë së Bankës Federale, e cila të enjten kërkoi largimin e tij nga detyra, si edhe ish-senatori i Berlinit trajton në këtë libër temën e tij më të preferuar: Si po e pushtojnë myslimanët Gjermaninë. Reagimet janë të ashpra.

Sarrazini në talk-show

Në një talk-shou qëndron ulur një burrë 65 vjeçar, që gati humbet pas syzeve. Përballë tij një drejtues emisioni dhe shumë fytyra të njohura nga politika dhe gazetaria gjermane. Askush nuk është miqësor. Thilo Sarrazin flet me zë të ulët, me një artikulim jo të pastër të gërmës s-, pas pak kohe zëri tij mbulohet nga të tjerët. Tema e shout: Libri i tij "Gjermania eleminon veten" dhe tezat e Sarrazinit mbi emigrantët dhe integrimin.

"Gjermania po bëhet gjithnjë e më varfër dhe më e pagdhendur", thuhet në këtë libër, dhe kritikohen barrierat e migrimit, rregullat e integrimit dhe asistencat për emigrantët. Por pse shkakton kaq shumë debat një libër i tillë, duke i ofruar autorit një prezencë mediatike, për të cilën ai vetëm mund të gëzohej.

Libri i Sarrazinit skandalizon - një pre e mirëpritur për mediat

Claus Leggewi është politolog dhe drejton Institutin për Shkencat e Kulturës në Essen: Ai e shpjegon kështu zhurmën për librin e Sarrazinit:

"Ne i kërkojmë temat që janë lidhura më një histori interesante mbi një person. Këtu kemi të bëjmë me një ish-senator financash, bankier të Bankës Federale, i cili diskrediton një formë të caktuar të politikës së integrimit në dekadat e shkuara. Kjo i intereson sistemit mediatik në vetvete, pasi ka një relevancë të lartë lajmi për një kohë të shkurtër, për shkak të sensacionit që sjell skandali. Kjo është një lojë, dhe ka pak të bëjë me përmbajtjen e librit, por me ricklimin mediatik. Kur vjen puna tek Sarrazini, ndahen mendimet. Dhe kjo i intereson shumë njerëzve, që kanë ndjesinë se mendimet e tyre nuk shfaqen në opinionin publik."

Zemërimi dhe protestat nuk kanë të ndalur. Me zë të lartë u kërkua përjashtimi i tij nga partia socialdemokrate, (SPD) dhe Banka Federale. Deklaratat e Sarrazinit për myslimanët e ardhur në Gjermani dhe trashëgiminë hebreje janë ekstremisht polarizuese. Por Sarrazini nuk gjen vetëm refuzim. Claus Leggewi shpjegon psenë:

"Shumë njerëz që janë kritikë ndaj fesë islame, kanë ndjesinë se në Gjermani nuk mund ta kritikosh këtë fe, pasi ka një sërë politikanësh, korrektë nga ana politike, që nuk e lejojnë këtë. Kjo është sigurisht e gabuar. Po të shohësh numrin e publikimeve, sigurisht që kritikat kundër fesë islame janë më shumta në numër se sa një lloj islamofilie."

Reagimet e mediave ndaj Sarrazinit

Reagimet e mediave janë nga më të ndryshmet. Gazeta "Die Welt" shkruan: "Sarrazini i ka punët keq.. të duket sikur je në një skenë eksorcizmi". Sikur problemet do të zhbëheshin, po qe se hiqet qafe një Sarrazin. Nuk është kështu"

Në "Frankfurter Allgemeine Zeitung" lexojmë: " Ai prapë vazhdon. Po kush flet në Gjermani për një gjen të hebrejve, atë nuk e ndihmon dot më."

"Süddeutsche Zeitung" shkruan: "Dëbim në vend të dialogut! Kjo nuk është shumë emancipuese, dhe me këtë krijohet një martir, të cilit do të ishte më mirë t'i dilje ballazi."

Sarrazini helmon bashkëjetesën në Gjermani

Por çfarë efekti kanë deklaratat e Sarrazinit për bashkëjeteën e njerëzve në Gjermani. Claus Leggevi thotë:

"Si fillim asnjë efekt, sepse nuk është një kontribut i vlefshëm debati. Temat e tij qëndrojnë shumë pas asaj që diskutohet prej vitesh për integrimin në Gjermani, dhe ku ka përmirësime efektive. Ai vetëm helmon bashkëjetesën. Pashë sot në televizionin ARD një film, ku fëmijë myslimanë fyenin fëmijë të krishterë, ky është sigurisht një reagim ndaj asaj që feja islame në njëfarë mënyrë u diskriminua ose u vu me shpatulla pas muri."

Çfarë do të bëhet me librin e Sarrazin-it? Turi i tij i leximeve u anullua. Libraria "Decius" në Hildeshaim nuk mund të garantojë sigurinë, ndërsa "Shtëpia e Kulturave" në Berlin e hoqi nga lista aktivitetin me Sarrazinin, pasi nuk mund të garantohet siguria e vizitorëve dhe punonjësve.

Autor: Gudrun Stegen/Lindita Arapi

Redaktoi: Auron Dodi