1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Libia po zhytet në kaos - Perëndimi vetëm kundron

Në kryeqytetin libian Tripoli digjet një cisternë gjigande me naftë. Shtetet perëndimore kanë evakuuar trupin diplomatik dhe kanë larguar qytetarët e tyre. Si mund të stabilizohet Libia?

Tripoli është mbuluar nga shtëllunga të zeza tymi. Që nga e diela (27.07) përpiqen forcat e zjarrfikësve të shuajnë zjarrin në një cisternat e naftës në afërsi të aeroportit ndërkombëtar, e goditur nga një raketë, pasojë e luftimeve mes grupeve të armiqësuara të milicëve. Ndërkohë zjarri ka përfshirë edhe një cisternë tjetër. Zjarrfikësit të tejlodhur, gjendja mjaft e rrezikshme, bëri të ditur qeveria duke paralajmëruar nga një "katastrofë natyrore dhe humanitare". Ekziston rreziku i shpërthimit të 90 milionë litrave naftë dhe një depozite gazi. Autoritetet kanë kërkuar ndihmë nga jashtë, ndërkohë që banorëve u është kërkuar të largohen menjëherë nga rajoni i rrezikshëm.

Prej javësh luftojnë grupe milicësh në afërsi të aeroportit, si pasojë rreth 100 vetë kanë humbur jetën. Luftimet vazhdojnë megjithë rrezikun e shpërthimeve. Edhe në rajone të tjera të Libisë sundon kaosi dhe dhuna. Vetëm në Bengazi humbën jetën nga luftimet e forcave qeveritare me milicët rreth 28 vetë.

Operacione shpërthimi në rrugë tokësore

Për shkak të vazhdimit të luftimeve dhe gjendjes kaotike shumë shtete kanë tërhequr trupin diplomatik. Në një njoftim të Ministrisë së Jashtme gjermane thuhet se" gjendja në Libi është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe e pasigurtë". Më tej "qytetarët gjermanë janë veçanërisht të prekur nga rreziku i atentateve dhe i rrëmbimit." Edhe Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca dhe Italia kanë larguar qytetarët e tyre. Por për shkak se të huajt nuk mund të fluturojnë nga aeroporti ndërkombëtar, ata po tentojnë të largohen në rrugë tokësore në Tunizi, apo në aeroportin ushtarak të Mitigës.

Avionë të shkatërruar në aeroportin e Tripolis

Avionë të shkatërruar në aeroportin e Tripolis

Po ashtu janë evakuuar shumë ambasada. Të hënën personeli i ambasadës gjermane u evakuua, ndërsa autokolona me personelin e ambasadës britanike gjatë largimit nga Tripoli u qëllua. SHBA i dërgoi punonjësit e ambasadës së saj në Tunizi. Zëdhënësja e departamentit amerikan të shtetit, Jen Psaki, iu kundërpërgjigj zërave se tërheqja do të vështirësojë stabilizimin e Libisë. "Edhe pse personeli i ambasadës nuk ndodhet në Libi, ne do të vazhdojmë të mbështesim qeverinë e Libisë në shumë fusha."

Një shtet para shpërbërjes

Andreas Dittman është ekspert i Libisë në Universitetin e Gießen-it. Ai është shumë më tepër se skeptik. Tërheqja e trupit diplomatik tregon se perëndimi i ka humbur shpresat për një zhvillim pozitiv në vend, mendon ai. "Libia po marshon drejt kaosit". Ajo nuk mund të përmbushë detyrat themelore të një shteti, si sigurinë e brendshme e të jashtme të tij, si edhe integritetin territorial. "Zhvillimi aktual tregon se sa i dobët është ky vend. Si shtet Libia ndodhet para shpërbërjes."

SHBA dhe NATO e mbështetën opozitën libiane për rrëzimin e diktatorit Gadafi në vitin 2011. Por që nga ajo kohë kritikon Robert Wright nga instituti "Wilson Center" Libia u la vetëm. Me pasoja fatale: "Ndërkohë qeveria qendrore është kaq e dobësuar, saqë ajo nuk arrin të kontrollojë as aeroportin ndërkombëtar të Tripolit, pa folur këtu për pjesë të tjera të vendit."

Edhe eksperti gjerman Andreas Dittmann është i mendimit se aktorët perëndimorë kanë bërë shumë gabime. Vendimet e perëndimit për rindërtimin nuk u bënë asnjëherë realitet. "Shanset për ndërtimin e një demokracie të vërtetë në Libi humbën." Dhuna shpërtheu pas zhvendosjes së sferave të pushtetit pas zgjedhjeve në 25 qershor. Rezultatet nuk janë bërë ende zyrtare, por islamistët kanë frikë se humbasin ndikimin e tyre në parlament. Prandaj ata po përpiqen ta kompensojnë me forcën e armëve dështimin e pritshëm.

Trupë paqeje për Libinë

Gjurmë të shumta të shkatërrimit

Gjurmë të shumta të shkatërrimit

Ndikimi i milicëve të armatosur është njëri nga problemet kryesore të Libisë. Pas rrëzimit të Gadafit ata duhet t'i kishin dorëzuar armët. "Por çarmatimi nuk u krye asnjëherë", thotë eksperti Dittmann. Sepse pushteti dhe influenca në Libi sigurohen përmes armëve.

Sipas ekspertit Dittmann për të qetësuar gjendjen në Libi duhet ndihmë nga jashtë për çarmatimin e grupeve të milicëve të armiqësuar. Jo më kot presidenti i përkohshëm i Libisë kërkoi një mision të helmetkaltërve në Libi. Momentalisht nuk ka shanse për një mision të tillë. Nga njëra anë është e pasigurtë, nëse do të ketë shtete, që janë të gatshëm të dërgojnë trupa në kaosin libian. Nga ana tjetër Rusia për shkak të konfrontimit aktual me perëndimin nuk do të ishte e gatshme të miratonte një mision të tillë.