1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Libia pas Gadafit para një fillimi të ri

Vetëm pak orë pas vdekjes së pushtetmbajtësit të rrëzuar libian, Muammar al Gaddafi, udhëheqja e re në Libi hodhi themelet për ndërtimin e një shteti demokratik.

default

Kanali televiziv arab Al Xhazira njofton se Këshilli Tranzitor do të shpallë të shtunën në mënyrë festive çlirimin nga regjimi i Gaddafit. Sipas kryeministrit në detyrë, Mahmud Xhibril, brenda një muaji pastaj do të formohet një qeveri e re kalimtare. Tetë muaj më vonë do të formohet një kongres kombëtar. Udhëheqës ushtarakë të Këshillit Tranzitor deklaruan ndërkohë se qyteti bregdetar Sirte është çliruar plotësisht. Sirte konsiderohej kështjella e fundit e Gaddafit dhe ajo u mbrojt deri në fund prej mbështetësve të Gaddafit.

Mbeten të paqarta rrethanat e sakta të vdekjes së tij

Mahmud Xhibril, kryeministri i Këshillit Tranzitor

Mahmud Xhibril, kryeministri i Këshillit Tranzitor

Nga ana tjetër edhe një ditë pas vdekjes së diktatorit shumëvjeçar libian, Muammar al-Gaddafi, mbeten të paqarta rrethanat e sakta të vdekjes së tij. Sipas të dhënave të kryeministrit të Këshillit Tranzitor, Mahmud Xhibril, 69 vjeçari është arrestuar, kur trupat e qeverisë pushtuan qytetin e tij të lindjes, Sirte. Makina, me të cilën Gadaffi duhej të dërgohej në qytetin Misrata, është përfshirë në një përleshje të armatosur në mes  të luftëtarëve të qeverisë dhe mbështetësve të ish pushtetmbajtësit. Me këtë rast është plagosur edhe Gaddafi, i cili është dërguar në spitalin e Misratës, ku edhe ka ndërruar jetë, tha Xhibril. Sipas disa të dhënave të tjera Gaddafi është rrahur për vdekje, apo vrarë nga luftëtarët e Këshillit Tranzitor. Këshilli Tranzitor ka hedhur poshtë një lutje të Tribunalit të Hagës, që të mos varrosin kufomën e Gaddafit, në mënyrë që ajo të mund të hetohet nga ekspertët. Gaddafi do të varroset së shpejti në një vend të panjohur, njoftoi Xhibril. 

Lajmi për vdekjen e Gaddafit u prit me lehtësim në mbarë botën

Gëzimi për fundin e regjimit të Gadafit

Gëzimi për fundin e regjimit të Gadafit

Kancelarja gjermane Angela Merkel foli në një reagim të parë për një pikë përfundimtare të regjimit të ish diktatorit. Kështu përfundon një luftë e përgjakshme, që Gaddafi zhvilloi kundër popullit të tij, tha kancelarja në Berlin. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, tha se tani Libia ka mundësinë për të hapur një kapitull të ri, demokratik. Edhe presidenti amerikan, Barak Obama, tha se populli libian tani ka mundësinë për të marrë fatin në duart e veta. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, u bëri thirrje libianëve për pajtim. Lidhja Arabe vlerësoi lart trimërinë e njerëzve, që për një jetë në liri dhe dinjitet dhanë shumë viktima.

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM