1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Libia në kaos nga bllokimi i fushave të naftës

Dy vjet pasi Moammar Gadhafi u vra gjatë revolucionit kundër tij, vendi ende nuk e ka marrë veten. Sulmet në fushat e naftës dhe porte janë simptomë dhe shkak i një paqendrueshmërie kombëtare.

Zyrtarët libanezë mund të marrin frymë lirisht pasi javën e shkuar një grup milic në perëndim të vendit rihapi një tubacion nafte të rëndësishëm dhe për pasojë do të rritet eksporti i saj, që kishte rënë në nivelin 10% më pak në krahasim me periudhën para revolucionit.

Kryeministri Ali Seidan negocioi për disa javë me drejtuesit e milicëve të grupit Zintan dhe protestuesve, pjesa më e madhe e të cilëve janë roje në fushat e naftës, duke iu premtuar dëmshpërblime dhe kushte më të mira jetese. Por ende nuk dihet me siguri nëse kjo ‘paqe' për fushat në naftes El Shaara është e përkohshme apo e përhershme.

Libyen Ölpreise Ölraffinerie in Zawiya

Rafineri nafte në Zawiya

Për momentin vendi eksporton 700 000 fuçi nafte në ditë drejt vendeve perëndimore, por grupi Zintan i pajisur me armë të rënda, i cili mban edhe Seif al-Islam Gadhafi e nuk pranon dorëzimin e tij në Tripoli, është i paparashikueshëm.

Ali Seidan Ministerpräsident Libyen

Kryeministri libanez Ali Seidan

Lindja kërkon autonomi

Situata në lindje të vendit, ku bëhet edhe prodhimi më i madh i naftës, gjithashtu nuk është shumë e qendrueshme. Tubacionet aty vazhdojnë të jenë të thata, për shkak të protestave.

"Protestat në lindje janë më shumë për arsye ekonomike e politike dhe nuk janë të lidhura me mbështetësit e federalizmit", thotë për DW Charles Gurdon, drejtor i zyrës së konsulencës për rreziqet politike.

Që prej kohës së revolucionit, qyteti lindor i Cyrenaicas ka kërkuar autonominë nga Tripoli, pasi Gadhafi ka përfituar nga burimet e saj të naftës. Në qershor të këtij viti Këshilli Tranzitor i Cyrenaicas, deklaroi se ishte gati të shpallte autonominë dhe që atëherë ka përshkallëzuar protestat e naftës në rajon derisa qeveria të plotësojë kërkesat e saj.

Jashtë kontrollit

Tripoli ka kundërshtuar me forcë federalizmin dhe nuk do lëshojë pe në ndryshimin e strukturës së qeverisjes, por në të njëjtën kohë ka nevojë dëshpërimisht të kthehet tek prodhimi dhe eksportimi i naftës në nivelin që kishte në vitin 2011: rreth 1.6 milionë fuçi në ditë.

"Problemi në Libi ekziston për faktin se nuk ka një ushtri kombëtare, por milicë që veprojnë në rreze lokale, kanë fuqi lokale dhe burime lokale", thotë Gurdon. Me pak fjalë qeveria nuk është në gjendie të marrë në kontroll situatën.

Muajin e shkuar Ministri i Brendshëm Mohammed al-Sheikh dha dorëheqjen, pas akuzave për mosvënien nën kontroll të grupit Zintan dhe besimin tek mbështetja tribale e jo përqëndrimi në ndërtimin e një ushtrie dhe policie kombëtare.

"Mënyra libiane"

Richard Dalton nga grupi i punës "Chatham House Libya" thotë se mënyra e daljes nga ky ngërç është ende e paqartë. "Ata duan të flasin me çdo grup dhe t'i japin fund bllokadës me anë të negociatave", çka Dalton e përshkruan si ‘mënyrën libiane' të të zgjidhurit të gjërave, por sa më shumë të zgjatë kjo situatë aq më shumë dobësohet qeveria.

Dalton thotë se qeveria nuk do të përdorë fuqinë vdekjeprurëse, por atë kërcënuese për ata që pengojnë nxjerrjen e naftës. Ndërkohë kompanitë janë duke u vënë në dyshim nëse do të vazhdojnë të qëndrojnë në Libi. Vetëm javën e shkuar ExxonMobil deklaroi se ka plane për tu tërhequr nga Libia. Kompania deklaronte se një masë e tillë merrej për të mbrojtur punonjësit e saj dhe biznesin, por do të rikthehej sërish nëse qetësohet situata. Skenar, i cili do një kohë të gjatë që të realizohet.