1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Libia: Kush lufton kundër kujt?

Naser Schruf/Lindita Arapi2 Shtator 2014

Kaos dhe dhunë. Dy parlamente grinden, kush mund të qeverisë në emër të popullit. Libia prej vitesh është e përçarë mes shumë grupeve të milicëve, që luftojnë tani kundër njëri-tjetrit.

https://p.dw.com/p/1D5Bt
Fotografi: Reuters

Regjimi i Muamar al Gadafit në Libi u rrëzua në vitin 2011 me dhunë me bombat e NATO-s dhe luftën e kryengritësve libianë dhe milicëve të ngjyrave të ndryshme ideologjike. Por rrëzimi i Gaddafit nuk çoi në rezultatin, që pritej, në zhvillim dhe demokraci, por e futi vendin në një luftë civile. Në Libi aktualisht ka më shumë se 200 fise, që po ashtu përbëhen nga klane të ndryshme. Por problemi më i madh në vend është numri i lartë i milicëve, që luftojnë për pushtet në një kohë të vakuumit të strukturave shtetërore. Vetë libianët sot nuk e dinë, kush lufton kundër kujt. Një përmbledhje e grupeve të armatosura në vend përmban:

Ushtria libiane

Ushtria e rregullt libiane u ristrukturua pas kryengritjes së vitit 2011 me miratimin e parlamentit. Asnjëherë nuk dihej numri i saktë i kësaj trupe, mendohet se ajo përbëhet nga rreth 35.000 ushtarë gjithsej. Thelbi i ushtrisë përbëhet nga ushtarakët e vjetër të Gadafit, që në kohën e kryengritjes ndërruan krah, duke iu bashkuar revolucionarëve. Ushtria nuk ia ka dalë të vendosë pushtetin e saj mes grupeve rivalizuese të milicëve, ajo vetë i ngjason më shumë një trupe milicësh. Ushtrisë i mungojnë armatimet dhe liderë drejtues. Ministri i fundi i Brendshëm dhe njëkohësisht edhe kreu i deritanishëm i qeverisë libiane, Abdullah Al-Thini, është larguar nga post drejtues.

Libyen Premierminister Abdullah al-Thinni Rücktritt
Kryeministri Al ThinniFotografi: Reuters

Ushtria Kombëtare Libiane

E ashtuquajtura "Ushtria Kombëtare Libiane" është themeluar nga ish-gjenerali Khalifa Hafter në maj 2014. Veprimet e saj filluan në maj të 2014 me një fushatë kundër islamistëve të grupeve të ndryshme. Misioni i tij është "pastrimi" i vendit nga islamistët. Khalifa Hafter e quan atë "Operacioni i dinjitetit" dhe mbështetet nga Algjeria, Arabia Saudite dhe Egjipti e Emiratet e Bashkuara. Kjo ushtri pësoi një goditje të fortë në gusht, kur milicët islamistë morën nën kontrollin e tyre aeroportin e Tripolit.

Forcat e armatosura Al-Saika

Al-Saika është një njësi paramilitariste speciale me rreth 5.000 vetë. Formalisht ajo është e varur nga Ministria e Brendshme, por në të vërtetë ushtarët luftojnë pa ndonjë detyrë të caktuar nën urdhrin e gjeneralit, Hafter në Lindje të vendit, sidomos në Bengazi kundër milicëve radikalistë islamikë.

Brigadat revolucionare të Al-Sintanit

Një grup i fortë milicësh është ai, që vjen nga qyteti Al-Sintan në verilindje të vendit, rreth 160 kilometra në juglindje të Tripolit. Brigadave u janë bashkuar milicët e disa fiseve, si brigada Al-Kakaa (me rreth 18.000 vetë) dhe Al-Savaig (me rreth 2.000 luftëtarë). Njëri prej udhëheqësve të këtyre, brigadave, Osama Al-Juwali, ka qenë ministri i parë i Mbrojtjes pas rrëzimit të Gaddafit. Brigadat fituan famë me kapjen e djalit të Gaddafit, Saif-Al-Islam. Ato kanë qëndrime nacionaliste dhe përkrahin ish-gjeneralin Hafter.

Milicët e "Agimit libian" fushtuan në fund të gushtit aeroportin.
Milicët e "Agimit libian" fushtuan në fund të gushtit aeroportin.Fotografi: Mahmud Turkia/AFP/Getty Images

Brigadat "Misrata"

Të ashtuquajturat brigadat Misrata mbështeten nga Katari dhe politikisht janë në krahun e Vëllazërisë Myslimane. Kjo trupë përbëhet nga rreth 10.000 deri në 12.000 vetë, burime të tjera flasin për 40.000 vetë. Qyteti Misrata në brigjet e Mesdheut ka luajtur një rol të rëndësishëm në marrjen e rezidencës së Gaddafit në Bab Al-Azizia. Këto brigada janë kundërshtarë të gjeneralit Hafter dhe bashkë me "Mburojën e Libisë" kanë marrë pjesë në pushtimin e aeroportit të tripolit në gusht.

"Mburoja e Libisë"

Edhe kjo trupë konsiderohet si një degë e Vëllazërisë Myslimane dhe është një ndër më të fortat në vend. Në të shkuarën "Mburoja e Libisë" pjesërisht ka bashkëpunuar me Ministrinë e Mbrojtjes të Libisë. Pjesë e kësaj trupe janë rreth 12.000 ushtarë, të cilët mediat arabe i veçojnë si të pajisura mirë dhe të mirëtrajnuar. Përmes angazhimit humanitar dhe kujdesit në popull ata gëzojnë më shumë përkrahje se grupet e tjera të milicëve. Bashkë me brigadat "Misrata" ato startuan në gusht operacionin "Agimi" dhe i morën trupave të Hafterit kontrollin e aeroportit të Tripolit.

Ansar Al-Sharia

Ansar Al-Sharia është dega e Al-Kaidës në Libi. Qëllimi i tyre është krijimi i një shteti islamik dhe milicët e këtij grupimi konsiderohen ndër grupet më radikale në Libi. Ata bëhen përgjegjës për sulmin me bombë në Bengazi në vitin 2012, ku humbi jetën ambasadori amerikan, Christopher Stevens. Ansar Al-Sharia është e stacionuar në Bengazi dhe lufton kundër trupave të gjeneralit Hafter. Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e milicëve, disa burime bëjnë fjalë për rreth 5.000 vetë.

Njerëzit protestojnë kundër luftës
Njerëzit protestojnë kundër luftës

Martirët e 17 shkurtit

Kjo trupë milivësh islamistë është shumë prezente në Lindje të Libisë. Pjesë e saj janë rreth 3.500 milicë, burime të tjera bëjnë fjalë për rreth 12.000 vetë. "Martirët e 17 shkurtit" bëhen përgjegjës për vrasjen e ministrit të Mbrojtjes të Libisë, Abdelfatah Younis, në korrik të vitit 2011, pas distancimit të tij nga Gaddafi dhe kalimit në anën e revolucionit, si gjeneralkomandant.

Grupe të tjera milicësh janë edhe "Rojet e Rafinerive të Maftës", "Brigadat "Omar Al-Moktar", apo "Qendra Operative e revolucionarëve të Libisë". Ende nuk dihet, nëse kaq shumë grupe do të mund të disiplinohen një ditë në struktura shtetërore si ushtria dhe policia. Ajo, që bashkësia ndërkombëtarë i trembet, është vazhdimi i konfliktit të armatosur në vend, i cili do ta kthente Libinë në një shtet plotësisht të dështuar.