1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Libia akuzohet se përdor municion dispersiv

Organizata humanitare Human Rights Watch i akuzon trupat e Gaddafit se përdorin në qytetin Misrata municionin dispersiv, të dënuar në të gjithë botën. Tripoli i hedh poshtë akuzat.

default

Minat e rrezikshme dispersive u përdorën edhe në luftën e Libanit në 2006.

„Natën e kaluar ishte si shi“, kështu i përshkroi një kryengritës të premten (15.4.) pasojat e shpërthimit mbi qytetin Misrata. Sipas të dhënave të organizatës për të drejtat e njeriut Human Rights Watch (HRW) me qendër në SHBA, trupat e pushtetmbajtësit Muammar al Gaddafi kanër përdorur në qytetin e përfshirë nga luftime të ashpra Misrata, bomba shpërndarëse të dënuara në të gjithë botën. Udhëheqja libiane e ka kundërshtuar këtë. Raportet janë „surreale“ tha zëdhënësi i qeverisë libiane Musa Ibrahim. Human Rights Watch dhe kryengritësit duhet të paraqesin prova për këtë.

Sipas të dhënave të rebelëve ushtarët besnikë të Gaddafit janë vendosur kryesisht në një zonë jo larg rrugës kryesore, prej nga qëllojnë me granata dhe bomba shpërthyese. Kryengritësit kërkojnë që NATO të bombardojë atë zonë, pasi atje nuk ka civilë.

Libyen Misrata Brand Fabrik Aufstand

Qyteti Misrata është i përfshirë nga luftime të ashpra.

'Cluster Bombs' dënohen që prej vitit 2010

Bombat shpërndarëse pas lëshimit hapen dhe lëshojnë një numër trupash të tjerë shpërthyes. Shumë prej tyre nuk shpërthejnë dhe paraqesin rrezik edhe vite të tjera më pas. Ky lloj municioni dënohet në të gjithë botën, në vitin 2010 hyri në fuqi një konventë përkatëse, e cila ishte nënshkruar dy vjet më parë në Oslo nga më shumë se 100 shtete.

Punonjësit e Human Rights Watch kanë gjetur në Misrata të paktën tri bomba shpërndarëse, deklaroi eksperti i HRW Steve Goose. Është indinjuese që bomba të tilla përdoren edhe në zona të banuara. Një ekip reporterësh i gazetës amerikane “ New York Times“, kishte informuar fillimisht për këtë municion dhe kishte bërë edhe fotografi. Sipas gazetës bombat duhet të jenë prodhuar në Spanjë në vitin 2007, pra tre vjet përpara se Madridi të nënshkruante konventën për bombat shpërthyesye.

"Gaddafi duhet të largohet"

Ndërkaq presidenti i SHBA-së Barack Obama, ai francez Nicolas Sarkozy dhe kryeministri britanik David Cameron në një letër të përbashët të botuar në gazeta, kërkuan sërish largimin e Gaddafit. „Diktatori duhet „të largohet për gjithmonë“ shkruanin tre politikanët në artikullin, i cili u publikua të premten nga gazeta britanike "Times", ajo franceze "Figaro" dhe nga "International Herald Tribune“.

Ministri i jashtëm rus Sergej Lawrow e kritikoi këtë kërkesë, e cila sipas tij është përtej mandatit të OKB-së. „Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk lejon asnjë veprim me qëllim ndryshimin e regjimit në Libi“, paralajmëroi Lawrow. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen përkundrazi e përshëndeti iniciativën e Obamës, Sarkozysë dhe Cameronit. „Mendoj se artikulli pasqyron unitetin në objektiv dhe vendosmërinë e aleatëve“, tha Rasmussen në mbyllje të takimit të NATO-s në Berlin.

Autor: Sabine Faber (dpa, rtr,afp)/E.Xhani

Redakt: Elert Ajazaj