1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Liberalizimi i vizave për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë

Qysh në vitin 2003 BE vendosi si objektiv të tij zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Por sa është arritur afrimi dypalësh në të vërtetë?

Në foto: Komisari i BE-së për zgjerimin, Olli Rehn, gjatë konferencës për shtyp mbi strategjinë e Unionit për zgjerimin, tetor 2009.

Sa yje mund të shtohen ende në flamurin e BE-së?

Komisari i BE-së për zgjerim, Olli Rehn e pati vlerësuar atë si një hap të madh drejt integrimit evropian: vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së në fund të nëntorit për heqjen e vizave për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Prej 19 dhjetorit, qytetarët e këtyre vendeve mund të udhëtojnë pa vizë në Bashkimin Evropian. Në shikim të parë një sinjal pozitiv për rajonin. Por ky vendim fsheh pas vetes një potencial konflikti. Kjo për faktin se Shqipëria, Kosova dhe Bosnje - Hercegovina nuk janë liruar nga regjimi i vizave për shkak se nuk kanë plotësuar kushtet për dhënien e pasaportave biometrike.

Sllovenia Tanja Fajon, raportuese e parlamentit të BE-së për lehtësimin e vizave për Ballkanin Perëndimor.

Sllovenia Tanja Fajon, raportuese e parlamentit të BE-së për lehtësimin e vizave për Ballkanin Perëndimor.

Një gabim, mendon Tanja Fajon, raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave: "Ndoshta në atë kohë ka qenë një vendim i mirë teknik por ai ka pasoja politike shumë negative për rajonin. Kjo për faktin se në Bosnje - Hercegovinë disa grupe etnike mund të udhëtojnë pa vizë ndërkohë që boshnjakët myslimanë mbeten jashtë liberalizimit të vizave. Ne i izolojmë ata dhe krijojmë ndarje të reja në Ballkanin Perëndimor".

Serbët dhe kroatët e Bosnjës meqenëse kanë dyshtetësinë, me pasaportat e tyre të dyfishta mund të udhëtojnë në vendet e BE-së. Por kjo nuk është e mundur për boshnjakët myslimanë, të cilët nuk kanë një 'vendlindje të dytë'. Me rregullimin e ri po krijohen dy klasa të qytetarëve në Evropën Juglindore, protestojnë disa politikanë, në mesin e tyre edhe ish-përfaqësuesi i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schwarz-Schiling. Bashkimi Evropian përdor kritere të ndryshme vlerësimi. Këtë akuzë e hedh poshtë Zoltán Martinusz nga Këshilli i Ministrave të BE-së. Shqipëria dhe Bosnje - Hercegovina thjesht nuk kanë plotësuar kushtet në të cilat bëjnë pjesë edhe pasaportat e sigurta dhe kontrollet funksionale kufitare: "Dukej e pamundur në Bosnje - Hercegovinë që të plotësoheshin kushtet për liberalizimin e vizave. Dhe meqë ra fjala ato janë përcaktuar nga Komisioni Evropian, pra nga një institucion jopolitik. Kështu që ky ka qenë një vendim konkret e jo politik".

Pikërisht për këtë shumë vëzhgues kanë dyshimet e tyre. Para së gjithash në Kosovë dhe Bosnje -Hercegovinë po shtohet gjithnjë e më shumë frustrimi për BE-në dhe dyshimi për besueshmërinë e politikës së zgjerimit të BE-së, thotë Agron Bajrami, kryeredaktor i gazetës kosovare Koha Ditore: "Ne jemi në dispozicion të Bashkimit Evropian. Por si është puna me Bashkimin Evropian? Në çfarë mase është e gatshme BE-ja që të mendojë seriozisht për Ballkanin Perëndimor si pjesë të Evropës? Më saktë, ashtu si Bashkimi Evropian ka nevojë për lajmet të mira mbi zhvillimet në rajonin tonë ashtu edhe ne kemi nevojë për lajme të mira nga Bashkimi Evropian. Madje edhe më shumë".

Dëshpërimi në Kosovë dhe Bosnje - Hercegovinë është i rrezikshëm. Të dy vendet janë vendimtare për stabilitetin dhe të ardhmen paqësore në rajon dhe kjo është një pjesë qendrore e politikës së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. BE po ndjek strategjinë e 'kulaçit dhe kërbaçit". Kulaçi është në këtë rast perspektiva për anëtarësim në BE apo të paktën negociatat për anëtarësim. Ndërsa si kërbaç shërbejnë kushtet që duhet plotësuar nga vendet ballkanike.

Autor: Anna Corves / Esat Ahmeti

Redaktoi: Eliana Xhani