1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liberalizimi ekonomik i Kinës nuk do të thotë edhe demokratizim të këtij vendi

30 Dhjetor 2009

Dënimi me vdekje i britanikut Shaikh dhe shkelja e të drejtave të njeriut në Kinë janë ndër temat më të komentuara në shtypin gjerman.

https://p.dw.com/p/LHLZ
Ekzekutim me vdekje në Kinë
Ekzekutim me vdekje në KinëFotografi: picture-alliance/dpa

Gazeta "General-Anzeiger", që botohet në Bon, shkruan se rasti i fundit i dënimit me vdekje të britanikut Akmal Shaikh, vërtet ka zgjuar interesim të madh në opinion, por vetëm për faktin se kishte nënshtetësi britanike.

"Ndërkaq shumë kinezëve, të cilët përballen me akuza, nuk u bëhet një proces i drejtë. Në shumë raste të akuzuarit rrihen deri sa ta pranojnë fajin. Fati i britanikut që trafikonte drogë, i cili duket se ka qenë i sëmurë psiqik, është tragjik. Por në organet e drejtësisë kineze kjo është përditshmëri."

Lidhur me këtë temë gazeta "Landeszeitung Lünburg" pohon se politikanët perëndimorë duhet të mësohen ngadalë me pamundësinë për të vepruar e ndikuar ndaj Kinës:

"Ata nuk arritën të bëjnë asgjë në rastin e ekzekutimit të britanikut si dhe në rastin e dënimit të disidentit Liu Xiao me 11 vjet heqje lirie. Po dëshmohet se liberalizimi ekonomik i Kinës nuk do të thotë edhe demokratizim i këtij vendi. Atje po ngrihet një fuqi botërore. Prandaj nuk mund të pritet që ajo do t'i plotësojë kërkesat e Perëndimit. Kina po krijon rregullat e veta. Liritë individuale vlejnë në Kinë më pak se funksionimi i shoqërisë. Në botën e rregulluar sipas rendit diplomatik, notat e protestave evropiane mbeten mjeti i vetëm veprimi."

"Wazlarer Neue Zeitung" i kushton më shumë vëmendje dënimit të disidentit Liu Xiao me 11 vjet heqje lirie, vetëm për shkak të shprehjes së mendimit të tij.

"Liu Xiao u dënua vetëm pse ka thënë të vërtetën për gjendjen e demokracisë dhe mungesën e reformave në vendin e tij. Udhëheqja kineze duket se ka kaq shumë frikë nga kjo e vërtetë sa që ka vendosur ta fusë në burg. 11 vjet burg për fjalë kritike, duket një dënim tepër i lartë për vëzhguesit evropianë. Fakti që një regjim gati diktatorial si ai komunist në Kinë detyrohet të përdorë mjete të këtilla për të mbetur në pushtet, është pak befasues. Por cinike duken edhe fjalët e kancelares Angela Merkel, e cila duke shprehur keqardhjen për këtë rast theksoi njëkohësisht përparimet e mëdha të Kinës. Liu Xiao ka kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe për këtë do të paguajë me burg. Ndërsa qeveria gjermane shpreson ndryshimin e vendimit. Asgjë më shumë?" - pyet në fund komentatori i kësaj gazete.

Autor: Bahri Cani
Redaktor: Pandeli Pani