1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Liberalizim vizash kundër emigracionit ilegal

Emigrantët ilegalë, që kanë hyrë në BE nga Turqia, mund të kthehen në të ardhmen atje. Si kompensim hiqen vizat për qytetarët turq në BE.

Sot (16.12.2013) nënshkruhet e ashtuquajtura marrëveshje e ripranimit ndërmjet BE dhe Turqisë, e cila u negociua javën e kaluar në Bruksel. Refugjatët ilegalë, që e shfrytëzojnë Turqinë si vend tranzit për të hyrë në BE, mund të kthehen përsëri në Turqi. Në të njëjtën kohë BE premton liberalizimin e vizave për qytetarët turq. Për të dyja palët krijohet një situatë e favorshme, sepse si BE ashtu edhe Turqia marrin atë, që kanë kërkuar prej kohësh. Por ka edhe humbës. Refugjatët e shumtë nga Siria, Afganistani, apo zona të tjera krizash, që kërkojnë në BE strehim nga lufta, uria dhe varfëria. Turqia është i vetmi kandidat i BE, për të cilin ekziston deri sot detyrimi për vizë. Kjo praktikë e BE kritikohet prej vitesh nga pala turke. Detyrimi i shtetit turk për të marrë përsëri emigrantët e paligjshëm është "çmimi", që vendi duhet të pagujë për liberalizimin e njoftuar të vizave.

Afat trevjeçar për të dyja palët

Në foto, Ahmet Davutoglu

Në foto, Ahmet Davutoglu

Nga ana turke theksohet në mënyrë të veçantë, se marrëveshja është një mirëkuptim reciprok. Kështu ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu, theksoi se të dyja proceset "ecin paralelisht".

Ministri turk për BE, Egemen Bagis, tha në stacionin privat turk NTV, se Turqia ka të drejtë të anullojë marrëveshjen, nëse liberalizimi i vizave nuk ndodh në një "periudhë të arsyeshme". "Liberalizimi i vizave, si dhe marrëveshja e ripranimit do të zbatohen brenda tre vjetëve", tha Bagis. Gjatë kësaj periudhe Turqia do të marrë para nga BE, thekson ministri. "Do të financohen kamera termike, të cilat do të instalohen në kufinj, do të hapet një qendër, ku do të vendosen përkthyes, për të përcaktuar vendet e origjinës të emigrantëve të paligjshëm." Në këtë mënyrë Turqia do ta mbajë të hapur mundësinë për kthimin e refugjatëve në vendet e tyre të origjinës.

Emigracioni i paligjshëm në Turqi nuk është diçka e re

Në opinionin publik turk shtohen dyshimet se Turqia me kthimin i emigrantëve të paligjshëm ka marrë mbi vete një barrë praktikisht të pakontrollueshme. Ahmet İçduygu, shef i Qendrës Kërkimore për Migracionin në universitetin Koc në Stamboll e mohon këtë. "Rreth dhjetë vjet më parë në Turqi janë kapur çdo vit rreth 90,000 emigrantë të paligjshëm. Por në vitet e fundit numri ka rënë në rreth 40.000."

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Turqisë marrëveshja me BE nuk i sjell ndonjë ndryshim të madh në lidhje me refugjatët ilegalë, është i bindur Icduygu. "Unë nuk mendoj se marrëveshja do të jetë një ngarkesë shtesë për BE." Përveç kësaj marrëveshja e ripranimit është një kusht për anëtarësimin e Turqisë në BE, thotë ai. Kësaj i shtohet edhe fakti, se Turqia dëshiron liberalizimin e vizave për qytetarët e vet dhe ky është një mjet për ta arritur."

Andrew Gardner i organizatës për të drejtat e njeriut Amnesty International në Stamboll është i preokupuar për migrantët: "Pyetja është, se ku do të kërkojnë azil këto njerëz në të ardhmen? A do të vazhdojnë të kërkojnë azil në Turqi, apo do të kthehen në vendet nga kanë ardhur?" Ka patur raste, në të cilat njerëzit nga Afganistani janë kthyer përsëri pa kaluar në një procedurë të rregullt azili në Turqi, kritikon aktivisti i të drejtave të njeriut. "Në të ardhmen edhe më shumë njerëz do të kthehen nga BE për në Turqi dhe me shumë gjasë në vendet e origjinës", thotë Gardner.

Refugjatët sirianë parimisht nuk janë të rrezikuar që të kthehen nga Turqia sërish në Siri, meqenëse si refugjatë lufte ata gëzojnë përkohësisht një status të mbrojtur. Por madje edhe këtu ka patur raste të kthimeve me detyrim në Siri, thekson Gardner. "Eshtë e domosdoshme, që Turqia dhe BE të bashkëpunojnë dhe t'u ofrojnë këtyre njerëzve në nevojë mbrojtje ndërkombëtare", kërkon Gardner.

"BE duhet të marrë mbi vete më shumë përgjegjësi"

Në foto, Lami Bertan Tokuzlu

Në foto, Lami Bertan Tokuzlu

Pikërisht për këtë mbrojtje ndërkombëtare e ka fjalën edhe Lami Bertan Tokuzlu, ekspert i së drejtës kushtetuese në universitetin Bilgi në Stamboll. "Nëse vëren Konventën e Gjenevës, apo instrumente të tjera për të drejtat e njeriut, sheh se ofrimi i mbrojtjes përfshin edhe zgjedhjen e vendit, ku personi në fjalë do të kërkojë mbrojtje", shpjegon Tokuzlu në bisedë DW. Vendet e BE janë destinacione të kërkuara. Ata janë të obliguara të marrin më shumë përgjegjësi, sepse për shkak të mirëqenies së tyre dhe kapaciteteve ekzistuese mund t'u japin ndihmë atyre, që kërkojnë mbrojtje, thotë juristi.

Megjithatö Tokuzlu porosit që të mos varen shpresa të mëdha në kufijtë e jashtëm të Turqisë. Kontrolli i tyre nuk është shumë i thjeshtë. Si kufiri me Sirinë ashtu edhe me Irakun janë shumë të depërtueshëm. Kështu në të kaluarën shpesh luftëtarë të partisë së ndaluar punëtore kurde (PKK) hynin nga territoret kurde në Irak në lindjen e Turqisë të banuar nga kurdët. "A mund të themi bindshëm se jemi në gjendje të luftojnë me efiçencë migracionin ilegal? Mendoj se jo", thotë juristi.