1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Let’s Chill": festa informuese për fertilitetin në Nju Jork

Në Nju Jork, Chicago, Los Angeles çdo dy muaj zhvillohen të ashtuquajtura "Festa për fertilitetin". Me sloganin "Smart Woman freeze" ato organizohen nga një ofruesi i shërbimit, që premton ndërmjetësim tek klinikat.

Atmosferë e relaksuar në një hotel në Soho, në Manhattan. Rreth 100 gra bisedojnë në grupe të vogla dhe gotat e koktejit në dorë. Burrat këtu janë të rrallë - këtu në hotel dhe në përgjithësi në jetën e këtyre grave. „Unë nuk shoh asnjë partner në horizont“, thotë njëra prej pjesëmarrëseve. „Gratë këtu janë të gjitha në moshën time“, gëzohet një tjetër. „Ndjehem në vendin e duhur.“

Pjesa më e madhe e grave është mbi 30 vjeç. Ato të gjitha mendojnë t‘i punojnë një rreng orës biologjike. Party zhvillohet me moton „Let‘s chill“ - pra „le të relaksohemi“, ose përkthyer fjalë për fjalë „le të ftohemi“. E gjitha është një mbrëmje informuese mbi temën e ngrirjes së qelizave të vezëve të grave. Në një podium janë ulur mjekë dhe persona të interesuar.

Dëshirë për fëmijë me 37 vjeç

Egg-Freeze-Party in New York

Egg-Freeze-Party në New York

"Kur patëm për herë të parë marrëdhënie seksuale dy ishin gjërat që nuk i donim në asnjë mënyrë: të ngelnim shtatzënë apo të infektoheshim me sëmundje seksualisht të transmetueshme“, thotë Dr. Fahimeh Sasan, gjinekologe në qendrën mjekësore Mount Sinai në Nju Jork. Kjo nuk ndryshoi gjatë të njëzetave dhe të tridhjetave, konstaton ajo duke qeshur. Dhe papritur gjendesh në moshën 37 vjeçare dhe kupton se dëshëron të kesh një fëmijë.

Pak kohë më vonë mjekët në podium shpjegojnë procedurën për ngrirjen e qelizave të vezëve. Rreziqet dhe vështirësitë nuk fshihen. Gratë në publik mund të bëjnë pyetje. Secila prej tyre ka paguar 45 dollarë për biletën e hyrjes. Askush nuk dëshëron të përmendet me emër.

Këto parti janë edhe në SHBA në qendër të kritikës, krahasohen me festat për shitjen e enëve të kuzhinës apo ato të botoksit. Procedura me kosto të lartë mjekësore paraqitet më e thjeshtë nga sa është, gratë kthehen në makina pune dhe karriere, të cilat janë të detyruara të mendojnë për ndihmë artificiale për zgjatjen e kohës së fertilitetit.

Krejt gabim, mendon Jay Palumbo,që punon për Eggbanxx, organizatorin e këtyre festave. Problemi i vërtetë në debat është padija alarmuese mbarëbotërore për fertilitetin e grave. "Një në gjashtë gra nën 35 vjeç ka probleme të mbetet shtatzënë. Tek 35 deri 40-vjeçaret kjo ndodh në një në tre gra", këto janë shifrat dramatike.

Egg-Freeze-Party in New York

45 dollarë kushton bileta e hyrjes në mbrëmjet informuese

Fillimisht "më vonë" dhe pastaj "tepër vonë"

Për dëshirën e papërmbushur për fëmijë në pjesën më të madhe të rasteve nuk thuhet asgjë. Gratë nuk janë të vetëdijshme për statistikat e sakta. Në të njëjtën kohën gjatë 40 viteve të fundit thuajse është dhjetëfishuar numri i grave që janë bërë nëna për hetë të parë pas moshës 35-vjeçare. "Askush nuk flet me saktësi për këtë", thotë Palumbo. Gjithnjë thuhet: fëmijët më vonë, më vonë. Dhe pastaj thjesht nuk është më e mundur.

Palumbo vetë mendonte se ishte mirë me planin kohor kur njohu bashkëshortin në moshën 33-vjeçare dhe me 34 u përpoq të bënte një fëmijë. "Rezultatet e ekove të mia ishin të shkëlqyera, testet e bashkëshortit të mira. Unë isha e shëndetshme, gjithçka në regull", kujton ajo.

Egg-Freeze-Party in New York

Mashtrim i orës biologjike?

Por pastaj, me fillimin e procedurës in-vitro rezultoi se cilësia e qelizave të vezëve ishte e keqe "për shkak të moshës sime", shton ajo. "Unë e dija që mosha luan një rol. Por mendoja se pas të dyzetave."

Ajo iu nënshtrua procedurës in-vitro dhe sot ka një fëmijë. Nëse atëherë do të kishte ekzistuar mundësia për të ngrirë vezët dhe nëse do të kishte ditur se një në gjashtë gra në moshën e saj të atëhershme ka probleme me fertilitetin, atëherë do të kishte sot dy fëmijë dhe jo vetëm një, tregon ajo.

Ngrirja e vezëve më çmim të lirë

Eggbanxx është një firmë që bashkëpunon me klinika partnere. Në këtë mënyrë anëtarëve mund t'u ofrohet një çmim me leverdi. Pasi nën 12.000 dollarë në SHBA nuk është e mundur ngrirja e vezëve. Kush përzgjidhet mund të marrë nga Eggbanxx një kredi nga një partner financues.

Egg-Freeze-Party in New York

Dr. Farimeh Sasan (majtas) informon gratë për fertilitetin

Për Jay Palumbo mbështetja financiare që Facebook dhe Google u ofron punonjëseve të tyre që duan të ngrijnë vezët e tyre, nuk është një masë për të mundësuar një shtatëzani të vonuar. Për të ajo është një masë për pasur mundësinë e shtatzanisë. "Kështu gratë shohin në sy realitete të caktuara: ato duan të jenë punonjëse të mira por dikur duan të kenë edhe fëmijë", mendon Palumbo.

Për firmat ky është një investim në talentet femra dhe në cilësinë e jetës së tyre, njëlloj si pushimet e paguara mirë për punonjësit meshkuj që bëhen baballarë apo kujdesi për fëmijët në firma, që sipas saj duhet gjithashtu të ofrohen.